“Rebelim dhe kujtesë” nga Ardianë Pajaziti me rrëfime që bëhen dëshmi, e me kujtesë që bëhen histori

3 September, 2026 - 20:21

Dilara Sollova
Foto: Sevdail Sulejmani

Ka dëshmi që nuk shkruhen thjesht me bojë, por me dhimbje, me rezistencë dhe me një jetë të tërë të mbajtur mbi supe. Ka histori që nuk kërkojnë vetëm të lexohen, por të dëgjohen me kujdes, sepse pas tyre qëndrojnë gra që kanë kaluar kufij, kanë përballuar luftëra, burgje, ndarje, humbje, mërgim, heshtje dhe sisteme që shpesh nuk ua kanë njohur as zërin, e jo më meritat. Në 13-vjetorin e themelimit të KultPlus, promovimi i librit më të ri të gazetares dhe autores Ardianë Pajaziti, “Rebelim dhe kujtesë”, u shndërrua pikërisht në një mbrëmje të tillë: një mbrëmje ku libri nuk u prezantua vetëm si një vepër e re, por si një kujtesë e gjallë, e cila kishte marrë fytyra, zëra dhe emocione.

Në një tavolinë ku ishin mbledhur autorja, botuesi, moderatori, aktorja dhe disa prej vetë grave që i kanë besuar Pajazitit historitë e tyre, libri dukej sikur kishte dalë për pak nga faqet. Gratë për të cilat është shkruar nuk ishin më vetëm emra në kapituj. Ato ishin aty. Me kujtimet e tyre. Me plagët e tyre. Me heshtjet që ndonjëherë flasin më shumë se fjalët. Me praninë e tyre, e cila i dha promovimit një peshë tjetër, sepse rrëfimet nuk po diskutoheshin në mungesë të atyre që i kishin jetuar, por përballë tyre.

Dhe pikërisht në faqen e parë të këtij libri gjendet një fjali që duket sikur hap derën e të gjitha këtyre historive: “Për dallim prej burrave, suksesit të të cilëve u duartrokasin aty për aty, për gratë, shpeshherë, duartrokitjet dëgjohen pas 100 vjetësh.” Nuk është thjesht një fjali hyrëse. Është një konstatim mbi mënyrën se si historia ka zgjedhur të kujtojë. Një vërejtje mbi vonesën me të cilën shoqëria i njeh gratë, mbi atë padrejtësi të heshtur ku një gruaje shpesh i duhet një jetë e tërë për t’u parë, ndërsa një burri mund t’i mjaftojë një moment për t’u shpallur.

Sepse shumë prej grave që kanë ndryshuar rrjedhën e familjeve, shoqërisë, kulturës e historisë, nuk kanë pasur luksin e duartrokitjeve në kohën kur i kanë bërë betejat e tyre. Ato kanë luftuar ndërsa të tjerët shikonin. Kanë punuar ndërsa të tjerët merrnin meritat. Kanë mbajtur familje, kanë përballuar regjime, kanë kaluar kufij, kanë ruajtur kujtime dhe kanë mbijetuar humbje, shpesh pa e ditur nëse dikush do ta tregonte ndonjëherë historinë e tyre.

Disa prej tyre janë njohur publikisht. Disa janë bërë pjesë e historisë. Por ajo që i bashkon nuk është fama. Është ajo që kanë mbajtur mbi vete.

Kjo është arsyeja pse fjalia e Ardianë Pajazitit tingëllon edhe si një paralajmërim për atë që gjendet në nëntë rrëfimet e librit. Sepse “Rebelim dhe kujtesë” nuk kërkon vetëm t’u japë grave një vend në faqe. Ai kërkon të kthejë në kujtesë atë që mund të humbiste përgjithmonë. Nëse duartrokitjet për gratë vijnë pas 100 vjetësh, atëherë ky libër duket si një përpjekje për të mos i lënë ato duartrokitje të vijnë tepër vonë.

