Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin e Nexhmedin Danajt në Dubai, në kuadër të Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin e Nexhmedin Danajt në Dubai, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas policisë, arrestimi i 57-vjeçarit është bërë gjatë një tjetër faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit.
Danaj është arrestuar provizorisht me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
57-vjeçari dyshohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, Nexhmedin Danaj dyshohet se, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Policia bën me dije gjithashtu se 57-vjeçari akuzohet se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare për financimin e aktivitetit kriminal. Mes tyre, sipas autoriteteve, kanë qenë edhe transfertat digjitale, përmes të cilave janë kryer pagesa të konsiderueshme në disa shtete për blerjen e lëndëve narkotike.










