TIRANË- Pas afro 19 muajsh në burg, Erion Veliaj do të luajë në 15 Shtator, ‘kartën’ e fundit për të lënë qelinë, dhe për ta ndjekur procesin hetimor ndaj tij në një masë më të butë sigurie. Gjykata e Lartë do të shprehet në lidhje me masën e sigurisë së arrestit me burg, pas vendimit të dhënë më herët nga Gjykata Kushtetuese, që kërkoi rishqyrtimin e kërkesës së kryebashkiakut. 3 gjyqtarët, Sandër Simoni, Valbon Çekrezi dhe Genti Shala, do të jenë përballë një prove të vështirë, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit, që kanë lidhje në fakt me aspektin politik të çështjes, dhe lojën që luhet përtej mureve të Gjykatës.
Nga dita e premte (29 Gusht), Bashkia e Tiranës nuk ka as një kryetare të komanduar, pasi Erion Veliaj vendosi në mënyrë të beftë për shkarkimin e Anuela Ristanit, e cila gjatë ditës së djeshme dha dorëheqjen dhe nga posti i nënkryetares, duke i mbyllur përgjithmonë llogaritë me Bashkinë e Tiranës. Në këto kushte, kryeqyteti duket se po shkon drejt një kolapsi institucional, për shkak të pamundësisë së Velaijt për të marrë vendime nga burgu, ndërkohë që avokati i tij Plarent Ndreca, kërkoi garantimin e kushteve që ai të qeverisë pushtetin lokal, qoftë edhe nga qelia.
Të gjendur përballë kësaj situate të pazakontë, SHEKULLI ka kontaktuar disa juristë, analistë dhe ekspertë të fushës së jurispudencës, për të hedhur më shumë dritë mbi rastin Veliaj, vendimin e pritshëm të Gjykatës në datën 15 Shtator, por edhe skenarët që e presin kryeqytetin gjatë muajve të ardhshëm.
Për politologun dhe pedagogun Afrim Krasniqi, situata ligjërisht është e zgjidhshme, por sipas tij kriza po shkaktohet artificialisht, me qëllim për të rritur presionin mbi pushtetin gjyqësor. Krasniqi tha për SHEKULLI-n se ligji e parashikon qartë që Këshilli Bashkiak i Tiranës, duhet të miratojë një prej nënkryetarëve aktualë në postin e kryetarit të komanduar, me propozim të Veliajt. Krasniqi shprehet se në çdo vend të botës, kryetari do të jepte dorëheqjen në rast se do të ishte në pamundësi të ushtrimit të detyrës, por duket se ky nuk është rasti shqiptar.
“Këshilli Bashkiak do të duhet të miratojë komandimin e një prej zv/kryetarëve aktualë, i cili propozohet nga kryetari. Pra, ligjërisht, çështja zgjidhet. Por dukshëm, kryetari dhe mazhoranca po e krijojnë këtë krizë për të thënë se Tirana është peng i arrestimit të kryetarit dhe për t’i bërë presion gjykatës për lirimin e tij.
Në çdo vend demokratik në botë, në raste të tilla, kryetari jep dorëheqjen, pasi ka pamundësi për ushtrimin e detyrës dhe të përgjegjësive funksionale afatgjata, deri në një vendim final të drejtësisë. Por ne jemi në Shqipëri dhe këtu ende nuk e kanë këtë standard.
Madje, edhe në rastin e Rrogozhinës, sipas ligjit, duhej të ishin zhvilluar zgjedhje të reja disa muaj më parë. Prefekti i ka dërguar një letër Këshillit të Ministrave dhe ky i fundit nuk e ka informuar ende zyrtarisht Presidentin dhe KQZ-në për të shpallur datën.
Pra, në rastin Veliaj, në emër të ligjit krijohet krizë dhe delegim pushteti; ndërsa në rastin e Rrogozhinës, duke injoruar ligjin, krijohet krizë dhe delegim pushteti”, tha Krasniqi për SHEKULLI-n.

Nga ana tjetër, SHEKULLI kontaktoi dhe me ish-prokurorin Eugen Beci, i cili tha se zgjidhja e ngërçit institucional në Bashkinë e Tiranës, nuk është në juridiksionin e Gjykatës së Lartë, dhe vendimmarja nuk duhet dhe nuk mund të ndikohet nga zhvillimet e fundit që lidhje me rastin Ristani. Beci u shpreh se ai është kundër masave të arrestit me burg, në fazën e hetimit, dhe ky është një qëndrim që e mban për çdo qytetar, jo vetëm për rastin Veliaj. Beci u shpreh mes të tjerave dhe mbi presionin tërthorazi që mund të bëhet për Gjykatën e Lartë, duke e vendosur përpara një përgjegjësie që nuk e ka për drejtimin e munguar të kryeqytetit.
