Konflikti ne Orikum mes dy biznesmeneve, gjobë apo mosmarreveshje për një investim në Palasë?

3 Shtator 2026, 16:20Kronika TEMA
Konflikti ne Orikum mes dy biznesmeneve, gjobë apo mosmarreveshje për

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar disa automjete që mbërrijnë pranë resortit “Regina Palm”, në pronësi të biznesmenit Vasil Bedinaj. Prej tyre kanë zbritur më shumë se dhjetë persona, disa prej të cilëve dyshohet se kanë qenë të armatosur. Pak më vonë, Policia e Vlorës është vënë në alarm.

“Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar pranë Pusit të Mezinit një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi ka humbur kontrollin e makinës, e cila është përmbysur në rrugë.

Policia nuk dha hollësi mbi shkaqet e përplasjes, pasi motivet dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë mbeten ende objekt hetimi.

“Në automjet janë konstatuar tre shtetas, dy prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore”, njoftoi Policia.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një pistoletë. 

Versioni i Vasil Bedinajt: kërcënim dhe gjobë prej pesë milionë eurosh


Versioni i parë që qarkulloi pas ngjarjes ishte ai i Vasil Bedinajt. Sipas raportimeve që i referohen dëshmisë së tij në polici, disa automjete kanë rrethuar hotelin, ndërsa persona të armatosur e kanë kërcënuar.

Bedinaj ka pretenduar se dy prej tyre i kanë kërkuar pesë milionë euro, duke i vendosur edhe një ultimatum: të paguante ose të largohej brenda 48 orëve nga Shqipëria.

“Pesë milionë euro gjobë, përndryshe largohu nga Shqipëria”, raportohet të ketë deklaruar Bedinaj në Polici.
Sipas këtij versioni, pas konfliktit personat janë larguar me automjetin që më pas u aksidentua pranë Urës së Peshkëpisë, në rrugën e Lumit të Vlorës.

Pretendimi për gjobëvënie nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia dhe, në këtë fazë, përbën vetëm versionin e dhënë nga Bedinaj.

Versioni tjetër: mosmarrëveshje për një investim në Palasë


Disa orë pas ngjarjes qarkulloi një version tjetër, i cili e bën historinë më të ndërlikuar. Sipas tij, biznesmeni Luan Muça, pronar dhe administrator i kompanisë “Delta”, ka qenë vetë i pranishëm në hotel dhe është takuar me Bedinajn për të diskutuar një mosmarrëveshje që lidhet me një investim turistik në Palasë.

Sipas këtij versioni, konflikti nuk ka lindur rastësisht. Në qendër të tij dyshohet se qëndron një çështje pronësie dhe aksesi rrugor pranë zonës ku kompania “Delta” po zhvillon projektin turistik “Delta Falaise Resort & Village”.

Pretendohet se Bedinaj, i cili zotëron një pronë aty pranë dhe kontrollon një dalje rrugore, ka kërkuar një përqindje të pronës së projektit. Muça thuhet se e ka kundërshtuar këtë kërkesë. Takimi i së enjtes dyshohet se ishte organizuar pikërisht për të sqaruar mosmarrëveshjen, por situata ka përshkallëzuar deri në ndërhyrjen e Policisë.

Këto pretendime nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht dhe duhet të trajtohen si pjesë e një versioni alternativ të ngjarjes.

Kompania “Delta” rezulton përfituese e statusit të investitorit strategjik për fazën e parë të projektit “Delta Falaise Resort & Village”. Projekti është parashikuar të shtrihet në zonën mes Palasës dhe Dhërmiut dhe përfshin ndërtimin e një kompleksi hotelesh dhe vilash.

Personat që shoqëronin Muçën gjatë takimit raportohet se janë punonjës të kompanisë private “SëAT Security”, e kontraktuar për sigurinë e bizneseve të tij. As ky element nuk është sqaruar plotësisht nga autoritetet.

Policia ende pa një version përfundimtar


Në njoftimin e parë, Policia e Vlorës është treguar tepër e rezervuar. Ajo nuk ka konfirmuar pretendimin për gjobën prej pesë milionë eurosh, por nuk ka përmendur as konfliktin për pronën në Palasë. Gjithashtu, nuk ka identifikuar publikisht protagonistët dhe nuk ka përcaktuar se kush ka kërcënuar kë.

“Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në këtë fazë ekzistojnë dy versione që përplasen me njëri-tjetrin: ai i një tentative për gjobëvënie prej pesë milionë eurosh dhe ai i një konflikti ekonomik e pronësor mes dy biznesmenëve.

Policia duhet të sqarojë se përse në hotel mbërritën më shumë se dhjetë persona, cilët prej tyre ishin të armatosur, kujt i përkiste pistoleta e gjetur në automjet, çfarë marrëdhënieje kishin personat e aksidentuar me palët dhe nëse kërkesa për pesë milionë euro është reale apo pjesë e konfliktit mes tyre.

Deri atëherë, ajo që dihet me siguri është se një takim mes dy përfaqësuesve të biznesit të madh përfundoi me persona të armatosur, ndjekje policore, një automjet të përmbysur dhe dy të plagosur. Pjesa tjetër duhet të ndahet mes fakteve, pretendimeve të palëve dhe asaj që do të provojë hetimi.

5 Komente

  1. x
    xhambazi

    Ne fakt duket ,,aksidenti i sajuar per gjoben ,ne vlore s ka polici krimi ben komanden se kuptoj se cfare ben langua i Rames Hitaj si duket kane rene dakord qe mos te preken banditet e tij ,nga ana tjeter ketij mire ja bene se nuk eshte biznesmen por rrugac

    Përgjigjjuni
    1. N
      Nastradini

      Po nuk vihet gjoba keshtu more trima te policise, ne mes te dites ne nje vend plot me kamera. Nese ky robi u ka borxh ketyre ndonje thes me euro tja u ktheje. Nejse Rama eshte HAJDUT si do qe te jete puna.

      Përgjigjjuni
      1. S
        Skiptar

        Nuk te bie njeri ne qafe pose kruajte me pazare alishverishe - nje media shkruante per token qe eshte prane hotelit ... Po keta qe ndjekin nga pas me arme e qellojne qenkan burra te mire njesoj jane...

        Përgjigjjuni
        1. A
          Aron

          Ja pra, ne kete pune kemi bere gjithmone, ndaj edhe nuk behemi kurre. Ne kemi inat njerzit qe kane sukses dhe ndertojne dicka. Me mire ia prishim ose i veme gjobe, sesa te ndertojme dicka tonen me te mire per te konkuruar me te miren. Dhe themi pastaj perse nuk kemi pasur kurre zhvillim dhe perse shqipetaret kur largohen nga Shqiperia ne pergjithesi shkelqejne, ndersa ne vendin e tyre edhe ata qe mundohen te bejne dicka nuk i lejojne tu duket shkelqimi ose shkojne deri ne kete pike. Me keto gjera asnjera pale nuk fiton, vec behet pengese per vete te perfshiret ne kete situate, por edhe per zonen dhe vendin.

          Përgjigjjuni
          1. 1
            19

            Te fortit bejne ligjin ne shqiperi dhe kudo.ska shtet .

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje