Skip to main content

Citizens.al

Paratë e krimit u ngjitën në kulla dhe zbritën në bregdet

Ilustrim grafik/Citizens.al

SPAK ka zbuluar rrugën që bënin paratë e krimit nga kullat në Tiranë deri te vilat dhe resortet në bregdet, duke hapur kapitull të ri të luftës ndaj pastrimit të parave.

Në dosjet e mëparshme të njohura si “Metamorfoza”, zbërthimi i komunikimeve të koduara tregoi sa të strukturuara ishin grupet kriminale. Ato kishin ndërtuar jo vetëm rrjete ndërkombëtare të narkotrafikut, por edhe aleanca, hierarki dhe kanale ndikimi që shkonin përtej aktivitetit të tyre.

Në këto komunikime në platforma si Sky ECC dhe EncroChat, nuk diskutohej vetëm për drogë, armë dhe larje hesapesh, por edhe për ndërmjetësime, ndikim dhe, mbi të gjitha, se si mund të pastroheshin fitimet nga krimi.

Megjithatë, dosjet “Metamorfoza” nuk treguan qartë se çfarë ndodhte më pas, kjo ngaqë hetimet u përqendruan më së shumti te vrasjet dhe trafiku i drogës. Por, zhvillimet e muajit qershor 2026 kanë dhënë një panoramë më të gjerë.

Katër çështje të Prokurorisë së Posaçme, të shqyrtuara nga Citizens.al, tregojnë se si kapitali i dyshuar kriminal ligjërohej në kontrata noteriale, të drejta mbi prona, apartamente, vila, kompani dhe projekte ndërtimi.

Në qendër të hetimeve janë të paktën dy grupe të lidhura me Luçiano Koçekun dhe Artur Shehun, të dyshuar nga SPAK për përfshirje edhe në trafik ndërkombëtar droge. Të dhënat tregojnë se ata, në bashkëpunim me persona të tjerë, kryenin veprime mbi prona në Tiranë dhe në bregdet.

Citizens.al ka dokumentuar se si zhvillimi urban në Shqipëri është shtyrë përmes një modeli që kombinon intensitetin, ngritjen në lartësi, kapërcimet e planeve urbane dhe transparencën e kufizuar në dhënien e lejeve. Dokumentari “Tirana Vertikale: Arkitektura e Pushtetit” e ka pasqyruar këtë perspektivë.

Por, dosjet e reja të SPAK-ut japin një dimension tjetër. Ato forcojnë dyshimet se pikërisht ky model zhvillimi mund të ketë krijuar kushte të favorshme për integrimin e parave të krimit në tregun e pasurive të paluajtshme.

Larg Shqipërisë, sikurse dëshmojnë hetimet, të dyshuarit kryesorë organizonin takime, në Spanjë, Monako, Gjermani, Turqi dhe ishujt e Karaibeve, ku sipas prokurorëve diskutohej futja e sasive të mëdha të drogës në Evropë. 

Në të njëjtën panoramë dalin emra që më pas shfaqen edhe në transaksione pronash dhe investimesh ndërtimi, si Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama, Leonard Bishaj, Alfredo Hamzai dhe të tjerë.

Nën këtë kontekst, SPAK ka përmendur disa projekte të dyshimta në Tiranë, si “Garden Building”, “Golden Tower Residence”, “Colonnade” dhe ish-aneksin e stadiumit “Qemal Stafa”. Paralelisht, i njëjti dyshim shfaqet edhe për projekte në Palasë, Nartë e më tej.

Për këtë janë bllokuar shuma monetare që, të konvertuara, arrijnë në rreth 140 milionë euro. Krahas tyre, në sekuestro janë përfshirë rreth 50 apartamente ose njësi banimi, 18 vila, 30 automjete, dhjetëra garazhe dhe një sipërfaqe toke që, nëse përfshihen edhe transaksionet e mëdha në jug, shkon në mbi 2.5 milionë m² (250 hektarë).

Sigurisht, këto janë masa sekuestroje preventive, jo vendime fajësie me konfiskime përfundimtare. Megjithatë, ato tregojnë shkallën e pasurive që SPAK i konsideron të lidhura me prapavijë kriminale.

Kështu, në mënyrë figurative, paratë e krimit duket se u ngjitën në kulla në Tiranë dhe zbritën në troje, vila e resorte në bregdet.

Prapavija e një shpronësimi publik

Në fund të korrikut 2022, me kërkesë të Bashkisë Tiranë, qeveria shpronësoi rreth 40 pronarë me 3.7 milionë euro për 5,961 m² tokë te ish-aneksi i Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” (sot Arena Kombëtare). Toka nevojitej për realizimin e “Shkollës së Biçikletave”.

Në pamje të parë, bëhej fjalë për një projekt publik me karakter edukativ dhe rekreativ, i cili më herët ishte thënë se do të zhvillohej në Parkun e Liqenit. Por në dosjet e SPAK-ut, kjo pronë shfaq një histori tjetër.

