Skip to main content

Citizens.al

Nga Ramizi te Ramizmi-“Kap ç’të kapësh” si sistem ekonomik dhe politik

Foto ilustrim nga Johan Jarnestad/ The Royal Swedish Academy of Science

Nga Armando Memushi*

Më 13 tetor 2024, nga Berlini, Edi Rama njoftoi në një intervistë për Agjencinë Reuters synimin e vet për një mandat të katërt në krye të qeverisë shqiptare: “Besoj se më duhet të kandidoj, sepse ka punë për të mbaruar. Dhe në këto tre mandate kemi bërë gjëra të mrekullueshme”. Për të dëshmuar arritjet gjatë 11 viteve të qeverisjes së tij, ai përmendi se vendi kishte “kapërcyer tavanin e 10 milionë turistëve”.

Vetëm një ditë më pas, nga Stockholm-i, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave njoftoi se do të nderonte tre ekonomistë dhe politologë (Acemoglu, Johnson dhe Robinson) me Çmimin Nobel “për studime se si formohen institucionet dhe se si ato ndikojnë në mirëqenie”.

Studiuesit kanë shqyrtuar sistemet politike dhe ekonomike që kolonët europianë vendosën të ndërtonin (ose ruanin) në shoqëritë e kolonizuara prej tyre duke filluar nga shekulli XVI. Sipas tyre, ato sisteme janë një faktor shpjegues i dallimeve midis ish-kolonive, si për sa i përket ecurisë historike të zhvillimit ashtu edhe mirëqenies së sotme ekonomike.

Në vendet ku rrethanat mundësuan vendosjen e vetëm pak kolonëve europianë, ata ngritën ose ruajtën sisteme politike dhe ekonomike shfrytëzuese, synimi i të cilave ishte sjellja e përfitimeve afatshkurtra për një elitë të vogël vendase në kurriz të popullsisë së gjerë. Nga ana tjetër, në ato vende ku u zhvendosën për të jetuar shumë kolonë, ata ngritën ose ruajtën institucione gjithëpërfshirëse, të cilat do të mundësonin përfitime afatgjata për të gjithë në ‘mëmëdheun’ e ri.

Tre nobelistët kanë treguar se si kolonitë me sisteme zhvatëse përjetuan një zhvillim ekonomik relativisht të ngadaltë dhe janë sot vende më pak të begata se simotrat e tyre me sisteme gjithëpërfshirëse.

Shqipëria e 35 viteve të fundit nuk ka qenë një vend i kolonizuar. Madje qysh prej largimit nga pushteti të Ramiz Alisë dhe Partisë së Punës, vendi u shndërrua (të paktën, formalisht) në një demokraci përfaqësuese shumëpartiake me një ekonomi të mbështetur te tregu. Por, ngjashëm me shumë nga kolonitë e shqyrtuara nga nobelistët e vitit 2024, në Shqipëri është ngritur dhe ruajtur një sistem politik dhe ekonomik shfrytëzues.

Në shumë vende ish-komuniste (Rusia është shembulli par excellence), institucionet e dobëta të tranzicionit kanë mundësuar përqendrimin në rritje të pushtetit ekonomik dhe politik në duart e një elite me lidhjet e duhura. Në disa raste këto ishin lidhje të trashëguara prej periudhës diktatoriale.

Kjo është lehtësuar edhe nga politikat e befta dhe të prera neoliberale që u zbatuan në këto vende për të mundësuar kalimin e shpejtë nga një ekonomi e komanduar në një ekonomi tregu, të njohura edhe si “terapia e shokut”. Gjithsesi, në Shqipëri (ndryshe nga Rusia) mekanizmi kryesor i këtij përqendrimi nuk ka qenë privatizimi i shpejtë i ndërmarrjeve shtetërore në sektorë strategjikë, ku një grup i vogël individësh arritën të blejnë herët asete shumë të vlefshme shtetërore me çmime jashtëzakonisht të lira.

Në rastin shqiptar, kjo ka ndodhur me anë të patronazhit, klientelizmit dhe kapjes së shtetit. Të zgjedhurit i kanë shpërndarë burimet ekonomike jo sipas mekanizmave meritokratike të mundësive të barabarta, por në këmbim të mbështetjes politike. Më tej akoma, shteti dhe procesi ligjvënës janë vendosur në shërbim të marrjes së përfitimeve ekonomike private.