Në këto nëntë rrëfime kalojnë dekada të tëra të historisë shqiptare: nga ndarjet e kufirit jugosllavo-shqiptar e letrat e shkruara për vite me radhë, te lufta, migrimi, komunizmi, vitet ’80 dhe ’90, burgjet, humbjet dhe përpjekjet e vazhdueshme për të mos u dorëzuar. Por historia këtu nuk tregohet nga tribunat e mëdha dhe as vetëm përmes emrave që tashmë janë vendosur në librat e historisë. Ajo kalon përmes jetëve të grave. Përmes asaj që kanë parë me sytë e tyre, që kanë humbur, që kanë dashur, që kanë pritur dhe që kanë zgjedhur të mos e harrojnë.

Vetë parathënia e autores e vendos këtë libër në një hapësirë shumë më të gjerë se një përmbledhje intervistash. Pajaziti shkruan se gratë që ka përzgjedhur në këto bashkëbisedime, “shumicën prej tyre, fati i ka gërryer në dy shekuj”. Dhe pikërisht kjo është ajo që e bën librin të veçantë: ato nuk janë thjesht dëshmitare të kohës së tyre. Ato janë gra që kanë kapërcyer prej një shekulli në tjetrin, duke mbartur në trup e në kujtesë pasojat e një historie që nuk ka qenë gjithmonë e mëshirshme ndaj tyre.

“E të kapërcesh prej një shekulli në shekullin tjetër, jo si gra të zakonshme, por si gra që shqyen mentalitetin dhe në lëkurën e tyre bartën edhe pasojat, e po me atë lëkurë mbështollën për gjithë jetën edhe njerëzit që i rrethuan”, shkruan autorja, duke i quajtur ato “gra uragan”. Dhe ndoshta nuk ka përkufizim më të saktë për këto nëntë jetë.

Sepse njëra prej tyre, vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe, “theu” kufirin jugosllavo-shqiptar dhe për nëntë vjet korrespondoi përmes një mijë letrash me familjen. Një tjetër rrëfen dhimbjen e një nëne nga Shqipëria, e cila pas martesës u nda nga familja e saj kur kufiri u mbyll dhe nuk arriti ta shihte më kurrë. Një tjetër përballet me historinë e arkeologjisë, politikës dhe me dhimbjen e të qenit e anashkaluar edhe në rrëfimet që duhej ta kishin zërin e saj në qendër.

Pastaj është historia e një gruaje që e ka njohur luftën jo nga larg, por në lëkurën e saj; e një gruaje që vite më vonë do të hynte në politikë dhe, kur kandidoi për deputete, vendosi vathët e nënës së saj. Është historia e një dere në Beograd që ishte e hapur për shumë shqiptarë. Është historia e një shkrimtareje që thotë: “Nuk shkruaj shqip, se ngrihen demonët e së kaluarës.” Është historia e një gruaje që ende jeton me një pyetje të pambyllur për një njeri të dashur dhe thotë: “Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindur që ka vdekur Agimi.” Është historia e një gruaje që jetoi gati pesë dekada me Bekim Fehmiun dhe që, pas vdekjes së tij, ndjeu se u shua edhe një pjesë e saj. Dhe është historia e një gruaje që thotë se ka luftuar kundër Serbisë, por njëkohësisht ka luftuar edhe me “ndërskamcat e brendshme”.

Në këtë mozaik, lufta është e pranishme, por libri nuk është vetëm libër për luftën. Është libër për atë që vjen para saj, për atë që mbetet pas saj dhe për atë që historia zyrtare shpesh nuk arrin ta mbajë. Është libër për gratë, por përmes tyre është edhe një libër për një popull që ka kaluar kufij, regjime, ndarje, zhdukje dhe vdekje.

