Banorët dhe pronarët e prekur nga projekti TID në Durrës i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të tjera, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punimeve, prishjeve të banesave dhe procedurave të shpronësimit.
Përfaqësuesit e grupimit qytetar kundër projektit argumentojnë se baza ligjore mbi të cilën është mbështetur ndërhyrja ka ndryshuar. Sipas dokumenteve të paraqitura prej tyre, me hyrjen në fuqi të VKM-së nr. 621, të korrikut 2026, është shfuqizuar vendimi i vitit 2020, i cili shpallte Zonën 5 si zonë për zhvillim.
Ky vendim, sipas banorëve, përbënte bazën mbi të cilën u ngrit projekti i rikualifikimit urban në zonën pranë Parkut Arkeologjik dhe Amfiteatrit të Durrësit.
Nga 74 prona të parashikuara fillimisht për shpronësim, të paktën 20 rezultojnë se nuk duhet të jenë më objekt ndërhyrjeje apo prishjeje.
Për këtë arsye, pronarët kërkojnë rishqyrtimin e plotë të projektit, përditësimin e listave të pronave të prekura dhe njoftimin individual të çdo familjeje. Ata kërkojnë gjithashtu pezullimin e financimeve dhe procedurave të prokurimit deri në rivlerësimin e situatës ligjore.
“S’kanë të drejtë të na prishin shtëpitë”, është shprehur një prej qytetareve të prekur nga projekti.
Përfaqësuesit e pronarëve paralajmërojnë se vijimi i ndërhyrjeve duke u bazuar në akte që tashmë janë shfuqizuar, e vendos projektin në një situatë të parregullt ligjore.
Banorët kërkojnë nga institucionet përgjigje zyrtare brenda afateve ligjore, ndërsa theksojnë se çdo vendimmarrje e mëtejshme duhet të marrë në konsideratë ndryshimet e fundit në kuadrin ligjor që prek zonën dhe pronat e tyre.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/