Nga Boldnews.al
Në dy vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka pësuar goditje të rënda, gati fatale. Fillimisht, një grup drejtorësh, me në krye Mariglen Qato dhe Redi Molla, u zbuluan se kishin krijuar një skemë totale korruptive, nëpërmjet të cilës fondet publike të menaxhuara prej tyre kanalizoheshin në kompanitë e krijuara po prej tyre.
E famshmja “5D” konfirmoi dyshimet e forta publike se korrupsioni ishte ulur këmbëkryq në Bashkinë më të madhe në vend.
Më pas, tronditja më e madhe që pësoi institucioni lokal i Tiranës ishte arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, në shkurt 2025.
Këto raste kishin një emërues të përbashkët-manipulimin e tenderave, që varionin në vlera nga disa qindra mijëra euro deri në miliona euro.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan se, titullarët më të lartë të Bashkisë së Tiranës ushtronin ndikimin e tyre për të pilotuar procedurat e prokurimit publik në favor të kompanive dhe njerëzve të lidhur me ta.
Megjithatë, hetimeve të Prokurorisë së Posaçme-SPAK-i mungon një detaj, sa formal, po aq edhe domethënës.
Në të gjithë rastet e hetuara, Erion Veliaj, Redi Molla, Mariglen Qato e drejtorët e tjerë, nuk i kanë kryer personalisht “letrat”, pra nuk i kanë organizuara ata dokumentat e tenderave.
Ky “formalitet” është kryer nga drejtoria përkatëse në Bashkinë e Tiranës, ajo e Prokurimeve Publike, e drejtuar nga Entela Kruja (Lleshi).
Me një karrierë të nisur si specialiste e thjeshtë në sektorin e prokurimeve publike në Bashkinë e Tiranës, zonja Kruja (Lleshi) fitoi shpejt besimin e kryebashkiakut, tashmë të arrestuar, Erion Veliaj, i cili i besoi drejtimin e zyrës së tenderave.
Enlete Kruja (Lleshi) gjendet në krye të zyrës që menaxhon dhjetra miliona euro të Bashkisë së kryqytetit të paktën prej vitit 2023. Ajo nuk është prekur aspak nga “furtuna” që ka përfshirë institucionin prej të paktën dy vitesh, megjithëse emri i saj shfaqet thuajse hapur në dosjen hetimore “5D”, me personazhe kryesore Qaton dhe Mollën.
Në një ndër pasazhet e dosjes përmenden biseda mes administratorit fiktiv të kompanisë private “5D”, Nestor Muhametllari dhe një prej drejtoreshave të Bashkisë, Eglantina Zëre, e marrë më pas e pandehur në këtë çështje.
“Ndërkohë rezulton se me datë 24.12.2019 Z. Nestor Muhametllari e pyet Znj. Eglantina Zere nëse e njeh punonjësen përgjegjës të prokurimeve në Bashki, duke i përmendur Znj. Entela Kruja, duke i kërkuar se duhet të flasë me të sa për të marrë një klasifikim, duke qenë se një dite më parë kishte hyrë në një procedurë dhe se Znj. Eglantina Zere i përgjigjet “ok”. Më tej Z. Nestor Muhametllari i shkruan se ka folur me të dhe e ka zgjidhur përmes çunave. Më tej e pyet nëse i ka shkruar dhe se Znj. Eglantina Zere i përgjigjet se “Jo po e fola pak se jam në tavolinë me kryesorin”. Rezulton se në telefonin e Z. Nestor Muhametllari kjo nëpunëse e prokurimeve e referuar rezulton të jetë shënuar “Entela prok. Bashki”. Ajo ka komunikime me Whatsup me Z.Nestor Muhametllari të dokumentuara nga data 29.12.2020 deri me 06.02.2023. Ato rezulton se kanë koordinuar me këtë mënyrë komunikimi disa herë takime në zyrën e nëpunëses”, thuhet ndër të tjera në materialet hetimore.
Prokuroria e Posaçme nuk rezulton të ketë avancuar hetimet për rolin e Entela Kruja (Lleshi). Ka nga ata që besojnë se zonja Kruja (Lleshi) ka një imunitet ekstra-ligjor për shkak të lidhjeve familjare me një personazh të rëndësishëm të “Drejtësisë së Re” në strukturat anti-korrupsion.
Ndoshta ky pretendim mund të mos jetë real, megjithëse fakti që Entela Kruja (Lleshi) vijon të mbajë të njëjtin pozicion të rëndësishëm në menaxhimin e parave publike, edhe pse emri i saj është i përfshirë në dosjen e aferës më të madhe korruptive që ka përfshirë Bashkinë e Tiranës në vitet e fundit, i jep tezës së “imunitetit” të saj një dozë të lartë vërtetësie.














