TIRANË – Tensionet dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijojnë në ditën e 94-t të protestës qytetare përballë Kryeministrisë në kryeqytet. Tanimë forcat e rendit kanë nisur me shoqërimin e qytetarëve, mes tyre edhe një nga zërat e protestës, ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj. E ndaluar është edhe aktivistja Arvina Lleshi.
Në videon e publikuar nga deputeti Agron Shehaj, duken Goxhaj dhe protestues të tjerë që shoqërohen nga policia. Ndërkohë dy deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri i kërkojnë llogari Bluve për këto shoqërime.
Revolta vijon para Kryeministrisë, ku protestuesit kanë bllokuar hyrjet e godinës për më shumë se një orë, duke e kthyer protestën në një përballje të drejtpërdrejtë me forcat e policisë, teksa kryeministri Edi Rama ndodhet në godinë.
Situata është shoqëruar me tensione, ndërsa në anën tjetër të barrikadës janë pozicionuar efektivë të shumtë të Policisë së Shtetit. Prania e forcave të rendit është shtuar, ndërsa policia ka tentuar të mbajë të lirë hyrjet e godinës.
Protestuesit kanë kundërshtuar ndërhyrjen e policisë, duke vijuar qëndrimin e tyre para Kryeministrisë. Në thirrjet e tyre, ata kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama për qeverisje autoritare, ndërsa e kanë cilësuar atë “diktator” dhe “frikacak”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/