23 persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit pas protestës së 2 korrikut para Parlamentit. Deri më tani shtatë prej tyre janë arrestuar dhe pritet të mbahen deri në 72 orë në ambientet e paraburgimit, deri në daljen para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Fillimisht, protestuesit goditën me vezë makinat e deputetëve, mes tyre edhe atë të kryetarit të Parlamentit Niko Peleshit, ndërsa përplasje pati edhe me deputetë të tjerë, të cilët hynin dhe dilnin nga Parlamenti. Ndërkohë, përfaqësues të Partisë Demokratike u pritën me thirrjet: “Nuk na përfaqësoni” dhe “Opozitë e shitur”.
Avokati Gentian Sejrani, i cili përfaqëson ligjërisht disa prej personave të shoqëruar, tha për Citizens se pritet që edhe personat e tjerë të mbahen të arrestuar.
Sipas Sejranit, veprat penale të referuara deri më tani janë “shkatërrimi i pronës”, “kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “prishja e qetësisë publike” dhe, në disa raste, “pjesëmarrja në tubime të paligjshme”.
“Për mua, me deklarimet që kanë dhënë përpara oficerëve të Policisë, askush prej tyre nuk ka treguar se ka kryer vepër penale, pra as dhunë, as shkatërrim prone, as kundërshtim të forcave të rendit”, thekson avokati.
Sipas Sejranit, disa prej të ndaluarve kanë deklaruar se përplasja ka ndodhur me truprojat e ish-ministrit Ulsi Manja.
Në rrjetet sociale janë publikuar video ku qytetarë tregojnë se janë dhunuar nga truprojat e ish-ministrit Manja në një lokal pranë Parlamentit. Sipas avokatit, deri më tani nuk ka dijeni për procedime ndaj tyre.
Qindra protestues janë mbledhur pranë Komisariatit nr. 1 për të kërkuar lirimin e të arrestuarve. Gjatë qëndrimit, protestuesit kanë larguar disa prej përfaqësuesve politikë, duke kërkuar që protesta të mbahet neutrale.
Gjatë protestës së sotme mbetën të dëmtuar edhe 12 punonjës policie, të cilët u vizituan në ambientet e Spitalit të Traumës nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Më 30 qershor, sërish pas përplasjeve përpara Parlamentit, u shoqëruan gjashtë persona, të cilët u liruan brenda pesë orësh, mes tyre edhe Dritan Goxhaj, i cili u arrestua sërish më 2 korrik.
“Mos e harroni asnjëherë, kush ngre dorën kundër Policisë së Shtetit ka goditur vetë shtetin! Shqipëria nuk mund të ketë kthim mbrapa, në kohë të errëta”, ka qenë një reagim i deputetit Taulant Balla në rrjetet sociale.
Ndërsa përfaqësues të mazhorancës, përfshirë kryeministrin, kanë hedhur akuza për “pisllëk dhe dhunë”, aktivistët kanë publikuar video në rrjetet sociale, ku tregojnë se dhuna është provokuar nga policia.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.