Ilustrim grafik, grupi i A. Shehut dhe E. Dizdarit/Citizens.al

Sipas materialeve hetimore të shqyrtuara nga Citizens.al, ish-aneksi i stadiumit kishte qenë objekt i një serie veprimesh të dyshimta të kryera të paktën nga viti 2017 e në vijim, me synim ndërtim pallatesh.

Në këtë panoramë dalin emra si Artur Shehu, Adrian Rama, Elton Memeti, Alfredo Hamzai, Ardian Zykaj, Arben Ismailaj dhe disa persona të tjerë të dyshuar si pjesë e një strukture që vepronte në disa drejtime: trafik droge, tjetërsim pronash dhe pastrim parash.

Sipas SPAK-ut, ata kërkonin troje me mangësi apo probleme dokumentesh dhe hynin në kontakt me pronarët pretendentë. Me ta lidheshin kontrata, bliheshin sipërfaqe ose u merrej përsipër nxjerrja e dokumenteve dhe sigurimi i lejeve të ndërtimit.

Pra, njerëz që nuk kishin mundësi, dijeni, akses institucional apo kapacitet financiar për ta regjistruar dhe zhvilluar pronën, futeshin në marrëdhënie me persona që u premtonin lehtësira.

Në letër, kjo dukej ndërmjetësim, sipërmarrje ose bashkëpunim për zhvillim. Por sipas SPAK-ut, ishte mënyra për të futur nën kontroll prona me potencial të lartë, për t’i kaluar më pas në struktura më të mëdha ekonomike, si projekte zhvillimi apo kompani ndërtimi.

Trojet siguroheshin përmes falsifikimeve, dhurimeve ose kontratave të maskuara, por edhe përmes blerjeve me vlera të ulëta në raport me atë që prona merrte pasi lidhej me leje ndërtimi.

Përgjithësisht, personat nën hetim merrnin përsipër dokumentacionin, zhvillimin dhe marrëdhëniet me institucionet, duke e kthyer pronarin fillestar në hallkën më të dobët të një zinxhiri shumë më të madh.

Kështu duket se ndodhi edhe me truallin e ish-aneksit të “Qemal Stafës”, i cili kishte kaluar përmes një historie të ndërlikuar dhurimesh, bashkëpronësie, kontratash sipërmarrjeje, revokimesh dhe kërkesash për zhvillim.

Rreth 880 m² në këtë zonë lidhen me Eldi Dizdarin, i njohur edhe si Denis Matoshi, emër i lakuar nga autoritetet për përfshirje në trafik droge. Hetimi ndaj Dizdarit për kontratat e dhurimit nga Q.G., E.G. dhe O.D. mundësoi të dhënat e para mbi këtë truall.

Në nëntor 2021, sekuestrimi i pjesës së Dizdarit u bë pikënisje e hulumtimit të imtësishëm të prapavijës së gjithë pronës. Prej tyre u zbuluan veprime të shumta dhurimi nga bashkëpronarët e truallit edhe drejt Artur Shehut, Elton Mehmetit dhe personave të tjerë që, sipas hetimit, lidheshin më pas me rrjete të trafikut të drogës.

Sipas dosjeve, E.G., D.G. dhe E.R. i kanë dhuruar 330 m² Shehut, të përfaqësuar nga Leonard Bishaj, gjithashtu nën hetim. Ngjashëm ka përfituar 100 m² Xh.D. dhe 50 m² A.Ç., i arrestuar si i dyshuar për trafik droge.

Në vitin 2022, pak para se qeveria të vendoste shpronësimin e ish-aneksit të stadiumit, Shehu ia dhuroi sipërfaqet e përfituara Xh.D.-së dhe partneres së vëllait të A.Ç.

SPAK vlerëson se ky zinxhir dhurimesh ishte pjesë e së njëjtës lëvizje që synonte fshehjen e pronarëve përfitues.

Paralelisht bashkëpronarëve u ishin marrë firmat për zhvillimin e truallit nga kompania A&AMIV, e Klodian Liçajt, i njohur edhe si Joanis Liaçis. Por, sipas SPAK, A&AMIV ishte regjistruar rishtazi dhe nuk kishte as kapitalin dhe as licencat e nevojshme për të siguruar leje ndërtimi.

Kontratat më pas u zhvendosën te kompania “Kryon.83” e Adrian Ramës.

Në letër, ndryshimi i kontratave mund të jetë lëvizje normale mes pronarëve dhe zhvilluesve. Por për SPAK-un, kjo tregon se kush e kontrollonte realisht drejtimin e zhvillimit të pronës atje.

Dyshimet shtohen nga bisedat e përfituara nga komunikimet në Sky ECC, ku të dyshuarit flasin për blerje parcelash te ish-aneksi i stadiumit dhe mundësinë që aty të bëheshin pallate.

