Skip to main content

Citizens.al

Revolucioni i Flamingove shkon sërish në Parlamentin Evropian

Foto ilustrim nga diskutimi në Parlamentin Evropian/Citizens/al

Europarlamentari i grupit të së majtës (The Left) Pasquale Tridico, organizoi të mërkurën, më datë 1 korrik në Parlamentin Evropian, një takim diskutimi me titull: Demokracia, Shteti i së Drejtës dhe Pjesëmarrja qytetare në Shqipëri.

Në takim morën pjesë europarlamentarë, përfaqësues të partive të majta nga shtete si Portugalia, Danimarka, Italia, Greqia, Gjermania etj, si dhe pjesëmarrës të shumtë nga diaspora shqiptare në Europë.

Tridico e hapi diskutimin duke theksuar se ky takim vjen në mbështetje të asaj çka po ndodh në Shqipëri, ku gra, burra dhe të rinj, janë bërë bashkë për të ngritur zërin e tyre dhe për të thënë se natyra shqiptare nuk duhet shkatërruar. Ai tha se ky takim, i vjen në ndihmë europarlamentarëve për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh në Shqipëri.

Europarlamentari deklaroi se ata bashkohen me shqetësimet e shqiptarëve dhe për këtë arsye kanë kërkuar që në takimin e radhës së Parlamentit Evropian, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Strasburg, kjo çështje të futet në rendin e ditës së diskutimeve të seances plenare. Kjo kërkesë është ende duke u shqyrtuar nga kryesia e parlamentit, por pavarësisht kësaj ata janë të përkushtuar për të mos ndaluar së foluri për këtë çështje.

Paneli i diskutanteve ishte i përbërë nga pesë vajza dhe gra, si një dëshmi dhe reflektim i zërave të vajzave dhe grave që po e mbajnë të gjallë protestën në Shqipëri.

Folësja e parë, Rudina Jasini, studiuese në universitetin e Oksfordit, theksoi se çështja e protestës në Shqipëri nuk duhet minimizuar në një rast të vetëm, por duhet kuptuar si çështje thelbësisht kushtetuese që na ndihmon të kuptojmë më mirë pushtetin dhe ligjin, si dhe për të kufizuar që pushteti politik të tejkalojë atë kushtetues.

Ajo ndau një përvojë personale, se si para disa vitesh, kur nisën punime në zonën e mbrojtur të Butrintit, kishte shkruar një analizë ligjore për të treguar se si amendimi i ligjit 21/2024 që lejonte punimet në Butrint, jo vetëm ishte jokushtetues por gjithashtu shkelte të gjitha konventat ndërkombëtare për zonat e mbrojtura.

Edhe pse analiza u dërgua në Gjykatën Kushtetuese (dhe një dosje e saj u dërgua në UNESCO), punimet vazhduan dhe sot projekti është po finalizohet në ndërtime që ajo i cilësoi në dukje si ‘favela turistike’. Jasini e mbylli fjalën e saj duke thënë se një vend që nuk siguron dot mirëqeniën bazike për qytetarët e vet, nuk mund të ndërtojë ide futuriste dhe kësaj shqiptarët po i thonë: Mjaft!

Folësoja e dytë, Brunela Mertiri, përfaqësuese e aktivistëve të lëvizjes Flamingo, me një rrëfim personal, tregoi se sot shqiptarët po ngrihen për të njëjtat shqetësime që brezat para tyre kanë vuajtur ndër vite. Ajo tregoi se si babai i saj, e quajti Brunela në nderim të hallës së saj, që humbi jetën gjatë kalimit të kanalit të Otrantos, në një kohë shumë të zymtë për Shqipërinë.

“Dhe sot janë të njëjtat shqetësime që i bëjnë shqiptarët të largohen nga Shqipëria, njësoj si në vitin 1997”, tha ajo.

Mertiri theksoi se demokracia ka dështuar nëse një vajze e re si ajo, jeton në një vend ku nga frika nuk mund të thuash të vërtetën. Ajo e mbylli fjalimin e saj me thirrjen për politikanët shqiptarë se ‘Ju erdhi fundi!’.