Promovimi i tij në përvjetorin e KultPlus e bëri këtë lidhje edhe më simbolike. Një platformë që prej 13 vitesh dokumenton kulturën, artin dhe njerëzit që e ndërtojnë atë, e shënoi përvjetorin duke sjellë në qendër një vepër që vetë merret me dokumentimin. Sikur kujtesa e një institucioni kulturor takohej me kujtesën e nëntë grave.Në një anë të mbrëmjes ishte libri, ndërsa në anën tjetër ishin vetë disa prej grave që i kanë dhënë atij zë. Edita Tahiri, Luljeta Pula, Ferdeze Mujaj Sadiku dhe Shukrije Ramadani ishin aty, të pranishme në një hapësirë ku historitë e tyre nuk po lexoheshin nga larg, por po ktheheshin në bisedë në praninë e tyre. Bashkë me Ardianën, në panel ishin Ag Apolloni, themelues i Bard Books, moderatori Arbër Selmani dhe aktorja Aurita Agushi, e cila më pas do t’i kthente disa prej rrëfimeve në zë.

Ishte një nga ato raste të rralla kur personazhet e një libri nuk janë vetëm emra në faqet e tij. Ata janë në sallë. Janë aty, në të njëjtën hapësirë ku lexuesi mund t’i imagjinojë nga një fotografi apo nga një fjali. E kjo e ndryshon krejtësisht atmosferën e një promovimi. Sepse “Rebelim dhe kujtesë” nuk është shkruar nga largësia.

Është shkruar nga tavolinat ku njerëzit janë ulur përballë njëri-tjetrit. Nga bisedat që kanë zgjatur me orë. Nga kujtimet që janë kthyer pas dekadash. Nga fytyrat që ndryshojnë kur një emër i vjetër përmendet. Nga heshtjet që ndonjëherë flasin para fjalëve.

Rruga e këtij libri ka nisur në vitin 2019. Rrëfimi i fundit është realizuar në vitin 2025. Gjashtë vite që nuk kanë kaluar si një vijë e drejtë drejt botimit, por si një rrjet takimesh, njohjesh dhe rikthimesh, ku secila histori ka pritur kohën e vet për të ardhur.

“Ky rrugëtim ka filluar që në vitin 2019, edhe rrëfimi i fundit që është realizuar në këtë libër është viti 2025. Qysh po shihet nga distanca, nuk jam një tip që ngutem”, ka thënë për fillim Ardiana. Ndoshta për këtë arsye, asnjë nga këto histori nuk është marrë nga një ekran. Asnjë intervistë nuk është realizuar në format elektronik. Ardiana ka dashur të ishte aty. Përballë personit. Të shihte sytë. Të shihte lëvizjen e duarve, ndryshimin e fytyrës, atë çastin kur një njeri kujton diçka që e ka shtyrë për vite të tëra në një cep të mendjes. Në një intervistë të bërë në distancë mund të ruhet fjala, por jo gjithmonë mund të ruhet gjithë ajo që ndodh përpara se fjala të dalë. Prandaj takimet janë zhvilluar aty ku gratë kanë zgjedhur të jenë: në kafene, në shtëpi, në zyra, në vende pune, në parqe. Hapësira të zakonshme që gjatë një interviste mund të bëhen vende rrëfimi.

Në disa prej atyre takimeve ka pasur edhe lot. Nuk kanë qenë biseda ku gazetari pyet dhe personi përgjigjet vetëm për të mbushur një tekst. Në shumë raste, jeta ka hyrë e para dhe intervista ka ndjekur pas. Dhe një takim i veçantë do të bëhej pikë kthese. Ferdeze Mujaj Sadiku kishte hyrë në këtë rrugëtim përmes një rasti. Një mike e përbashkët që jeton në Kanada kishte dashur të takohej fizikisht me Ardianën dhe kishte ardhur bashkë me Ferdezen. Në të njëjtën kohë, një grua tjetër kishte caktuar po atë ditë një takim me autoren. Në vend që takimet të ndaheshin, të trija u ulën në të njëjtën tavolinë. Dhe tavolina u bë më e madhe se qëllimi i saj fillestar.

