Vodafone Albania lidh me Wi-Fi falas 61 bashki, përmes projektit europian WiFi4WB

3 Shtator 2026, 17:43Hi-Tech TemA

Vodafone Albania lidh me Wi-Fi falas 61 bashki, përmes projektit europian

Vodafone Albania ka përfunduar realizimin teknik të rrjetit publik WiFi4WB në Shqipëri, duke mundësuar akses falas në internet në 75 pika publike, të shpërndara në të 61 bashkitë e vendit. Nga parqet dhe muzetë te shkollat, qendrat komunitare dhe hapësirat e tjera publike, rrjeti u krijon qytetarëve mundësi për të përdorur shërbimet dixhitale.

Vodafone Albania u përzgjodh si “Connectivity Partner” i projektit nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Në këtë rol, kompania realizoi infrastrukturën dhe lidhjen teknike që bëri të mundur funksionimin e 75 pikave Wi-Fi në të gjithë vendin.

WiFi4WB zbatohet nga GIZ, me bashkëfinancimin e Bashkimit Europian dhe Qeverisë Gjermane, si pjesë e programit rajonal EU4Digital. Nisma mbështetet në modelin e WiFi4EU dhe synon të zgjerojë aksesin publik falas në internet në bashkitë e Ballkanit Perëndimor.

Rëndësia e projektit shkon përtej instalimit të një rrjeti Wi-Fi. Qasja në internet është kthyer në domosdoshmëri për përdorimin e shërbimeve publike, edukimin, informacionin dhe pjesëmarrjen në ekonominë dixhitale të vendit. Për bashkitë, mundësia që qytetarët të lidhen me internet falas, krijon një kanal shtesë për t’u shërbyer komuniteteve, ndërsa për qytetarët dhe bizneset lokale, hapen mundësi të reja për komunikim dhe akses në shërbime.

Roli i Vodafone Albania si ofrues i infrastrukturës vendos kapacitetet e kompanisë në funksion të një objektivi më të gjerë Europian, zvogëlimit të hendekut dixhital dhe krijimit të një infrastrukture publike gjithëpërfshirëse.

Me përfundimin e 75 pikave në 61 bashki, WiFi4WB bëhet një prej projekteve me shtrirjen më të gjerë territoriale në fushën e internetit publik falas në Shqipëri si dhe një shembull konkret se si financimi europian, bashkëpunimi institucional dhe ekspertiza teknike e Vodafone Albania mund të përkthehen në shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët.

2 Komente

  1. M
    Magdalena Lamce

    Flm per ket proces te vodafon

    Përgjigjjuni
    1. V
      Vl

      TQR mu ne Vodafone. Per te bler 1 kart te re me e lira 27mi lek Fundi botes. Dhe as njeri nuk flet. Ne cdo vend karta eshte falas ose max 5e ketu perfitojn nga sezoni.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje