PRISHTINË – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president.
Kurti tha se qëndrimi i deputetëve të LDK-së duket se lidhet më shumë me kundërshtimin ndaj qeverisë sesa me kandidaturën e Sejdiut.
Kryeministri në detyrë e cilësoi marrëveshjen politike të arritur për zgjedhjen e presidentit si një dakordësi të rëndësishme, e cila u arrit pas shumë përpjekjesh dhe vijon të jetë në fuqi.
“Marrëveshja politike që kemi bërë është e vlefshme, ajo marrëveshje qëndron. Është marrëveshje me shumë mund, e drejtë, e vërtetë dhe e dobishme. Çfarë të bëjmë që kishim këtë veprimin negativ të gjashtë deputetëve. Duket qartë se nuk e kanë aq kundër Bekim Sejdiut, sesa kundër qeverisë”, tha Kurti.
Ai shtoi se kundërshtimi politik duhet të shprehet përmes rolit opozitar në Kuvend dhe zgjedhjeve demokratike, duke kundërshtuar përsëritjen e vazhdueshme të proceseve zgjedhore me shpresën për rezultate të ndryshme.
“Për atë qëndron opozitarizmi në Kuvend dhe zgjedhje të lira demokratike. Nuk mundemi që pafundësisht të përsërisim zgjedhjet me shpresën se këtë herë do të ketë rezultate ndryshe”, u shpreh Kurti.
Deputetët e LDK-së që dolën kundër grupit të tyre parlamentar dhe që nuk do të votojnë Sejdiun për president janë: Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/