Strukturat e Policisë së shtetit kanë pësuar ndryshime, me emërime dhe transferime të reja.
Raportohet se Kastriot Skënderaj është emëruar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, duke zëvendësuar në këtë post drejtuesin Fatmir Hoxha. Ky i fundit, nga detyra e Drejtorit të DVP Elbasan, është emëruar Specialist në Drejtorinë për Integrimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Skënderaj është një veteran në radhët e Policisë së Shtetit, teksa më herët ai ka drejtuar Policinë e Tiranës, ndërsa më pas është emëruar këshilltar i Ardi Veliut, kohë kur ky i fundit mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Po ashtu, ai ka drejtuar edhe Policinë e Vlorës dhe atë të Gjirokastrës në dy kohë të ndryshme, gjatë vitit 2015. Gjatë kësaj periudhe, Policia e Shtetit zhvilloi operacionin e gjerë në Lazarat, ku humbi jetën efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha.
Ndryshime ka edhe në strukturat e Policisë së Beratit dhe Korçës. Drejtuesi Luigj Vathi, i cili mbante detyrën e Drejtorit të DVP Berat, është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.
Ndërkohë, Drejtuesi Gëzim Zhupaj, nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, është transferuar dhe emëruar Shef Sektori në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Një tjetër lëvizje është bërë për Kryekomisarin Dashnor Muhaj, i cili transferohet nga detyra e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Tiranë dhe emërohet Specialist për Migracionin e Parregullt në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në DPPSh.
Këto ndryshime prekin drejtimin e strukturave të Policisë në Elbasan, Berat dhe Korçë, si dhe disa pozicione në strukturat qendrore të Policisë së Shtetit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/