“Nëse ky akt administrativ tentohet të lexohet apo të përdoret si argument për të kushtëzuar vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë, kjo përbën një qasje të rrezikshme, pasi krijon perceptimin e një presioni të tërthortë jashtëgjyqësor mbi trupën gjykuese. Gjykata duhet të qëndrojë rreptësisht te faktet procedurale penale dhe jo te lojërat administrative”, u shpreh mes të tjerave Beci për SHEKULLI-n.
SHEKULLI: Çfarë pritet nga vendimmarrja e Gjykatës së Lartë më 15 Shtator për çështjen Veliaj?
BECI: Gjykata e Lartë më 15 shtator, në thelb të kontrollit të ligjshmërisë, duhet të verifikojë nëse kanë ndryshuar rrethanat, nevojat e sigurimit apo kushtet ligjore mbi të cilat është vendosur dhe mbajtur masa e sigurimit ndaj zotit Veliaj. Është thelbësore të theksohet se çdo kërkesë për zëvendësimin apo revokimin e një mase sigurimi duhet të jetë në unison të plotë me ecurinë dhe nevojat reale të hetimit, si dhe me ekzistencën e provave apo fakteve të reja procedurale që mund të kenë lindur gjatë kësaj periudhe.
SHEKULLI: Si e vlerësoni mbajtjen e tij në burg deri tani, në një kohë kur Tirana është pa kryetar të zgjedhur apo të komanduar?
BECI: Kam qenë dhe mbetem koherent në qëndrimin tim profesional se arresti në burg është dhe duhet të mbetet një masë përjashtimore, extrema ratio, dhe kurrsesi një rregull apo masë e zakonshme. Edhe në këtë rast specifik, ashtu si për çdo qytetar tjetër, trajtimi duhet të udhëhiqet nga ky parim themelor i procesit penal. Sa i përket ngërçit institucional në administrimin e Tiranës, zgjidhja e këtij problemi nuk është kurrë detyrë e prokurorisë apo e organeve të drejtësisë; funksionimi dhe balanca e pushtetit vendor janë përgjegjësi ekskluzive e politikës dhe e institucioneve të tjera kushtetuese.
SHEKULLI: A do të ndikojë shkarkimi i zonjës Ristani në vendimin e Gjykatës së Lartë?
BECI: Në rrafshin formal administrativ, delegimi apo revokimi i kompetencave të zëvendëskryetarit është një e drejtë ligjore e titullarit të institucionit, ndonëse këtu shfaqet paradoksi i thellë juridik dhe administrativ i një kryetari që ushtron akte drejtimi e shkarkimi nga qelia e burgut. Megjithatë, nëse ky akt administrativ tentohet të lexohet apo të përdoret si argument për të kushtëzuar vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë, kjo përbën një qasje të rrezikshme, pasi krijon perceptimin e një presioni të tërthortë jashtëgjyqësor mbi trupën gjykuese. Gjykata duhet të qëndrojë rreptësisht te faktet procedurale penale dhe jo te lojërat administrative.
SHEKULLI: Çfarë parashikon vendimmarrja më e fundit e gjykatave (praktika/jurisprudenca) për masat e sigurimit personal?
BECI: Është e vërtetë që Gjykata e Lartë ka konsoliduar jurisprudencën e saj përmes vendimeve unifikuese lidhur me standardin e masave të sigurimit, por lind pyetja thelbësore: a është ky rasti konkret ku gjen zbatim i drejtpërdrejtë ai unifikim? Jurisprudenca unifikuese përgjithësisht lidhet me kriteret rigoroze gjatë caktimit fillestar të masës (ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm dhe kushteve të përgjithshme), ndërsa kërkesat e mëvonshme për zëvendësim apo shuarje mase i nënshtrohen një regjimi tjetër vlerësimi (nenet 260 e vijues të K.Pr.Penale), ku barra e provës qëndron te vërtetimi i zbutjes së nevojave të sigurimit. Për këtë arsye, mbetem skeptik nëse thirrja e përgjithshme në vendimet unifikuese për caktimin e masave do të përbëjë automatikisht një argument vendimtar për zëvendësimin e saj në seancën e 15 shtatorit.

