Albulena Haxhiu pret korin „Siparantum“ pas suksesit në Kuala Lumpur
4 September, 2026 - 12:53
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur anëtarët e korit „Siparantum“, pas suksesit të tyre në Kuala Lumpur, ku fituan dy medalje të arta dhe një çmim special.
Haxhiu tha se kori u përfaqësua me vepra që përcjellin muzikën, kulturën dhe historinë shqiptare, duke vënë në pah edhe praninë e kompozitorëve shqiptarë në repertorin e „Siparantum“-it.
„Përballë më shumë se 200 koreve nga vende të ndryshme të botës, ata u paraqitën me vepra që bartin muzikën, kulturën dhe historinë tonë“, shkroi Haxhiu.
Ajo përgëzoi të gjithë anëtarët e korit, ndërsa vlerësoi në veçanti dirigjentin dhe kompozitorin Memli Kelmendi për punën dhe përkushtimin në zhvillimin e „Siparantum“-it dhe afirmimin e tij në skenën ndërkombëtare.
Kori nga Kosova u vlerësua në Kuala Lumpur për interpretimet e tij, duke e prezantuar muzikën shqiptare para një publiku ndërkombëtar.
„Uroj që të vazhdojnë ta nderojnë Kosovën me punën dhe sukseset e tyre“, përfundoi Haxhiu./KultPlus.com