Por gjërat duket se ndryshuan kur parcela e lidhur me Dizdarin u sekuestrua dhe u vu nën sekuestro. Në këtë mënyrë, “Shkolla e biçikletave” u vendos mbi një truall që, sipas SPAK-ut, kishte qenë objekt interesash nga grupe kriminale.

Pas bllokimit të parcelës së Dizdarit, ata që përfituan më shumë nga shpronësimi duket se ishin pikërisht personat që kishin hyrë njësoj si ai me lëvizje të dyshimta në këtë pronë. Shpronësimi publik iu dha kompensim monetar, por edhe lehtësimin e përkohshëm se ata nuk do të verifikoheshin më thellë.

Pazaret me projektet e kullave

Pas ish-aneksit të “Qemal Stafës”, harta e SPAK-ut zhvendoset te projektet konkrete të ndërtimit në Tiranë.

Hetimet tregojnë se ndërtimi nuk përdorej vetëm si destinacion final për blerje apartamentesh, por funksiononte si sistem financiar, ku trojet, lejet, kontratat e sipërmarrjes, garazhet apo dhe apartamentet bëheshin njësi për ruajtje, copëzim, shtresëzim dhe qarkullim kapitali.

Ilustrim grafik, Garden Building dhe grupi i L. Koçekut dhe I. Shtufit/Citizens.al

Rasti më domethënës lidhet me Luçiano Koçekun, i dyshuar nga SPAK për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Prokurorët thonë se Koçeku kishte rrjetin e tij ku pjesë dyshohet se ishin edhe vëllezërit Abedin dhe Ervin Koçeku, apo dhe Astrit e Kastriot Vladi.

Një degë tjetër e hetimeve, më pak të zgjeruara, por të rëndësishme për hartën e pastrimit të parave, lidhet me sipërmarrësit Orest Sota dhe Orgest Birçaj.

SPAK i përmend ata bashkë me të dyshuarit Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj në lidhje me investime në pasuri të paluajtshme, ndërtime apo kompani ku shfaqnin interesa, përfshirë “2A Construction”, “Onix”, “Top Seven” dhe “Top Seven Construction”.

SPAK shkon më tej, duke e përshkruar Sotën si bashkëpunëtor të Hamzait në aktivitetin e dyshuar të narkotrafikut, ndërsa edhe komunikimet me Birçajn i lidh me të njëjtën veprimtari.

Kjo tregon se interesi për pasuri të paluajtshme dhe kompani ndërtimi nuk kufizohej vetëm te grupet Koçekut dhe Shehut. Sipas SPAK-ut, ai duket të jetë më i shpërndarë dhe përfshin aktorë të ndryshëm të dyshuar kryesisht në rrjete trafiku.

Nga komunikimet Sky ECC janë evidentuar të dhëna për investimin e shumave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm në automjete luksoze dhe në industrinë e ndërtimit.

Sipas SPAK-ut, ka dyshime se këto para fshiheshin edhe pas projekteve dhe ndërtimeve të kryera nga “Nova Group” dhe kompani të tjera të lidhura me të, si “Ferro Beton & Cons.”, “Erald-G”, “LTD CO” dhe “Develalb Construction”. Këto kompani, sipas prokurorëve, qëndronin formalisht në emër të sipërmarrësit Ilir Shtufi dhe të afërmve të tij, ndërsa pas tyre dyshohet se fshiheshin interesat e grupit të Koçekut.

Në vitin 2020, në bisedat me Franc Çopjen (i njohur edhe si Franc Gergely dhe si drejtues i klanit Çopja në Elbasan) Koçeku mburrej se i kishte 5 kompani, se i kishte “sistemuar letrat” me kredi dhe banka dhe se autoritetet “nuk kishin ku ta kapnin”.

Ndaj, kjo duket të jetë një nga nyjet më të mëdha të zbuluara deri më sot ku sektori formal i ndërtimit lidhet me kapitalin e dyshuar kriminal në Tiranë, përmes një rrjeti kompanish, kontratash, të drejtash pronësie, apartamentesh, garazhesh, kredish, huadhëniesh dhe marrëveshjesh shkëmbimi.

Një nga rastet më të qarta për dyshimet e SPAK-ut është “Garden Building” në Rrugën e Kavajës, një ndërtesë 85 metra e lartë, me 24 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë, projektuar nga studio Archea Associati e arkitektit Marco Casamonti. Objekti zuri vendin e ish-Muzeut të Shkencave të Natyrës.

Sipas dokumenteve, punimet nisën në mars 2018 dhe përfunduan në shkurt 2021. Kontraktor kryesor ishte grupi Nova. Në qershor 2026, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro mbi 43% të të drejtave që Nova kishte përfituar ose pritej të përfitonte në këtë ndërtesë, me dyshimin se një pjesë e punimeve u kryen përmes flukseve të parave që vinin nga aktiviteti i drogës së grupit të Koçekut.