Tri gra të së njëjtës moshë nisën të rrëfehen. U fol për forcën, për ikjen, për ëndrrat, për jetët e tyre, për atë që kishin lënë pas dhe për atë që kishin arritur të ndërtonin. Në një moment, biseda nuk kishte më nevojë për pyetje. Gratë po e gjenin njëra-tjetrën përmes kujtimeve. Ardiana, që kishte shkuar për t’i dëgjuar, u bë dëgjuese.

“Unë u përjashtova prej takimit, se këto të trija e gjetën atë forcën e tyre, ikjen e tyre, realizimin e andrrave.” Dy prej tyre nuk do të hynin në librin përfundimtar. Por ai takim i tregoi autores diçka që do të mbetej me të gjatë gjithë procesit: sa shumë histori mund të fshihen pas grave që jetojnë pranë nesh, nëse dikush ka kohë të ulet me to dhe të dëgjojë.

Dy javë më vonë, ajo u kthye te Ferdezja dhe e realizoi intervistën. Aty nis të kuptohet më qartë se si është ndërtuar ky libër. Jo si një projekt ku numri nëntë është vendosur përpara historive, por si një grumbullim i historive që, pasi erdhën njëra pas tjetrës, krijuan vetë numrin.

Libri nuk ishte planifikuar fillimisht. Ka ardhur vetë. Është bërë në proces. “Libri u bë vetë, librin e bënë këto zonja.” Dhe kjo fjali mbetet si një nga ato pak fjali që e tregojnë thjesht origjinën e një vepre të tërë. Sepse ajo që ndodh në “Rebelim dhe kujtesë” është se drama nuk është ndërtuar nga autorja. Drama ka ndodhur në jetën e grave shumë kohë përpara se të uleshin në një tavolinë me të.

Ajo që i është dashur Ardianës ka qenë ta dëgjojë, ta mbledhë, ta ruajë dhe t’i japë formë. Secila prej këtyre grave, me kalimin e kohës, ka pushuar së qeni vetëm një intervistë. Është bërë pjesë e një kujtese që tash lidhet edhe me vetë autoren. “Secilën prej tyre e ndjej diçka që më përket mua, që këto zonja janë edhe të mijat tash”, thotë tutje Ardiana.

Nëntë histori dalin kështu nga nëntë jetë krejt të ndryshme. Ferdeze Mujaj Sadiku, gjashtëmbëdhjetëvjeçare kur kaloi kufirin jugosllavo-shqiptar, mbart historinë e një ndarje që vazhdoi me vite, përmes rreth një mijë letrave të dërguara familjes.

Edita Tahiri sjell një histori që nuk mbyllet te figura e njohur publike, por kalon te përjetimet dhe kujtesa e një periudhe të tërë.
Edi Shkriu vjen me historinë e dhimbshme të një nëne nga Shqipëria dhe të një kufiri të mbyllur që e ndau nga familja.
Saranda Bogujevci sjell kujtesën e luftës, por edhe rrugëtimin e saj të mëvonshëm në jetën publike të Kosovës.
Valbona Pula Petrovci hap një derë drejt Beogradit, përmes kujtimit të një shtëpie ku shumë shqiptarë kishin gjetur derën të hapur.
Ornela Vorpsi flet për një gjuhë të lidhur me hijet e së kaluarës, për atë shqipen që nuk vjen vetëm me fjalë, por me kujtime.
Shukrije Ramadani mbart historinë e saj pranë Agimit, me një mungesë që nuk është mbyllur me një përgjigje të prerë.
Branka Petriç sjell gati pesë dekada pranë Bekim Fehmiut dhe atë zbrazëti që mbetet kur një jetë e përbashkët ndërpritet.
Ndërsa Luljeta Pula sjell një tjetër lloj beteje, një luftë që nuk kufizohet te përballja me Serbinë, por vazhdon edhe nëpër ndërskamca të brendshme.

Nëse këto histori shihen vetëm si nëntë portrete, humbet pjesa më e madhe e asaj që ato sjellin. Sepse secila prej tyre është një dritare tjetër mbi një kohë të përbashkët.