Në këtë mënyrë, rrethi vicioz i përqendrimit është ushqyer me zbatim të dobët dhe përzgjedhës të ligjit, pasiguri për pronën private, informalitet dhe infiltrim të burimeve financiare kriminale, si edhe konkurrencë të kufizuar në tregje (në rënie edhe në politikë). Cilatdo qofshin rrugët, duke marrë nën kontroll pushtetin ekonomik dhe politik kjo elitë e ka pasur më të lehtë ndërtimin dhe ruajtjen e një sistemi zhvatës, të orientuar drejt përfitimeve afatshkurtra për pak të privilegjuar përkundër zhvillimit të qendrueshëm dhe mirëqenies afatgjatë për të gjithë.

Prania e këtij sistemi vihet re së pari në qasjen zhvatëse ndaj burimeve të përbashkëta natyrore. Gjatë 35 viteve, në të gjithë vendin ka pasur raste të panumërta të shfrytëzimit të paqendrueshëm dhe/ose abuziv të pasurive të nëntokës, pyjeve dhe pasurive ujore. Abuzimet në minierën e kromit në Bulqizë, humbja e sipërfaqeve pyjore në Qarkun e Korçës dhe urbanizimi në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës janë vetëm disa prej tyre.

Për më tepër, këto pasuri janë përdorur pothuajse tërësisht për nxjerrjen dhe eksportin e lëndëve të para të papërpunuara, duke humbur kështu vlerën e shtuar që do të mbetej në ekonomi prej përpunimit në vend.

Modeli zhvatës shfaqet edhe në përdorimin e burimeve njerëzore, qofshin ato në trajtën e punës së paguar apo të aftësive sipërmarrëse. Në 35 vite, vendi është përballur me probleme serioze në sistemin arsimor, i cili përtej fasadës së arritjeve mbetet i nënfinancuar, i keqqeverisur, me rezultate të dobëta e në rënie në testimet ndërkombëtare, si edhe pa lidhje të mira me tregjet e punës.

Njëkohësisht, Shqipëria ka përjetuar edhe një emigrim masiv të popullsisë, ku mbizotëron largimi i personave të kualifikuar në moshë pune. Si rrjedhojë, ekonomia shqiptare është mbështetur gjerësisht në shfrytëzimin e punës së lirë (edhe asaj të imigrantëve që kanë zëvendësuar të larguarit) dhe me prodhimtari të ulët. Për më tepër, dobësitë ose mungesa tërësore e sindikatave dhe institucionet e dobëta të mbikëqyrjes së tregjeve kanë mundësuar nivele shumë të larta të informalitetit dhe mbrojtje të kufizuar të punës.

Prania e një sistemi që nuk krijon mundësi të barabarta nuk ka qenë nxitëse as për talentin sipërmarrës. Mjedisi vendas ka krijuar besimin se lidhjet me politikën dhe shkelja e ligjit janë faktorë të rëndësishëm përcaktues të suksesit.

Të njëjtin ndikim frenues për sipërmarrjen ka pasur edhe shkalla e lartë e informalitetit dhe konkurrenca e pandershme prej firmave informale. Pengesë e rëndësishme ka qenë edhe vështirësia e sigurimit të burimeve financiare të nevojshme për nisjen dhe/ose rritjen e bizneseve, përtej kanaleve problematike të shfrytëzimit të financimeve shtetërore dhe të pastrimit të parave. Në 35 vite, Shqipëria ka vuajtur një krizë të rëndë të skemave piramidale, nuk ka arritur të zhvillojë ende tregje të mirëfillta të kapitalit, si dhe i ka përdorur remitancat sidomos për shpenzime konsumi dhe strehim.