Në dosje përmenden si raste tipike të paktën katër njësi banimi të lidhura direkt me Koçekun, familjarë ose persona të afërt, plus një depo. Vetëm një pjesë e këtyre pronave kapin mbi 400 mijë euro vlerë të deklaruar.

Në leximin e SPAK-ut, ato janë pjesë e një mekanizmi ku paraja e dyshuar futet në një objekt ndërtimi përmes kontratave të porosive, pastaj devijohet ose fshihet te persona familjarë apo të besuar.

Kështu, kulla bëhet më shumë se ndërtesë, bëhet instrument për qarkullimin, shtresëzimin dhe integrimin e kapitalit.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është “Golden Tower Residence” në rrugën “Mine Peza”, gjithashtu i projektuar nga Casamonti dhe i lidhur me grupin Nova. Kulla 13-katëshe me 33,719 m² ndërtim u miratua në vitin 2019.

Në këtë rast, Luçiano Koçeku nuk del thjesht si blerës apartamentesh. Sipas dosjes, ai shfaqet si hallkë ndërmjetësuese mes pronarëve të truallit dhe kompanisë ndërtuese, grupit Nova.

Ilustrim grafik, Golden Tower Residence dhe grupi i L. Koçekut/Citizens.al

Përmes një akt-marrëveshjeje të vitit 2017 me pronarët, pas miratimit të lejes së ndërtimit, Koçeku kishte përfituar 100 m² truall në sipërfaqen ku do të ndërtohej pallati. Më pas, SPAK thotë se përmes një kontrate si pronar trualli për paracaktim pjesësh takuese, ai kishte siguruar marrëveshje për të përfituar pjesë të sipërfaqeve të ndërtimit, përfshirë rreth 500 m² apartamente banimi dhe 10 poste parkimi.

Hetimet përmendin gjithashtu se, përpara nënshkrimit të kontratës si pronar trualli, Koçeku kishte firmosur në vitin 2020 një “Rregullore të brendshme për administrimin e ndërtesës” si përfaqësues i kompanisë LTD. Sipas SPAK-ut, kjo tregon se pas LTD-së, grupit Nova dhe fazës së plotësimit të dokumentacionit për leje ndërtimi për “Mine Peza Residence” qëndronte Luçiano Koçeku.

Episodi tregon se si “ndërmjetësimi” në ndërtim kthehet në pasuri. Personi nuk investon domosdoshmërisht si zhvillues i dukshëm, por merr pjesë në zinxhirin që lidh pronarin e tokës me ndërtuesin. Në fund, përfitimi nuk është më “komision në të zezë”, por sipërfaqe ndërtimi, apartamente dhe parkime.

Rast tjetër domethënës është bërë një pallat 7-katësh në rrugën “Stavri Themeli”, zonë e njohur kryesisht prej qendrës tregtare “Globe”. SPAK liston një numër të madh pasurish të regjistruara në emër të kompanive “Develalb Construction” dhe “Nova Group”.

Sipas dosjes, pallati ishte ndërtuar në bazë të një lejeje ndërtimi të vitit 2019 nga dy kompanitë në fjalë. Por “Develalb Construction” ishte themeluar vetëm pak muaj para marrjes së lejes, ndërsa aktet noteriale për prenotime, shitje apartamentesh dhe garazhesh ishin lidhur nga kjo kompani.

SPAK dyshon se pronari real i këtyre marrëveshjeve nuk ishte sipërmarrësi Ilir Shtufi, por Luçiano Koçeku. Këtë e bazon kryesisht te komunikimet Sky ECC, ku Koçeku i përcillte grupit të tij planimetri apartamentesh dhe i ofronte ato për shitje me para në dorë.

Lista e pasurive të vendosura nën sekuestro nga ky pallat e bën edhe më të dukshëm procesin e fragmentimit të pronës. Në dosje dalin të paktën 37 zëra kadastralë të regjistruar në emër të “Develalb Construction” dhe “Nova Group”. Rreth 20 prej tyre janë apartamente, njësi apo duplekse, ndërsa 15 janë garazhe.

Projekti tjetër i dyshuar se u përdor për pastrim parash është “Colonnade”, një kompleks pallatesh me sipërfaqe 30,858 m² në rrugën “Dritan Hoxha”, i konceptuar si godinë banimi, shërbimi dhe hoteleri deri në 16 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë. Sipas të dhënave publike, projekti u formalizua në janar 2023.

Në pamje të parë, bëhet fjalë për një nga projektet e shumta të densifikimit të Tiranës në rrugën “Dritan Hoxha”. Por SPAK e lexon atë si një tjetër rast ku sektori formal i ndërtimit u ndërthur me dyshime për fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Ai lidhet kryesisht me kompanitë Nova Group dhe LTD, si dhe me personat nën hetim Luçiano Koçeku, Gëzim Islami dhe Ilir Shtufi.

