Miley Cyrus heq mbiemrin nga rrjetet sociale dhe paralajmëron albumin e ri
3 September, 2026 - 16:07
Miley Cyrus ka tërhequr vëmendjen e fansave pas një ndryshimi të papritur në rrjetet sociale, duke hequr mbiemrin „Cyrus“ nga emri i saj publik.
Më 31 gusht, këngëtarja ndryshoi emrin e profilit në rrjetet sociale, duke përdorur vetëm „Miley“. Në të njëjtin postim ajo publikoi një fotografi me tonalitete të kuqe dhe shkroi „MILEY“ me shkronja të mëdha.
Ndryshimi erdhi vetëm një ditë para njoftimit për albumin e saj të ri, „Bass Persuades“, i cili pritet të publikohet më 18 shtator.
„Muzika na pushton. E ndiejmë, e këndojmë, ndonjëherë kërcejmë me të, e nxjerrim nga vetja dhe vazhdojmë përpara. Ajo është e fuqishme, e brishtë, e ëmbël dhe e fortë“, shkroi Cyrus, duke shpjeguar edhe kuptimin që titulli i albumit ka për të.
Këngëtarja ndau gjithashtu një video ku shihet duke luajtur kitarë elektrike, duke dhënë një ide për tingullin e projektit të ri.
Përveç albumit, Cyrus njoftoi edhe dy koncerte në Hollywood Bowl në Los Angeles, të planifikuara për muajin tetor. „Los Angeles është zemra ime dhe po e sjell muzikën në shtëpi“, shkroi ajo.
Ndërkohë, ndryshimi i emrit ka bërë që disa fansa të spekulojnë se heqja e mbiemrit mund të lidhet me marrëdhënien e saj me të atin, këngëtarin Billy Ray Cyrus, me të cilin ka pasur një marrëdhënie të tensionuar vitet e fundit.
Megjithatë, Miley kishte deklaruar në podcastin „Reclaiming“ vitin e kaluar se familja e saj kishte arritur të kapërcente një periudhë të vështirë. „Gjysma prej nesh në një moment nuk flisnim me njëri-tjetrin dhe i rregulluam të gjitha“, kishte thënë ajo, duke shtuar se kishte mësuar rëndësinë e zgjidhjes së problemeve brenda familjes./KultPlus.com



