La Fazani, zëri shqiptar që po përfaqëson Kosovën në skenat ndërkombëtare

4 September, 2026 - 11:50

Artisti, kantautori dhe producenti nga Prishtina, La Fazani, po zgjeron gjithnjë e më shumë praninë e tij në skenat muzikore evropiane, duke e bërë gjuhën shqipe pjesë qendrore të performancave të tij ndërkombëtare.

Pas një serie paraqitjesh në festivale dhe platforma muzikore në Francë, Estoni, Gjermani, Maqedoni të Veriut, Bullgari dhe vende të tjera evropiane, La Fazani do të performojë këtë shtator në Station Narva në Estoni, ndërsa në tetor do të jetë pjesë e Waves Vienna në Austri, një prej festivaleve dhe konferencave të rëndësishme të industrisë muzikore në Evropë.

Rrugëtimi i tij ndërkombëtar përfshin edhe pjesëmarrjen në FIMU – Festival International de Musique Universitaire në Francë dhe Tallinn Music Week në Estoni, krahas koncerteve dhe festivaleve të tjera në rajon dhe Evropë.

Veçantia e La Fazanit qëndron edhe në mënyrën se si ai e prezanton muzikën e tij jashtë Kosovës. Artisti nuk e ndryshon gjuhën e repertorit për t’iu përshtatur publikut ndërkombëtar. Përkundrazi, këngët në shqip janë në qendër të performancës, duke e shndërruar gjuhën dhe identitetin kulturor në pjesë të pandashme të shprehjes së tij artistike.

Muzika e tij ndërthur hip-hopin alternativ, rock-un, elektronikën dhe elemente të muzikës tradicionale shqiptare. Tekstet, të shkruara në dialektin gegë dhe shpesh të pasura me slang-un dhe të folmen e përditshme të Prishtinës, krijojnë një univers lirik të rrënjosur në realitetin urban kosovar.

„Me performu ndërkombëtarisht në shqip për mu nuk është një pengesë që duhet me e kapërcy. Shqipja është pikërisht ajo që du me marrë me veti në këto skena. Muzika mundet me qenë lokale në gjuhë dhe identitet, por e ka aftësinë me qenë universale në emocion dhe energji“, ka thënë La Fazani.

Artisti u bë fitues i Festivalit të Këngës në RTK me këngën „Oj Kosovë“, ndërsa në vitin 2026 publikoi albumin „Specie Turshi“. Në të njëjtin vit ai nisi edhe ciklin e ri të projekteve „Ekstrovert“ dhe „Introvert“, përmes të cilave vazhdon të eksplorojë një identitet muzikor që lëviz mes disa zhanreve.

Në skenën vendore, La Fazani ka shënuar sukses edhe me këngën „A e din ti kush jom une?“, e cila arriti në vendin e parë të toplistave muzikore.

Nga Prishtina drejt skenave evropiane, La Fazani po ndërton një profil artistik ku muzika në shqip nuk prezantohet thjesht si një produkt lokal në një skenë të huaj, por si një identitet muzikor që synon të komunikojë përtej kufijve gjuhësorë dhe kulturorë./KultPlus.com

Të ngjashme