Në njërën ka kufi. Në tjetrën ka burg. Në tjetrën migrim. Në një tjetër luftë. Diku ka komunizëm. Diku një familje të ndarë. Diku një njeri që nuk kthehet. Diku një derë e hapur. Diku një gjuhë që bëhet vendi ku ruhen plagët.

Kjo është arsyeja pse historia në këtë libër nuk ecën vetëm nga viti në vit. Ajo ecën nga njeriu te njeriu. Në këtë proces, botimi fizik i këtyre intervistave merr një rëndësi të veçantë. Shumë prej tyre kishin qenë publikuar më parë në portale. Por interneti e ka një ritëm tjetër: ajo që sot është në krye, nesër mund të jetë e varrosur nën dhjetëra e qindra materiale të reja. Një tekst mund të humbasë, një arkiv mund të ndryshojë, një faqe mund të zhduket. Libri e ndal këtë rrjedhë.

Ag Apolloni, si themelues i Bard Books, e sheh pikërisht këtu njërën nga arsyet kryesore pse këto intervista duhej të mblidheshin në një vëllim. “Shpeshherë nëpër portale intervistat fshihen, zhduken, tekstet nuk gjinden më dhe kur është i botuar kështu në formë fizike është diçka tjetër. Kam qenë i fascinuar me historitë e këtyre rrëfimeve,  dhe ajo se çfarë kam thënë për librin në kopertinë është se çdo histori ka material potencial që të kthehet në film, dhe mendoj se njohja dhe leximi i këtyre historive është edhe njohje e historisë së vërtetë te Kosoves”, ka thënë Ag Apolloni, i cili ka vlerësuar të nëntë rrëfimet, por duke vënë theksin edhe te rrëfimi i bashkëshortes së Bekim Fehmiut, Branka Petric, ku Apolloni ka thënë se nëpërmjet këtij rrëfimi, libri kalon kufijtë gjeografik, sikurse që ka kujtuar edhe faktin tjetër, se nëpërmjet rrëfimeve të këtyre grave, lexuesit nuk njohin vetëm gratë, por edhe burrat, ku disa prej protagonisteve kanë sjell rrëfimet edhe për bashkëshortët e tyre. 

Disa prej këtyre intervistave ai i kishte lexuar më herët dhe kishte parë aty materialin e një libri me peshë. Jo thjesht sepse fliste për gra, por sepse sillte këndvështrime të ndryshme dhe e plotësonte historinë e Kosovës nga anë të ndryshme, herë më të njohura e herë të lëna më shumë në skaj. Në këtë kuptim, libri nuk kërkon ta zëvendësojë historinë që njohim.

E zgjeron. I shton zëra. I jep historisë një tjetër afërsi. Sepse historia e një vendi nuk është vetëm historia e institucioneve, figurave politike apo ngjarjeve të mëdha. Është edhe historia e asaj që ka ndodhur brenda shtëpive, familjeve, burgjeve, kufijve dhe jetëve të zakonshme të njerëzve. Dhe këtu vjen edhe një tjetër shtresë e rëndësishme: dokumentimi.

Biseda mori një peshë të veçantë kur në qendër të saj erdhi Edi Shukriu, e vetmja nga nëntë gratë e librit që nuk jeton më. Historia e saj, e ruajtur në faqet e “Rebelim dhe kujtesë”, atë mbrëmje merrte një kuptim tjetër: zëri i saj ishte aty, edhe pse ajo vetë nuk mund të ishte.

Pranë librit ishin Edita Tahiri, Luljeta Pula, Ferdeze Mujaj Sadiku dhe Shukrije Ramadani, gra që rrëfimet e tyre i kishin dhënë autores dhe që tani po e shihnin atë kujtesë të mbledhur në një libër. Edi Shukriu mungonte vetëm fizikisht. Në faqe, ajo vazhdonte të fliste. Dhe ndoshta ky është një nga momentet kur libri i dëshmon vetë arsyet e ekzistencës së tij. Një jetë e dokumentuar nuk ndalon së jetuari kur personi largohet. Ajo vazhdon në fjalë. Në faqe. Në zërin e një aktoreje që e lexon. Në sytë e dikujt që e hap librin vite më vonë.

