Nexhmedin Danaj, pronari i kompanisë “Vlora Cable”, është arrestuar në Dubai, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrim parash. Nexhmedin Danaj është i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të ”Visit të Pojës”.
Danaj dyshohet se ka pasur rol në lëvizjen dhe pastrimin e parave që, sipas hetimeve, burojnë nga trafiku i kokainës. Një pjesë e shumave të dyshuara si të paligjshme dyshohet se është transferuar drejt Dubait përmes kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Emri i Danajt doli në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura”, të zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane, kundër grupeve të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Në kuadër të këtij operacioni, autoritetet vendosën nën sekuestro kompaninë “Vlora Cable”, në pronësi të Danajt, si dhe biznesin “Dubai Inn”.
Sipas SPAK, hetimet e zhvilluara përgjatë periudhës 2020-2025 kanë dokumentuar 40 episode të trafikut të narkotikëve, përfshirë raste të trafikimit të kokainës dhe heroinës.
Danaj dyshohet se si pjesë e grupit kriminal të ‘Visit të Pojës’, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
Operacioni ndërkombëtar çoi në ekzekutimin e 52 masave të sigurisë në Shqipëri dhe Itali. Gjatë aksionit, autoritetet sekuestruan pasuri të paluajtshme, kompani, automjete dhe shuma parash, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të grupeve nën hetim.
Pas arrestimit në Dubai, pritet të ndiqen procedurat ligjore për ekstradimin e Nexhmedin Danajt drejt Shqipërisë, ku ai do të vihet në dispozicion të drejtësisë për t’iu përgjigjur akuzave që rëndojnë ndaj tij.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet, në bashkëpunim me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, është arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi N. D., 57 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin prill 2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet dyshohet se 57-vjeçari, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, shtetasi N. D. akuzohet se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave të konsiderueshme, në disa shtete, për blerjen e lëndëve narkotike.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit për finalizimin e procedurave për ekstradimin e 57-vjeçarit në Shqipëri
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/