Prokurorët dyshojnë se Koçeku është përpjekur të fshehë burimin dhe lëvizjet e pasurisë e tij përmes aktivitetit të kompanive LTD dhe Nova, kontratave të sipërmarrjes dhe blerjes së sipërfaqeve të vogla në truallin ku më pas nisi të ngrihej “Colonnade”.

Trualli prej 3,964 m² pranë stacionit të karburantit “Kupola” dhe një ndërtesë prej 347.27 m² lidhen me këtë projekt. Sipas dosjeve të SPAK, ndërtesa qe legalizuar në vitin 2021, ndërsa më pas mbi këtë pronë u regjistrua dhe leja e ndërtimit.

Ilustrim grafik, Colonnade dhe grupi i L. Koçekut/Citizens.al

Në fazën fillestare, leja u dha si zhvillim në ortakëri mes grupit Nova dhe LTD. Por, në fund të vitit 2023, LTD u tërhoq nga investimi dhe dha pëlqimin për ndryshimin e subjektit zhvillues në leje.

Pra, projekti nisi me dy kompani dhe përfundoi pastaj vetëm në duart e Novas.

SPAK dyshon se ky ishte një veprim formal pasi nga ana tjetër LTD kishte një kontratë shkëmbimi ku, si pronare e truallit, do të përfitonte rreth 100 poste parkimi, 23 apartamente dhe dy njësi shërbimi me sipërfaqe totale rreth 1,500 m².

Me fjalë të tjera, nga trualli nuk nxirreshin para, por pasuri të paluajtshme të fragmentuara. Kjo, sipas SPAK-ut, e bënte të dobishëm për një skemë pastrimi parash.

Paralelisht, hetimet kanë zbuluar një seri aktesh të mëparshme si marrëveshje sipërmarrjeje, amendime kontratash dhe një kontratë hipoteke mes “Ferro Beton & Construction” dhe LTD, për rreth 1.29 milionë euro garanci në huadhënie.

Këto veprime, sipas SPAK-ut, tregojnë se “Colonnade” nuk ishte vetëm një projekt ndërtimi, por një mekanizëm financiar ku trualli, leja, kompanitë dhe të drejtat mbi objektin lëviznin përmes kontratave të njëpasnjëshme.

Skema bëhet edhe më e qartë në dhjetor 2023, kur Koçeku shiti 30% të kuotave të LTD te “Erald-G”, kompani në pronësi të Gëzim Islamit, kunatit të tij. Hetuesit dyshojnë se Koçeku u largua formalisht nga LTD, por interesat e tij vijuan të qëndronin brenda saj përmes Islamit.

Hetimet tregojnë se kapitali i dyshuar kriminal hynte në sektorin e ndërtimit në Tiranë përmes trojeve, lejeve të ndërtimit, kontratave të sipërmarrjes dhe ndarjes së projekteve në apartamente, garazhe e njësi shërbimi.

Por e njëjta logjikë duket se nuk ndalet në kryeqytet. Në bregdet, ajo merr një formë tjetër ku tokat bujqësore, pyjet dhe kullotat kthehen në vila turistike, resorte dhe transaksione shumë milionëshe.

Nga kullat te vilat në bregdet, tranzicioni i pastrimit të parave në turizëm

Nëse në kryeqytet pastrimi i parave dyshohet se kalon përmes kullave, në bregdet ai duket se shfaqet në projektet turistike. Trualli është trampolina drejt një vile luksoze, një hoteli me markë ndërkombëtare, një resorti me status investimi strategjik dhe shumëfishimit të vlerës së pronës.

Rasti më i qartë i pikasur nga SPAK është zona e “Green Coast” në Palasë dhe Gjilekë. Sipas hetimeve, veprimet me pronësinë e trojeve dhe disa vilave në këtë kompleks përfshijnë personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj, të paktën nga viti 2009 e në vijim.

Në dokumente, “Green Coast” nuk shfaqet thjesht si resort luksoz i zhvilluar nga aktorë të njohur të biznesit si Samir Mane (2014) dhe Aleksandër Frangaj (2020). Ai del edhe si hapësirë ku disa toka, vila, kontrata dhe transaksione bëhen pjesë e një skeme të dyshuar për pastrim parash.

Sigurisht, kjo nuk e bën automatikisht gjithë projektin objekt akuze. Por tregon se, brenda një territori me vlerë të lartë dhe strategjik për turizmin, SPAK ka identifikuar veprime konkrete që lidhen me persona nën hetim.

Për disa prej vilave, SPAK nuk ka kërkuar vetëm sekuestrimin e tyre si prona fizike, por edhe të parave të përfituara nga shitjet. Dosjet përmendin të paktën 7 vila me mbi 1.6 milionë euro përfitime.

