Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar vendimmarrjen nga IEVP Durrës, ku ndodhet në paraburgim prej 19 muajsh. Më 1 shtator, ai ka miratuar një sërë vendimesh që lidhen me funksionimin e administratës së kryeqytetit.
Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, Veliaj ka pranuar dorëheqjet e zëvendëskryetares Anuela Ristani, Sekretarit të Përgjithshëm Eldi Hoxha dhe shefes së Kabinetit, Blerina Beshku.
Kryebashkiaku ka firmosur gjithashtu listëpagesat e Bashkisë së Tiranës, brenda një ore nga momenti kur ato i kanë mbërritur në IEVP Durrës.
Nga paraburgimi, Veliaj ka miratuar edhe shtesën e fondeve për çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit, me qëllim vijimin e financimit dhe funksionimit të tyre.
Një tjetër vendim lidhet me transportin publik. Sipas Bashkisë së Tiranës, Veliaj ka miratuar fondet për vijimin e aboneve falas të transportit publik për pensionistët e kryeqytetit.
Vendimet e fundit vijnë pas një serie dorëheqjesh dhe ndryshimesh në drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Më 1 shtator, Sekretari i Përgjithshëm Eldi Hoxha dha dorëheqjen nga detyra. Në vend të tij, Veliaj ka komanduar Alban Dokushin si Sekretar të Përgjithshëm. Ndërkohë, më 28 gusht, Veliaj, përmes një vendimi të firmosur nga qelia, shkarkoi nga detyra kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristanin.
Në argumentimin e tij, Veliaj kishte deklaruar se vendimi për shkarkimin e Ristanit ishte marrë pasi ajo nuk kishte zbatuar urdhrat e tij. Ndërsa sot, përmes vendimmarrjes nga IEVP Durrës, Veliaj ka pranuar edhe dorëheqjen e Ristanit nga posti i zëvendëskryetares së Bashkisë së Tiranës.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 dhe këto janë vendimet e para që ai firmos që prej asaj kohe.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/