Kosova merr flamurin e Lojërave Mesdhetare, nis rrugëtimi drejt Prishtinës 2030
4 September, 2026 - 09:00
Në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Mesdhetare „Taranto 2026“, Kosovës iu dorëzua zyrtarisht flamuri i Lojërave Mesdhetare, duke shënuar kalimin e organizimit te nikoqiri i ardhshëm, Prishtina 2030.
Flamurin e pranoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një moment simbolik që shënon nisjen zyrtare të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë.
Para më shumë se 20 mijë shikuesve në stadium, flamuri i Kosovës u ngrit përkrah flamurit të Italisë dhe atij të Lojërave Mesdhetare. Flamurin e Kosovës e dorëzoi basketbollisti Adhurim Alijaj, ndërsa ngritja e tij u shoqërua me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës.
Gjatë ceremonisë u shfaq edhe videoja promovuese e „Prishtina 2030“, përmes së cilës u prezantua para publikut nikoqiri i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare.

Para momentit të dorëzimit të flamurit, Kosovën në ceremoninë mbyllëse e përfaqësuan si flamurmbajtës karateistët Islam Selmani dhe Fortesa Orana.
Në stadium ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me presidentin Ismet Krasniqi.
Pas përfundimit të „Taranto 2026“, vëmendja tashmë zhvendoset te Kosova, e cila do të presë edicionin e ardhshëm të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030./KultPlus.com




