TIRANË- Tjetër lëvizje në drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Pas largimit të Anuela Ristanit nga posti i kryetares së komanduar, ka dhënë dorëheqjen edhe Sekretari i Përgjithshëm, Eldi Hoxha. Në vend të tij, kryebashkiaku Erion Veliaj ka komanduar Alban Dokushin.
Lëvizjet e fundit vijnë në një moment të tensionuar për administratën e Bashkisë së Tiranës, pas përplasjes mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Anuela Ristanit, e cila ushtronte përkohësisht funksionet e kryetarit të bashkisë gjatë kohës që Veliaj ndodhet në paraburgim.
Emërimi i Dokushit nuk është një lëvizje e rastësishme. Ai ka qenë më herët Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, por u shkarkua nga Anuela Ristani pas arrestimit të Veliajt.
Dokushi iu drejtua gjykatës dhe vendimi për largimin e tij u rrëzua nga gjykatat administrative. Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin që e konsideronte të paligjshëm shkarkimin e tij, duke i hapur rrugë rikthimit në detyrë.
Në korrik, Veliaj kishte firmosur nga paraburgimi urdhrin për zbatimin e vendimit gjyqësor dhe rikthimin e Dokushit në postin e Sekretarit të Përgjithshëm.
Por rikthimi i tij u shoqërua me një tjetër përplasje institucionale. Ristani nuk e riktheu në funksionin e mëparshëm, duke e sistemuar në një tjetër pozicion brenda administratës. Dokushi më pas e kallëzoi Ristanin në Prokurori, duke pretenduar shpërdorim detyre dhe pengim të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor.
Tashmë, pas largimit të Ristanit dhe dorëheqjes së Eldi Hoxhës, Alban Dokushi rikthehet në një nga postet më të rëndësishme administrative të Bashkisë së Tiranës.
Zhvillimet e fundit pritet të sjellin ndryshime të tjera në administratën e Bashkisë, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin e përkohshëm të institucionit pas largimit të Ristanit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/