Marjana Koçeku, përfaqësuese e pavarur e parlamentit shqiptar, në fjalën e saj theksoi se një vit më parë kishte besuar që të rinjtë mund të sillnin ndryshimin si përfaqësues të Partisë Socialiste në parlamentin shqiptar, por pa që aty nuk kishte vend për zërin e të rinjve. Ajo kërkoi që integrimi europian të mos shihej thjesht si një ushtrim ekzekutiv por si një ushtrim gjithëpërfshirës demokracie.

“Demostratat reflektojnë pikërisht këtë, që njerëzit duan të marrin pjesë në vendimarrje dhe jo të jenë thjesht përfitues pasivë të proceseve”, u shpreh Koçeku.

Në të njëtin argument, Mirza Balaj, përfaqësuese e Lëvizjes Bashkë, shpjegoi se thirrjet e protestuesve për arrestimin e politikanevë dhe për një Shqipëri të re, kanë në thelb kërkesat e qytetarëve për të mbajtur politikanët përgjegjës dhe për një anëtarësim me dinjitet në Bashkimin Europian. Ajo theksoi se edhe si përfaqësuese e diasporës akademike shqiptare, ata janë të gatshëm që të kontribuojnë dhe të përfshihen në diskutime me parlamentin europian, për çdo nevojë që këta të fundit do të kenë në hartimin e qendrimeve të tyre për Shqipërinë.

Në fund Denisa Kasa, nga PPNEA, risolli në vëmendje të europarlamentarëve gjithë vlerat e zonave të mbrojtura në Shqipëri dhe veçanërisht të Vjosë-Nartës, për të treguar se shkatërrimi i dunave, siç ka ndodhur gjatë kësaj kohe është shembull i një dëmi të pakthyeshëm dhe mungesa e transparencës së qeverisë, e rëndon edhe më shumë situatën.

Ajo gjithashtu theksoi se çfarë po ndodh në Shqipëri nuk lidhet vetëm me shqetësime shqiptare. Fakti që kompanitë që po ndërmarrin këto veprime në Shqipëri, janë lejuar të regjistrohen në shtete te tjera të BE-së, si për shembull Holanda, duhet ta bëjë BE-në përgjegjëse, për veprimet e këtyre kompanive.

Në përgjigje të kësaj të fundit, si dhe disa pyetjeve nga pjesëmarrësit, europarlamentari Tridico tha se çështja që nisi protestat në Shqipëri është komplekse, pasi përfshin edhe shkelje të direktivave të BE-së për çështje të financimeve ligjore dhe atyre të taksave. Ndaj ata si europarlamentarë, po mendojnë të marrin një sërë hapash edhe për adresimin e këtyre çështjeve.

Në një lidhje live nga sheshi Skënderbej, Ervin Goci, aktivist, kërkoi që të bëhet më shumë nga BE-ja pasi mosveprimet e tyre po dëmtojnë shtyrjen përpara të asaj që protestuesit kërkojnë çdo ditë, për 31 ditë me radhë, tashmë.

I pyetur nga pjesëmarrësit nëse një projekti i ngjashëm me Zvërnecin do të ishte i mundur në një nga vendet e BE-së, europarlamentari Tridico, duke ndarë një përvojë personale bëri një krahasim me projektin italian për ndërtimin e një ure mes Kalabrisë dhe Siçilisë, projekt i cili gjithashtu prekte zona të mbrojtura dhe dëmtonte mjedisin dhe detin. Ai tha se pavarësisht ngulmimit të ministrit të infrastrukturës në Itali, për ta çuar projektin përpara, pas ngritjes së zërit në Parlamentin Europian dhe advokimit të vazhdueshëm, projekti u ndal.

Në mbyllje, një nga europarlamentarët e pranishëm, theksoi se ajo që po ndodh në Shqipëri është një zgjim edhe për vetë Bashkimin Europian, pasi çështje të ngjashme me ato që po ngrenë sot protestuesit në Shqipëri, ka edhe në Bashkimin Europian, ndaj Shqiptarët, tha ai, janë sot shembull se si të gjithe ne duhet të sillemi!

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *