Policia e shtetit ka nisur hetimet për 3 mjekët të cilët kryen vizitat mjekësore të 37-vjeçares shtatzënë, që ndërroi jetë ditën e djeshme teksa po transportohej për mjekim në Tiranë. Mësohet se nën hetim janë Blerta Delija, Saimir Çela dhe Anri Topi, të cilët kryen kontrollet e para të të resë, në spitalin e Pogradecit.
37-vjeçarja, e identifikuar me inicialet M. K., u dërgua në spital nga motra e saj, mbrëmjen e 30 gushtit pasi kishte dhimbje të forta. Gjatë natës gjendja e saj vijoi të përkeqësohej, dhe pas ekzaminimit nga tre mjekët, u nis me autoambulancë për ndihmë të specializuar në Tiranë.
Gjendja e saj u përkeqësua edhe më tej gjatë rrugës, duke bërë që të dërgohej në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku mjekët konstatuan se kishte humbur jetën. Policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Korçës, ndërsa ndaj tre mjekëve ka nisur procedimi penal për veprën “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: B. D., 35 vjeçe, banues në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec, me detyrë mjekë në maternitetin e Pogradecit.
Mbrëmjen e datës 30.08.2026, është paraqitur në maternitetin e Pogradecit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, shtetasja M. K., 36 vjeçe, 7 muajshe shtatzënë. Pas ekzaminimit nga këta tre mjekë, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë, për ndihmë mjekësore të specializuar në një maternitet në Tiranë, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë rrugës, ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/