Edhe avokati Edmond Petraj e konsideron vendimmarrjen e datës 15 Shtator një test të rëndësishëm, për drejtësinë shqiptare. Petraj tha se pika kryesore e vendimmarrjes do të jetë mënyra se si Gjykata e Lartë do të argumentojë qëndrimin që do të mbajë, në secilin prej skenareve të mundshëm për Veliajn. Petraj shprehet se Gjykata Kushtetuese në vendimmarrjen e saj, në rast të lënies në fuqi të masës së arrestit me burg, duhet të provojë se çfarë rreziqesh paraqet lirimi i Veliajt, përfshirë prishja e provave apo intimidimi i mundshëm i dëshmitarëve, ndërsa sipas tij zhvilimet e fundit në drejtimin e Tiranës, janë me karakter politilk, dhe nuk duhet të jenë shkak për të ndikuar në procesin juridik. “Nëse Veliaj duhet të qëndrojë në burg, le të qëndrojë mbi bazën e një vendimi të pakontestueshëm juridik. Nëse duhet të dalë, le të dalë po mbi bazën e ligjit. Por në të dyja rastet, vendimi duhet të jetë aq i argumentuar sa të mos ketë nevojë për shpjegime politike nga askush. Kjo, për mua si avokat, është standardi minimal që duhet të kërkojmë nga drejtësia”, shprehet mes të tjerave Petraj në intervistën për SHEKULLI-n.
SHEKULLI: Zoti Petraj, Gjykata e Lartë pritet të marrë një vendim më 15 shtator për çështjen e Erion Veliajt. Çfarë prisni nga kjo vendimmarrje?
Avokat Edmond Petraj: Unë do të doja ta shihja 15 shtatorin jo thjesht si një datë kalendarike, por si një moment të rëndësishëm për standardin e drejtësisë shqiptare. Gjykata e Lartë nuk duhet të mendojë për personin Erion Veliaj si politikan, por për një person që ndodhet nën një masë sigurimi personal dhe për të cilin duhet të vlerësohen kushtet ligjore të kësaj mase.
Pyetja themelore është shumë e thjeshtë: a ekzistojnë sot, në mënyrë konkrete dhe të individualizuar, arsyet që justifikojnë vazhdimin e arrestit në burg? Nëse po, gjykata duhet t’i argumentojë ato qartë. Nëse jo, atëherë masa duhet rishikuar. Kjo është drejtësia. Jo simpatia politike, jo antipatia politike dhe as presioni i opinionit publik.
SHEKULLI: Pra, sipas jush, Gjykata e Lartë duhet të jetë veçanërisht e kujdesshme në arsyetimin e vendimit?
Avokat Edmond Petraj: Absolutisht. Në një proces penal, nuk mjafton të thuash se ekziston një hetim serioz ose se akuzat janë të rënda. Duhet të analizosh pse, pikërisht për këtë person dhe në këtë fazë të procedimit, masa më e rëndë e sigurimit është ende e domosdoshme. Arresti në burg nuk është dënim paraprak. Ky është një parim themelor që nuk mund të humbasë në asnjë dosje, pavarësisht se kush është personi që ndod het në qeli. Dhe pikërisht këtu unë e shoh përgjegjësinë e Gjykatës së Lartë: të tregojë me arsyetim juridik se ku përfundon nevoja e hetimit dhe ku fillon cenimi i panevojshëm i lirisë personale.
Pyetje: Si e shihni mbajtjen e Veliajt në burg deri tani, ndërkohë që Tirana aktualisht është pa një kryetar të zgjedhur apo të komanduar?
Avokat Edmond Petraj: Këtu duhet bërë një ndarje shumë e qartë. Unë nuk them se një kryetar bashkie duhet të lirohet sepse qyteti ka nevojë për të. Kjo do të ishte një qasje politike, jo juridike. Por as nuk mund të pranojmë që një masë sigurimi personal të shndërrohet indirekt në mekanizëm për të krijuar një situatë të zgjatur vakumi institucional. Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe funksionimi i saj institucional nuk mund të jetë peng i një mase sigurimi që duhet të ketë karakter procedural. Gjykata duhet të pyesë: cili është rreziku konkret që justifikon burgimin?
Nëse përgjigjja është se personi mund të ndikojë në prova apo dëshmitarë, atëherë duhet të provohet se ky rrezik ekziston realisht. Nëse rreziku mund të eliminohet me një masë tjetër, atëherë duhet të analizohet proporcionaliteti. Kjo është pikërisht ajo që unë do të kërkoja si avokat në çdo çështje: jo privilegj për klientin, por zbatim të njëjtë të ligjit.
SHEKULLI: A mendoni se shkarkimi i zonjës Ristani mund të ndikojë në vendimin e Gjykatës së Lartë?