Ilustrim grafik, resorti në Palasë dhe grupet e L. Koçekut e A. Shehut/Citizens.al

Në disa raste, shumat lidhen me Artur Shehun si përfitues përfundimtar dhe me llogarinë e kompanisë “Adhenis”, e krijuar në vitin 2020. Në të tjera, dosja përmend Adrian dhe Erjon Ramën si përfitues të vlerave të lidhura me shitjen e tyre.

Komunikimet e zbërthyera nga rrjeti i koduar Sky ECC e kanë bërë skemën e grupit të Shehut më të prekshme për SPAK-un.

Në dosjen e masave të sigurimit përshkruhen fotografi dhe video që Artur Shehu i kishte dërguar Arben Ismailajt. Në to dallohen ndërtesa të kompleksit “Green Coast” dhe projekti paralel, i quajtur “Green Coast II”, me mesazhe shoqëruese ku pyetej se si i dukeshin vilat e tij.

Kjo tregon se bregdeti ishte pjesë aktive e hartës së interesave të grupit Shehu. Por në “Green Coast”, dosjet shkojnë edhe më tej.

Hetimi nuk fokusohet vetëm te vilat e ndërtuara, por edhe te tokat mbi të cilat zhvillimi u bë i mundur. SPAK përmend veprime që lidhen me tokat e përfituara për ndërtimin e kompleksit duke filluar nga viti 2009 e në vijim.

Sipas hetuesve, disa prej këtyre tokave janë përfituar përmes falsifikimeve, ndërsa veprimet e kundërligjshme kanë vijuar në kohë duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme. Këto të ardhura, sipas dosjes, kalonin më pas te “Adhenis”, kompania e lidhur me Shehun, e cila në vitin 2022 ishte pajisur edhe me leje ndërtimi.

Në këtë pikë, bregdeti nuk shihet më vetëm si destinacion turistik. Ai shfaqet si terren ku toka e vjetër, dokumentet e pronësisë, kontratat e sipërmarrjes dhe lejet e ndërtimit bashkohen për të prodhuar vlerë të re kapitali.

Në Gjilekë, SPAK përmend rreth 118 mijë m² toka të lidhura me grupet kriminale. Bëhet fjalë për disa pasuri në zonën kadastrale 1739 (me sipërfaqe 10 mijë m², 34 mijë m², 7 mijë m², 5 mijë m² dhe 24 mijë m² etj). të siguruara përmes transaksionesh të kaluara nga bashkëshortja dhe kunati i Alfredo Hamzait dhe persona të tretë.

Një episod domethënës lidhet me një pasuri 11,500 m², e llojit “pyll” dhe “kullotë”. Sipas dosjes, kjo pasuri u përfshi në kontrata sipërmarrjeje dhe përcaktimi pjesësh takuese në kompleksin turistik që ndërtohej nga shoqëritë “Green Coast” dhe “Green Coast 2”.

Pra, toka me status pyll dhe kullotë hynte në qarkullim si aset imobiliar dhe shkëmbehej me sipërfaqe të ardhshme ndërtimi. Ky është një “transformim përrallor” i vlerës ku pyje dhe kullota me mundësi të kufizuara shfrytëzimi kthehen në vila luksoze.

Në dosje përmendet edhe ndërtimi i “Green Coast 4”, ku SPAK liston si persona nën hetim Arben Ismailajn, Alfredo Hamzain, Ardian Zykajn dhe Luçiano Koçekun. Ky episod e lidh më qartë bregdetin edhe me grupin tjetër të hetimit, atë të Koçekut, duke treguar se interesat në Palasë nuk ishin të pakufizuara.

Komunikimet Sky ECC e forcojnë këtë panoramë. Sipas hetimeve, Koçeku dhe Hamzai flasin për toka pranë “Green Coast”, për mundësinë për të ndikuar te sipërmarrësi Mane përmes Shtufit, për t’i përfshirë edhe ato në lejet e tij të ndërtimit, për ndërtim të 30-40 vilave, një hoteli me 120 dhoma dhe për heqje të një sipërfaqeje përroi nga “zona e gjelbër”.

Në një prej bisedave, Koçeku thotë se duhej të paguheshin para për ta hequr tokën nga zona e gjelbër dhe për ta përfshirë për ndërtim. Hamzai përgjigjet se, pasi të ishin “të qetë” në tokë, mund të ndërtonin njësi me sipërfaqe të mëdha.

Një rast tjetër është pasuria nr. 68/149 në Gjilekë, me sipërfaqe 2,000 m², në pronësi të grupit Nova. Sipas dosjes, kompania e kishte blerë këtë pasuri më 30 korrik 2021 për vetëm 4,000 euro. Pra, në letër, toka dilte me vlerë 2 euro metri katror.

Më pas, e njëjta pasuri u lidh me një kontratë sipërmarrjeje me “Green Coast” për projektin “Green Coast Resort 2”. Sipas SPAK-ut, për këtë pasuri kishte leje zhvillimi të miratuar më 28 dhjetor 2022, ndërsa pjesa takuese e Novas parashikonte një vilë me pishinë, 437 m² truall përreth dhe dy vende parkimi.

