Një 20-vjeçare me origjinë shqiptare në Rimini të Italisë është larguar nga banesa e familjes për të jetuar me të dashurin e saj italian, por vendimi i saj dyshohet se është shoqëruar me muaj të tërë presioni, përndjekjeje dhe kërcënimesh nga prindërit.
Sipas mediave italiane, prindërit e 20-vjeçares, 44 dhe 47 vjeç të besimit myslimanë, shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, nuk e kanë pranuar lidhjen e vajzës me të riun italian për shkak të ndryshimeve në besimin fetar. Për këtë arsye, ata dyshohet se kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj vajzës për t’i dhënë fund marrëdhënies.
Familja shqiptare jeton prej vitesh në Rimini. Sipas raportimeve, në familje zbatoheshin rregulla të rrepta që lidhen me mënyrën e veshjes, shoqërinë dhe stilin e jetesës së vajzës.
Situata u përkeqësua pasi 20-vjeçarja nisi një lidhje me një bashkëmoshatar italian. Kundërshtimi i prindërve ndaj kësaj marrëdhënieje solli debate të vazhdueshme, deri në momentin kur e reja vendosi të largohej nga shtëpia dhe të shkonte të jetonte me partnerin e saj.
“Nëse nuk kthehesh, do të kesh një jetë ferr”
Pasi mësoi vendndodhjen e çiftit, familja dyshohet se nisi t’i dërgonte vajzës mesazhe të vazhdueshme, duke i kërkuar të kthehej në shtëpi. Në dosjen hetimore përmenden edhe mesazhe që autoritetet i kanë konsideruar kërcënuese.
“Mund të të gjej edhe sikur të shkosh në Hënë, sepse familjet shqiptare janë të gjitha të bashkuara”, thuhet në një prej mesazheve të cituara nga mediat italiane.
Në një tjetër mesazh, sipas raportimeve, shkruhej: “Nëse nuk kthehesh në shtëpi, do të kesh një jetë ferr.” Përballë kësaj situate, 20-vjeçarja dhe partneri i saj iu drejtuan Policisë së Riminit dhe bënë denoncimin e parë.
Sipas hetimeve, presioni nuk u ndal pas denoncimit. Në një moment, prindërit i dërguan vajzës një fotografi ku babai shfaqej në rrugën ku ndodhej banesa e çiftit.
Për të rinjtë, ky episod u konsiderua si një sinjal se familja kishte zbuluar adresën e tyre dhe mund t’i gjente në çdo moment. Pas këtij zhvillimi, çifti bëri një denoncim të dytë dhe kërkoi ndërhyrjen e autoriteteve për të parandaluar afrimin e prindërve.
Sipas mediave italiane, episodi më i rëndë ka ndodhur në maj të vitit 2026. Dy prindërit dyshohet se janë paraqitur në banesën ku jetonte çifti dhe kanë hyrë pa leje. Sipas dosjes, situata ka përshkallëzuar dhe dy të rinjtë kanë kërkuar të shmangin përplasjen fizike duke u mbyllur në një dhomë dhe duke telefonuar policinë.
Prokurori Davide Ercolani ka vendosur procedimin penal të dy prindërve, të cilët hetohen në gjendje të lirë për veprat penale të përndjekjes dhe kërcënimeve.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/