Kjo pyetje e dokumentimit u lidh me një peng tjetër të Ardianës, atë të Irena Papasit, të cilën nuk arriti ta takojë. Ekzistonte dëshmia e një bisede të saj me Bekim Fehmiun, ekzistonte rrëfimi i tij, por mungonte një intervistë e drejtpërdrejtë që do ta kishte sjellë: zëri i saj, kujtimi i saj, versioni i saj. Dhe kështu, dokumentimi del nga faqja e librit dhe bëhet një thirrje më e gjerë për kujtesën. Jo vetëm njerëzit e famshëm kanë histori. Jo vetëm ata që kanë qenë në tituj gazetash. Njerëzit që kemi pranë mund të bartin dëshmi të një kohe që nesër do të jetë shumë më e largët nga ne.

Veçanërisht për Kosovën, ku lufta e fundit është ende një kujtesë e gjallë për shumë familje, ruajtja e dëshmive bëhet pjesë e përgjegjësisë ndaj brezave. Jo vetëm për t’u treguar atyre se çfarë ndodhi. Por për t’u treguar se si u përjetua. Në këtë libër, lufta është vetëm njëra shtresë. Pranë saj qëndrojnë migrimi, burgjet, komunizmi, vitet ’80 dhe ’90, ndasitë mes Kosovës dhe Shqipërisë, familjet që mbetën në anë të ndryshme të kufijve dhe njerëzit që mësuan të jetonin me mungesën.

Përmes grave, rrëfimi prek një udhëtim më të gjerë të popullit shqiptar dhe atë që Ardiana e quan mosdorëzim. Por bashkë me historinë vjen edhe një tjetër pyetje: çfarë do të thotë sot të jesh grua, të jesh e barabartë dhe të luftosh për atë barazi? Këto gra nuk duket se e kanë jetuar barazinë vetëm si një kërkesë për t’u artikuluar. Ato e kanë ndier atë përmes mënyrës se si kanë vepruar, përmes roleve që kanë marrë dhe përmes vendimeve me të cilat kanë shtyrë përpara jetën e tyre.

Shukrije Ramadani, përtej lidhjes së saj me Agim Ramadanin, ka ndërtuar rrugën e vet dhe ka marrë edhe rolin e diplomates.

Luljeta Pula ka mbajtur një mision që nuk e ka braktisur. Edita Tahiri, përtej figurës që njihet nga publiku, bëhet një mënyrë për të parë më thellë vuajtjet e Kosovës dhe Shqipërisë dhe historinë e ndarjeve mes tyre.

Ferdezja, përmes historisë së kufirit, ikjes dhe familjes, e çon këtë rrëfim në një tjetër hapësirë. Kështu, gratë e këtij libri nuk janë thjesht figura të ngritura për t’u admiruar. Janë njerëz që kanë jetuar në kohë të komplikuara dhe kanë bërë zgjedhje brenda tyre.

Kjo është edhe arsyeja pse “Rebelim dhe kujtesë” nuk mund të mbetet vetëm një libër për “gra të forta”. Ai është një libër për histori. Për kohë. Për kujtesë. Për mënyrën se si një popull mund të shihet përmes jetëve të grave të tij.

Pas botimit, nuk munguan sugjerimet për emra të tjerë. Kishte njerëz që mendonin se në libër duhej të ishte edhe kjo figurë, edhe ajo figurë. Autorja kishte menduar edhe për një të dhjetë. Por një libër që ka lindur nga ndjenja e takimit nuk mund të ndërtohet si një tabelë ku numri duhet patjetër të rrumbullakohet. Edhe në këtë pikë, puna e saj ka mbetur e lidhur me të njëjtin parim: historia duhet të vijë natyrshëm.

Kështu mbeti nëntë. Nëntë gra të zgjedhura jo për ta bërë një listë perfekte, por sepse në historitë e tyre kishte diçka që kërkonte të ruhej. Edhe Ag Apolloni kishte propozuar se mund të ishte vet autorja. Dhe ndoshta për këtë arsye libri mbyllet më shumë si një vazhdim sesa si një përfundim. Sepse nëntë historitë nuk thonë se këtu përfundon kujtesa e grave shqiptare. Përkundrazi, ato tregojnë sa shumë kujtime të tjera mund të jenë ende duke pritur të dëgjohen.

Në fund të mbrëmjes, aktorja Aurita Agushi mori disa prej këtyre rrëfimeve dhe ua dha një tjetër trup. Fjalët që kishin lindur dikur në takime të gjata mes autores dhe grave, tani po dëgjoheshin përpara publikut. Dhe gjatë interpretimit erdhi një fjali e shkurtër, por që dukej sikur e kishte kapur në pak fjalë gjithë barrën e librit:

“Nuk ka gjasa me i lexu këto tregime pa t’u dridh zani.” Në atë çast, historia u largua edhe pak nga faqja. U bë zë. U bë frymë. U bë ajo ndjesia që mbetet kur një njeri dëgjon një jetë që nuk e ka jetuar vetë, por që për disa minuta e ndien sikur ka qenë aty.

Kopshti i KultPlus Caffe Gallery po mbante në një mbrëmje të vetme disa kohë të ndryshme. 13 vjet KultPlus, gjashtë vite rrugëtim të këtij libri dhe dekada të tëra të jetëve të grave që ishin mbledhur në një vëllim. Dhe brenda gjithë kësaj kohe, një gjë mbeti e njëjtë: nevoja për të mos harruar. Prandaj “Rebelim dhe kujtesë” është, në thelb, më shumë se një libër intervistash.

Është një arkiv i ndërtuar nga afërsia. Nga takimet. Nga besimi. Nga gratë që pranuan të ndajnë edhe pjesët më intime të jetës së tyre, jo vetëm për të treguar se çfarë kanë kaluar, por që një brez pas tyre të mund ta shohë dhe ta kuptojë atë kohë me sytë e tyre.

Fjalët e tyre tani nuk varen vetëm nga kujtesa e një personi. Kanë marrë kopertinë. Kanë marrë faqe. Kanë marrë vend. Dhe kjo është ndoshta mënyra më e bukur që një histori mund të fitojë jetë të dytë: të mos mbetet vetëm në gojën e atij që e ka përjetuar, por të bëhet diçka që mund të lexohet edhe nga ata që ende nuk kanë lindur.

Në fund, mbeten nëntë gra dhe nëntë histori. Por pas tyre duket një histori shumë më e madhe. Historia e një kohe. E një populli. E një kujtese që ka kaluar nëpër kufij, luftëra, burgje, migrime, dashuri, humbje dhe qëndresë. Dhe ndoshta prandaj ky libër nuk kërkon të bëjë zhurmë. Mjafton që të hapet. Sepse brenda tij, nëntë gra vazhdojnë të flasin.

Dhe në këtë rast, zërat janë të grave. Grave që nuk pritën gjithmonë duartrokitjet. Grave që shpesh i morën mbi vete pasojat e kohës së tyre. Grave që nuk e kishin luksin të prisnin historinë t’i njihte. Prandaj, në vend që t’i presë ato duartrokitje pas njëqind vjetësh, ky libër zgjedh t’i dëgjojë sot, libër që në ballinë ka të vendosur skulpturën e skulptorit të mirënjohur Luan Mulliqi, hasjanen, e cila rri shumë elegante në ballinën e këtij libri, për të shtuar edhe më forcën e nëntë grave që janë brenda këtyre faqeve. Libri është mbështetë për botim nga Ministria e Kultuës dhe Turizimit. /KultPlus.com

Të ngjashme