Ky është ndoshta shembulli më i pastër i transformimit të skajshëm të vlerës. Një tokë që në dokumente zyrtare blihet për 4 mijë euro, më pas lidhet me vilë, pishinë dhe parkime në një resort që vlejnë qindra mijëra euro.

Dosjet e SPAK-ut tregojnë kështu se interesat për pronat bregdetare nuk lindin në momentin e kontratave të fundit. Ato në fakt shfaqen më herët në komunikime, udhëtime dhe madje edhe takime jashtë vendit. 

SPAK përmend takime në Aruba, Monako dhe Majorka në funksion të trafikut të drogës, ndërsa në komunikimet e vitit 2020 del edhe Stambolli si vendtakim mes Adrian Ramës dhe Artur Shehut, ku më pas diskutohen edhe lëvizje drejt Vlorës e Zvërnecit për të parë prona të ndryshme.

Kjo e bën bregdetin jo thjesht destinacion të parasë, por pjesë të “planifikimit dhe zhvillimit të saj urban”.

Narta: Kur territori bëhet instrument financiar

Në Zvërnec dhe Akërni, të cilat bëjnë pjesë në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, skema e “tranzicioneve përrallore” merr përmasa edhe më të mëdha.

Nuk flitet më për apartamente dhe garazhe në kulla, apo për vila nëpër resorte. Flitet për qindra hektarë tokë dhe miliona euro të vëna në dispozicion vetëm për kalimin e pronësisë për një projekt të madh turistik që është veshur me shumë manovra që fshehin pronarët fundor.

Në qershor, SPAK sekuestroi tre shuma monetare me një total prej rreth 128.3 milionë euro, të lidhura me kontrata shitjeje të datës 24 prill 2026. Shumat ndodheshin në llogarinë bankare të noteres Amela Mukaj dhe kishin si përshkrim “pagesa për blerjen e tokave në Zvërnec dhe Akërni”.

Rreth 85% e shumës, 110.2 milionë euro, lidhej me një kontratë mes Artur Shehut dhe “Albanian Land Development”. Dy shumat e tjera, 10 milionë euro dhe 8 milionë euro, lidheshin me kontrata ku shitësit ishin Ferdinand dhe Burbuqe Sulaj.

Ilustrim grafik, A. Shehu dhe grupi nga Katari/Citizens.al

SPAK, që po hetonte Shehun prej kohësh, pa në këto transaksione dyshime serioze për të njëjtën skemë të hasur edhe më parë. Si duket, volumi i jashtëzakonshëm i shitblerjeve përfaqësonte momentin kryesor të kapitalizimit të një historie të gjatë pretendimesh pronësie, vendimesh gjyqësore, regjistrimesh kadastrale, ndarjesh dhe kontratash paraprake.

Në këtë zinxhir përfshihen mbi 1 milion m² në Zvërnec dhe më shumë se 1.5 milion m² të tjera në Akërni, totali rreth 250 hektarë. Këtu, logjika e pastrimit të parave kapërcen çdo shkallë.

Nëse në Tiranë, kapitali i dyshuar kriminal ndahej në apartamente, garazhe dhe njësi shërbimi dhe në Palasë, ai kalonte në vila dhe resorte turistike, në Nartë, ai lidhet me një territor të tërë.

Kjo është arsyeja pse vendimi i 10 qershorit i Gjykatës së Posaçme është një nga aktet më të rëndësishme të hetimeve ndaj pastrimit të parave dhe tjetërsimit të pronave në Shqipëri. Ai tregon se paratë ishin gati të kalonin në duart e personave që, sipas SPAK-ut dhe gjykatave, kishin përfituar prona përmes dokumenteve të provuara si të falsifikuara.

Në qendër të kësaj historie është sërish Artur Shehu, i cili prej fillimviteve 2000 ndodhet në SHBA me statusin e azilantit. Rëndësia e Zvërnecit del edhe nga komunikimet Sky ECC dhe nga të dhënat e udhëtimeve. 

Sipas dosjes, Adrian Rama ka udhëtuar drejt Stambollit për t’u takuar me Shehun në periudhën korrik-shtator 2020. Në biseda, Shehu udhëzonte Ramën të mos fliste në telefon për lekë, shtëpi apo toka, por të priste takimet nga afër.

Në një tjetër komunikim, ndërsa ndodhej në Stamboll, ai fliste për një marrëveshje me “turqit” dhe më pas për nevojën që disa persona të shkonin në Vlorë e Zvërnec për të parë pronat me gomone.

Ky episod e zhvendos Zvërnecin nga një konflikt i vonë pronash në një interes të hershëm investimi që duket se diskutohej në prapaskenë.

