ITALI – Peshëngritësja shqiptare Enkileda Carja ka fituar medaljen e bronztë në stilin e shkëputjes, në kategorinë 69 kg, në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Sportistja 18-vjeçare kuqezi zhvilloi një paraqitje të mirë, duke luftuar deri në fund për medaljen e artë. Carja e nisi konkurrimin me sukses, duke ngritur 98 kg në provën e parë. Në të dytën, shqiptarja realizoi një tjetër ngritje të saktë, duke çuar peshën në 100 kg.
Në provën e tretë, Carja tentoi 103 kg, por nuk arriti ta përfundonte me sukses. Megjithatë, rezultati i siguroi asaj medaljen e bronztë në stilin e shkëputjes.
Në stilin e shtytjes, gara nuk shkoi sipas pritshmërive për peshëngritësen shqiptare. Carja realizoi me sukses provën e parë me 116 kg, por dështoi në dy tentativat e radhës, fillimisht me 121 kg dhe më pas me 122 kg. Për pasojë, ajo e mbylli garën në këtë stil në vendin e shtatë.
Emocionet ishin të forta për sportisten shqiptare, e cila u largua nga pedana me lot në sy. Pavarësisht zhgënjimit për rezultatin në shtytje, medalja e bronztë përbën një rezultat pozitiv për Carjan dhe një tjetër sukses për peshëngritjen shqiptare.
Kjo është medalja e gjashtë e Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Deri tani, delegacioni kuqezi ka siguruar 2 medalje të arta, 1 të argjendtë dhe 3 të bronzta.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/