Avokat Edmond Petraj: Mund të merret në konsideratë vetëm nëse ka lidhje konkrete me arsyet që kanë justifikuar masën e sigurimit. Por do të ishte juridikisht e gabuar të ndërtohej një ekuacion automatik: Ristani u shkarkua = Veliaj duhet të lirohet. Por është po aq e gabuar edhe e kundërta, Veliaj ishte kryetar bashkie = Veliaj duhet të qëndrojë në burg. Asnjëra nuk është drejtësi. Gjykata duhet të analizojë situatën aktuale, jo thjesht rrethanat që kanë ekzistuar në momentin e vendosjes së masës.
SHEKULLI: Çfarë parashikon standardi i ri për masat e sigurimit dhe çfarë duhet të bëjë gjykata?
Avokat Edmond Petraj: Standardi duhet të jetë individualizimi. Nuk mund të kemi arsyetime stereotipe, në dhjetë faqe përsëriten të njëjtat formula dhe në fund thuhet se “ekzistojnë kushtet e masës”. Gjykata duhet të përgjigjet për çdo element thelbësor:
Cili është rreziku?
Sa është aktual?
Pse është konkret?
Pse nuk mjafton një masë më e butë?
Dhe pse burgimi është proporcional me këtë rrezik?
Nëse këto pyetje nuk marrin përgjigje, atëherë kemi problem me arsyetimin e vendimit. Si avokat, unë nuk pranoj konceptin që masa e sigurimit të kthehet në një lloj “dënimi paraprak”.
SHEKULLI: A mendoni se kjo çështje ka marrë një dimension më të gjerë se vetë Erion Veliaj?
Avokat Edmond Petraj: Pa diskutim. Unë nuk e shoh çështjen Veliaj vetëm si një konflikt mes një politikani dhe sistemit të drejtësisë. E shoh si një provë për standardin që do të përdorë drejtësia shqiptare. Sepse sot është Erion Veliaj. Nesër mund të jetë një deputet. Pasnesër një biznesmen. Dhe një ditë mund të jetë një qytetar që nuk ka asnjë pushtet dhe asnjë mundësi të bëjë zhurmë publike. Prandaj standardi duhet të jetë i njëjtë.
Drejtësia nuk duhet të jetë e fortë me të fortët dhe e dobët me të dobëtit. Por as e fortë me të fortët vetëm për të treguar forcën e saj. Drejtësia duhet të jetë e fortë me ligjin.Dhe pikërisht këtë pres nga e Lartë më 15 shtator.
Nëse Veliaj duhet të qëndrojë në burg, le të qëndrojë mbi bazën e një vendimi të pakontestueshëm juridik. Nëse duhet të dalë, le të dalë po mbi bazën e ligjit. Por në të dyja rastet, vendimi duhet të jetë aq i argumentuar sa të mos ketë nevojë për shpjegime politike nga askush. Kjo, për mua si avokat, është standardi minimal që duhet të kërkojmë nga drejtësia.

Përtej qëndrimeve të juristëve, që shprehen se vendimmarrja e Gjykatës së Lartë duhet të jetë ekskluzivisht e mbështetur vetëm në ligj, fakt mbetet që drejtimi i Bashkisë më të madhe të vendit mbetet jetim. Prej ditës së djeshme në media janë hedhur hipotezat e një kolapsi financiar në Bashki, për shkak se askush nuk është i autorizuar të firmosë shkresat që i takojnë si e drejtë dhe detyrim vetëm titullarit të institucionit.
Interesant në fakt ka qenë dhe qëndrimi i mbajtur nga kryeministria pas shkarkimit të Ristanit, duke thënë se delegimi i kompetencave është e drejtë e Erion Veliajt, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar që e la atë në detyrë, pavarësisht burgosjes. Tashmë të gjithë sytë janë te Gjykata e Lartë, dhe te treshja e gjyqtarëve, që nuk ka në dorën vetëm fatin e Veliajt, të paktën për muajt e ardhshëm, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës së Posaçme, por edhe fatin e qeverisjes së kryeqytetit të vendit, ku është i vendosur potenciali më i madh ekonomik i vendit.
SHEKULLI tentoi që të merrte një qëndrim dhe nga zonja Anuela Ristani, në lidhje me shkarkimin e saj nga Veliaj, por deri në publikimin e këtij artikulli ajo refuzoi të bënte një koment, përtej atij të publikuar në rrjetet e saj sociale, që njoftonte divorcin përfundimtar me Bashkinë e Tiranës, ku hyri si zëvendëse e Veliajt, dhe doli si e shkarkuar prej tij nga burgu. /SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/