Kështu, në leximin e SPAK-ut, pronat nuk u shfaqën rastësisht në fund të zinxhirit, kur u firmosën kontratat shumë milionëshe me grupin nga Katari. Ato diskutoheshin vite më parë, në takime jashtë vendit dhe në biseda ku përziheshin para, toka, kontakte dhe mundësi zhvillimi.

Sipas dosjes, Shehu shfaqet disa herë si përfitues fundor i sipërfaqeve të shumta në Vlorë, të cilat dyshohet se janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara. SPAK thekson se në procedime të mëparshme janë gjykuar ose dënuar kryesisht personat që kanë qenë përfaqësues, por jo domosdoshmërisht ata që i kanë marrë më pas si përfitues finalë.

Kjo është histori më vete, sepse megjithëse personi që krijoi dokumentet e falsifikuara dënohet, pasuria kalon më tej përmes kontratave, ndarjeve, shkëmbimeve dhe shitjeve, duke vijuar zinxhirin formal të pronësisë dhe duke i dhënë skemës pamje të rregullt ligjor.

Në këtë pikë hyn në lojë edhe dilema e “blerësit me mirëbesim”, që përdoret shpesh edhe si alibi. Një blerës që blen një pronë në mënyrë të rregullt dhe “nuk ka dijeni” për problemet e mëparshme të dokumenteve, mund të mbrohet duke thënë se si blerës “i besoi shitësit.”

Por kur bëhet fjalë për miliona metra katrorë në një zonë të mbrojtur, me histori të gjatë gjyqesh, mbivendosjesh, falsifikimesh të përmendura edhe në vendime gjyqësore dhe shoqërohen me transaksione me vlera mbi 100 milionë euro, pyetja nuk ka si të jetë “A i dinte blerësi këto?” por “Për çfarë arsye nuk i dinte?”.

Citizens.al ka raportuar më herët se si kanë lëvizur kompanitë pas projektit masiv që parashikohet në Zvërnec nga grupi i biznesit Al-Khayyat.

Në këtë panoramë hyjnë “Albanian Land Development” dhe “Zvërnec South Adriatic Development”, dy shoqëri që lidhen me kontrollin dhe zhvillimin e tokave ku duket se u përpoq të përfitonte grupi i Shehut, në zonën ku është ndezur dhe debati publik për resortin, për rrethimin e plazhit të Dalanit dhe për mungesën e transparencës mbi vendimmarrjen rreth këtij projekti.

Por SPAK-u nuk ka folur vetëm për manovrat me “Albanian Land Development” në hetimet e saj. Në dosje shfaqen edhe emra të tjerë që krijojnë dritëhije dhe që nuk shpjegohen plotësisht nga aktet.

Një prej tyre është “Land Co”, që në disa akte del si blerës i pasurive “pyll” në Akërni dhe Zvërnec. Në të njëjtën listë përmenden edhe kontrata ku shitës janë Artur Shehu, Ferdinand e Burbuqe Sulaj, “South Adriatic Development” dhe “AL-GO 2023”.

Në një segment tjetër, dosja përmend se “South Adriatic Development” kishte lidhur marrëveshje shitjeje dhe blerjeje me “Balfin Construction”, në vend të një transferimi të së njëjtës tokë me shpërblim.

Ky formulim mbetet i paqartë në dosje, por është i rëndësishëm sepse tregon se interesi mbi të njëjtat pasuri nuk kufizohej vetëm te një zinxhir i ngushtë shitës-blerësish apo grupi kriminal. Aty shfaqen edhe kompani të mëdha zhvillimi.

Ky detaj nuk shpjegohet më tej në dosjet paraprake të hetimeve të SPAK-ut, por prania e tyre në të njëjtin zinxhir transaksionesh tregon se historia e tokave në Nartë përfshin më shumë aktorë sesa ata që dalin në qendër të dosjes penale dhe aq më shumë diskursin publik.

Kjo është arsyeja pse pjesa e Zvërnecit nuk duhet lexuar vetëm si histori e grupit të Artur Shehut, pasi ai shfaqet si hallka më e dukshme, si shitësi që pritej të përfitonte 110 milionë euro. Ndërsa ende sot nuk dihet se kush janë kompanitë e përfshira në rrjetin e ortakëve me grupin e Al-Kahyyat, që ruhen nga ligjet fiskale në Holandë.

Hetimet e SPAK-ut tregojnë një strukturë të gjerë me trashëgimtarë pretendentë, përfaqësues ligjorë, vendime gjyqësore, dokumente arkivore të kontestuara, regjistrime në kadastër, ndarje pasurish, kompani ndërmjetëse, blerës të mëvonshëm dhe zhvillues potencialë.

Në këtë strukturë, falsifikimi nuk shfaqet vetëm si akt penal i izoluar, por si një nga shkallët e para për të nisur krijimin e kapitalit, i cili merret përsipër të diskutohet dhe trajtohet si një territor i tërë zhvillimi.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *