Përplasja diplomatike dhe ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë ka kaluar edhe në një terren të pazakontë: emërtimin e vendeve gjeografike.
Në qendër të debatit është Liqeni Ontario, një nga pesë Liqenet e Mëdha të Amerikës së Veriut, me një sipërfaqe prej më shumë se 19 mijë kilometrash katrorë.
Ai përbën një kufi natyror mes dy vendeve dhe është një burim me rëndësi të madhe ekologjike dhe ekonomike për të dyja palët.
Debati nisi pas një urdhri ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump, i cili përcaktoi ndryshimin e emrit të liqenit Ontario në “Lake America”, ose “Liqeni i Amerikës”.
Vendimi erdhi në një periudhë tensioni të fortë mes Uashingtonit dhe Otavës, të përshkallëzuar nga tarifat amerikane prej 50 për qind ndaj çelikut kanadez dhe masat kundërpërgjigjëse të Kanadasë.
Ndryshimi pati pasoja edhe në hartat dixhitale. Google Maps përditësoi emërtimin duke ndjekur vendimin e autoriteteve amerikane, përfshirë Bordin Amerikan për Emrat Gjeografikë, institucioni federal që përcakton standardet zyrtare të emërtimit në Shtetet e Bashkuara.
Por emri që shfaqet në hartë varet nga vendndodhja e përdoruesit: në SHBA shfaqet “Lake America”, në Kanada vazhdon të përdoret “Lake Ontario”, ndërsa në pjesën tjetër të botës shfaqen të dy emërtimet.
Një situatë e ngjashme u krijua edhe pas vendimit amerikan për ta quajtur Gjirin e Meksikës “Gjiri i Amerikës”. Kanadaja e ka kundërshtuar hapur ndryshimin.
Kryeministri Mark Carney ka mbrojtur emrin historik “Ontario”, i cili rrjedh nga një term i popullit indigjen Wendat dhe lidhet me kuptime si “liqeni është i bukur” ose “liqeni i madh”.
Edhe kreu i komunitetit Wendat, Pierre Picard, e ka cilësuar vendimin amerikan si një akt të njëanshëm që rrezikon të anashkalojë historinë, kulturën dhe identitetin e popujve indigjenë.
Në kundërpërgjigje, kryeministri i provincës Ontario, Doug Ford, vendosi pranë Grimsby një tabelë gjigante me mesazhin: “Lake Ontario. Now and Always” – “Liqeni Ontario. Tani dhe përgjithmonë”.
Por kush e ka në të vërtetë të drejtën të vendosë emrin e një vendi? Përgjigjja është më e ndërlikuar nga sa duket. Nuk ekziston një autoritet ndërkombëtar që mund t’u imponojë shteteve një emërtim të vetëm.
Grupi i Ekspertëve të Kombeve të Bashkuara për Emrat Gjeografikë, UNGEGN, punon për standardizimin dhe harmonizimin e toponimeve, por nuk ka kompetencë ligjore për t’i detyruar shtetet të pranojnë një emër të caktuar.
Pra çdo shtet përcakton emërtimet që përdor në territorin dhe hartat e veta, ndërsa platformat globale si Google Maps duhet të përshtaten me këtë realitet. \tesheshi.com\










