Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës janë kundër zbatimit të këtij projekti, i cili parashikon ndërhyrjen dhe shembjen e shumë banesave në zonën pranë qendrës historike të qytetit.
Banorët kanë dorëzuar në Bashkinë e Durrësit një dokument prej 15 faqesh, të firmosur nga 65 qytetarë që i drejtohet disa institucioneve, mes tyre Bashkisë Durrës, Ministrisë së Kulturës, Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe AADF-së.
Sipas arkitektes Entela Koja, kërkesa e tyre lidhet me shfuqizimin e VKM-së nr. 442, datë 3 qershor 2020, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim në njësinë administrative Durrës”.
Shfuqizimi i kësaj VKM-je, e cila përfshinte një pjesë të konsiderueshme të qytetit bregdetar, përfshirë edhe zona brenda qendrës historike të Durrësit, solli edhe shfuqizimin e Planit të Detyruar Vendor (PDyV) përkatës. Ky plan parashikon prishjen e 20 pasurive të paluajtshme, të cilat përfshiheshin në projektin TID. Banorët u shprehën se, me rrëzimin e bazës ligjore në të cilën mbështetej PDyV-ja, projekti nuk duhet të vijojë në formën e tij aktuale.
“Duan të japin përshtypjen se projekti po vijon, por në fakt projekti ka rënë që në momentin që ata diskutojnë për rishikim. Rishikimi ka ardhur edhe te pronat, ku një pjesë e mirë e banorëve tashmë po sigurojnë dokumentet e pronave që ishin lënë me vite të pambyllura. TID-i është një Plan i Detajuar Vendor dhe fakti që ata po e rishikojnë tregon që ai që është ekzistues nuk është më në fuqi. Por ata nuk e pranojnë dhe nuk e vënë në mënyrë shkresore. Ne ia kërkojmë këtë në mënyrë shkresore”, u shpreh arkitektja”, deklaroi Koja.
Qytetarët kërkojnë që institucionet të mbajnë një qëndrim zyrtar për statusin ligjor të projektit dhe ta shfuqizojnë, duke mos shembur banesat dhe duke shmangur ndërhyrjet e parashikuara në këtë zonë të Durrësit.