Qasja zhvatëse është shfaqur edhe në përdorimin e kapitalit fizik. Ajo ka nisur qysh në ditët e para të Shqipërisë paskomuniste me shkatërrimin ose shitjen e rrëmujshme, me çmime jashtëzakonisht të lira, të pasurive të ndërmarrjeve shtetërore. E njëjta vijoi (në mënyrë më domethënëse) në 35 vitet që pasuan në rrugë të tjera të shfaqjes së patronazhit, klientelizmit dhe kapjes së shtetit: ndërtimi dhe menaxhimi i keq i infrastrukturës publike, praktikat jokonkurruese dhe korruptive në prokurimet publike dhe marrëveshjet për koncesione/PPP (në lidhje, zbatim dhe monitorim), si edhe keqmenaxhimi i ndërmarrjeve shtetërore.

Krahas përdorimit të faktorëve të prodhimit, sistemi shfrytëzues vërehet edhe te prirjet e zhvillimit të sektorëve të ekonomisë. Struktura e ekonomisë shqiptare ka ndryshuar gjatë 35 viteve, duke e zhvendosur gradualisht prodhimin (dhe punësimin) nga bujqësia dhe industria e tekstileve dhe këpucëve, që punon me material porositësi/fason, drejt shërbimeve (ku mbizotëron turizmi) dhe ndërtimit.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, produktiviteti dhe vlera e shtuar në ekonomi kanë vijuar të jenë të ulëta. Kështu, turizmi ka ofruar një nivel të ulët sofistikimi të shërbimit (dhe të ardhurash), ka qenë mjaft i përqendruar në bregdet dhe gjatë periudhës qershor-shtator, si dhe ka ndikuar negativisht në mjedis dhe bujqësinë vendase. Në fakt, Shqipëria ka shfaqur një varësi në rritje nga importi i ushqimeve dhe rrezikon t’a kthejë turizmin në ‘industrinë e re minerare’ të vendit: një sektor që përdor burimet natyrore për t’i ‘eksportuar’ pa shfrytëzuar mirë potencialin e vlerës së shtuar dhe të lidhjes me sektorët e tjerë të ekonomisë.

Nga ana tjetër, sektori i ndërtimit ka ardhur duke u zgjeruar, edhe falë rritjes së turizmit. Por, krahas ndikimit pozitiv në rritjen ekonomike (ashtu si turizmi), zgjerimi intensiv i ndërtimit ka sjellë ndikim negativ në mjedis dhe shëndetin e popullsisë, përkeqësim të konflikteve për pronësinë, si dhe rritje të çmimeve dhe qirave në tregjet e pasurive të paluajtshme (sidomos në bregdet dhe Tiranë). Gjithashtu, rritja e shpejtë e këtij sektori duket të jetë ushqyer edhe përmes infiltrimit të burimeve financiare me origjinë kriminale dhe pastrimit të tyre nëpërmjet ndërtimit.

Së fundi, vlen të theksohet se shoqëri të tilla me sisteme politike dhe ekonomike zhvatëse nuk janë të prirura të ndryshojnë lehtë. Sipas tre nobelistëve të vitit 2024, elita e privilegjuar nuk ka nxitje për të ndryshuar gjendjen. Tekefundit, askush nuk do t’ua kompensonte atyre përfitimet e humbura nga ndërtimi i një sistemi të ndryshëm, me institucione që do të mundësonin përfitime afatgjata për të gjithë. E megjithatë, ndonjëherë demokratizimi ndodh. Mobilizimi i popullsisë mund të shndërrohet në një kërcënim për revolucion, i cili mund të jetë edhe më i madh kur protestat janë paqësore (sepse iu bashkohen më shumë njerëz).

Përballë këtij kërcënimi dhe në kushtet e humbjes së besueshmërisë në sytë e shumicës, elita e privilegjuar nuk mundet t’a kapërcejë gjendjen e krijuar nëpërmjet premtimeve të reja për reforma. E vetmja rrugë mbetet dorëzimi i pushtetit dhe vendosja e një sistemi më demokratik…

*Armando Memushi është ekonomist, mësimdhënës dhe ish-diplomat me mbi 13 vite përvojë në akademi, diplomaci dhe shoqërinë civile. Ka dhënë mësim në ekonomi, ka zhvilluar kërkim shkencor në fushën e Analizës Ekonomike të së Drejtës dhe Sjelljes së Konsumatorit, si dhe ka udhëhequr ekipe dhe procese në administratën diplomatike shqiptare, përfshirë drejtimin e ekipit konsullor në Romë gjatë pandemisë.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *