Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar pas mbledhjes së Grupit Parlamentar se gjashtë deputetë të partisë kanë vendosur të mos mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës.
Ai ka thënë se Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë thënë se nuk do të votojnë për Sejdiun.
Abdixhiku ka thënë se po humbet një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe po dërgohet vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Kjo nuk ishte betejë me mua, beteja me mua përfundoi në Kuvendin e LDK-së. Ishte betejë për Republikën e Kosovës. Profesor doktor Bekim Sejdiu është kandidat i shkëlqyeshëm i propozuar nga LDK-ja dhe siguronte balancë institucionale e do të ndalonte çdo tendencë të shkeljes së Kushtetutës dhe do ta mbronte Kushtetutën edhe prëballë pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje…Konsideroj se fatkeqësisht pozicioni kundër vendimit të Kryesisë e kundër LDK-së është i dëmshëm për Republikën e patjetër për LDK-në. E çdo palë zgjedhje të ardhme, për shkak të këtyre refuzimeve, do të jenë me pasoje edhe për rezultatet e ardhshme zgjedhore”, tha Abdixhiku.
Ai ka thënë se ka përshtypjen që çdo emër që do të propozohej do të merrte përgjigje të tillë nga 6 deputetët që refuzuan.
“Ka apetit të jashtëzakonshëm për të shtyrë agjenda që nuk janë të LDK-së”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se do të ketë masa disiplinore ndaj atyre që nuk kanë respektuar vendimin e Kryesisë së LDK-së.
“Më shumë jam i brengosur për pasojat për Kosovën. Të shkaktojmë edhe njëherë zgjedhje, kur kemi marrëveshje politike e kandidaturëserioze të mbarë e të mirë, me respekt të gjerë popullor. Kur kemi kapërcyer edhe veten, s’kemi kërkuar asgjë për veten vetëm që Kosova të ketë president të dinjitetshëm. Për beteja të paarsyeshme personale të rrënohet gjithë kjo mundësi. Jam i brengosur për pasojat e Republikës”, tha Abdixhiku.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/