Anuela Ristani është dorëhequr nga posti i zëvendëskryetares së Bashkisë Tiranë pas vendimit të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, për t’i hequr të drejtat e deleguara.
Pas më shumë se një dekade në shërbim të kryeqytetit, Ristani ka njoftuar largimin e saj nga detyra. Përmes një mesazhi të gjatë, ajo ka shprehur mirënjohjen për Tiranën dhe qytetarët, duke theksuar se e mbyll këtë kapitull me ndjenjën e përmbushjes dhe respektit për qytetin.
Ristani shprehet se largohet me “krenari, përulësi dhe plot dashuri” për Tiranën, duke vlerësuar vitet e angazhimit dhe shërbimit ndaj kryeqytetasve.
Veliaj i tërhoqi Ristanit kompetencat me argumentin se ajo nuk kishte zbatuar urdhrat e tij dhe se kishte munguar koordinimi institucional.
Edhe pse në burg prej 10 shkurtit të 2025, Veliaj vijon të jetë kryetar ligjërisht i Bashkisë, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi nismën e Këshillit Bashkiak e më tej qeverisë për ta shkarkuar.
Reagimi i plotë:
Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë.
Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër por të gjatë të sheshit “Skënderbej“ që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep.
Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkëudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme, dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën.
Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë.
Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë “xhomllikse” edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit. Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi. Faleminderit të gjithëve.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/