SHEKULLI ka siguruar videon kur presidenti i Vllaznisë në futboll, Alban Xhaferi ka goditur me grusht në fytyrë asistentin e ndeshjes AF Elbasani 1-1 Vllaznia, të shtunën mbrëma në ‘Elbasan Arena’.
Në video duket qartë se Xhaferi ka pritur arbitrat në hyrje të tunelit të dhomave të zhveshjes dhe ka lëshuar një goditje me të majtën në fytyrën e Ergys Spahiut.
NGJARJA – Të shtunën AF Elbasani dhe Vllaznia barazuan 1-1 për raundin e dytë të Superligës. Sfida, edhe pse pa tifozë, prodhoi dhunë nga tribuna VIP, pikërisht nga ata që duhet të jenë shembull i fair-playt dhe sjelljes korrekte në një ndeshjes. Fill pas fërshëllimës finale të arbitrit Dorjan Maletaj, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, goditi me grusht arbitrin anësor Ergys Spahiu. Gjesti i kreut të klubit shkodran nuk është aspak i hijshëm për vetë pozicionin që ai mban, si edhe për vazhdimin e garës, duke kujtuar që jemi vetëm në raundin e dytë të sezonit të ri 2026-27.
Vllaznia shënoi e para pas 18 minutave lojë me Edon Muratajn, ndërsa shkodrani Rubin Hebaj barazoi rezultatin 1-1 në minutën e 75-të. Ishte pikërisht fundit i ndeshjes që solli tensione të shtuara, aty ku Vllaznia ia faturon gjithçka vendimeve që sipas saj nuk janë të drejta.
Në minutat shtesë Vllaznia shënoi fillimisht me Tafilin dhe më pas me Mustën, por të dy golat u anuluan për pozicion jashtë loje me ndihmën e VAR-it. Në rastin e parë, ishte Perez që bllokoi pamjen e portierit, ndërsa në rastin e dytë Musta ishte në pozicion jashtë loje. Kjo duket se ka agravuar situatën.
Mbyllja e ndeshjes bëri që edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, të protestonte duke bërë shenjën e VAR-it. Ndërkohë që Alban Xhaferi s’i ka mbajtur nervat duke u futur në dhomat e zhveshjes dhe duke goditur me grusht një nga asistentët e arbitrit, Ergys Spahiun.
Nga ana tjetër Vllaznia akuzon për gjykim të parregullt, çka ka bërë që vetë numri një i klubit të bëjë vetëgjyqësi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/