Skip to main content

Citizens.al

Para nga fondi rezervë për koncertin e Kanye West; pikëpyetje mbi kriterin e emergjencës

Foto ilustrim/Citizens.al

Me Aktin Normativ të datës 6 korrik 2026, qeveria vendosi t’i kalojë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit 400 milionë lekë (rreth 4.2 milionë euro) nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për koncertin e reperit amerikan Kanye West.

Në relacionin shoqërues, qeveria argumenton se aktiviteti do të sjellë përfitime ekonomike, turistike, kulturore dhe promovuese për Shqipërinë. Por ky vendim ka ngritur pyetje mbi mënyrën sesi është përdorur një instrument financiar i krijuar për situata të jashtëzakonshme.

Dea Nini, eksperte ligjore shpjegon për Citizens.al se ligji nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, e koncepton fondin rezervë si një instrument të jashtëzakonshëm të administrimit të financave publike dhe një instrument i destinuar për situata të paparashikuara.

Sipas saj, fondi rezervë mund të përdoret vetëm për shpenzime jo të përhershme dhe të paparashikuara gjatë fazës së përgatitjes së buxhetit.

“Ky standard nuk lidhet thjesht me faktin që një shpenzim nuk është planifikuar, por me pamundësinë objektive për ta planifikuar atë”, shprehet Nini.

Për Ninin, legjislacioni shqiptar nuk përmban një dispozitë që autorizon në mënyrë të posaçme përdorimin e fondit rezervë për aktivitete kulturore apo evente të mëdha. Sipas saj, kriteri ligjor nuk lidhet me natyrën e aktivitetit, por me përmbushjen e kushteve që ligji vendos për përdorimin e këtij fondi.

“Nga pikëpamja juridike, fakti që një aktivitet mund të prodhojë përfitime ekonomike, turistike apo kulturore nuk mjafton, në vetvete, për të justifikuar përdorimin e fondit rezervë. Duhet të provohet se shpenzimi ishte objektivisht i paparashikueshëm dhe nuk mund të financohej përmes procedurave të zakonshme buxhetore”, thotë ajo.

Nini argumenton se në këtë rast duhet bërë dallimi mes interesit publik dhe standardit kushtetues të “nevojës dhe urgjencës” që parashikohet nga neni 101 i Kushtetutës.

“Këto janë dy standarde juridike të ndryshme dhe njëri nuk zëvendëson tjetrin. Edhe nëse pranohet se aktiviteti ndjek një interes publik, kjo nuk e përjashton detyrimin kushtetues për të provuar ekzistencën e rrethanave të nevojës dhe urgjencës që justifikojnë shmangien e procedurës normale parlamentare përmes nxjerrjes së një akti normativ me fuqinë e ligjit”, shpjegon Nini.

Dea Nini argumenton se përdorimi i fondit rezervë në këtë rast ngre pyetje për shkak se koncerti është një aktivitet i planifikuar më herët.

“Vetë Akti Normativ parashikon se financimi realizohet nga fondi rezervë, ndërkohë që koncerti është një aktivitet i planifikuar prej kohësh, organizimi i të cilit presupozon ekzistencën e negociatave, proceseve kontraktore dhe përgatitjeve të ndryshme të kryera paraprakisht”, thotë ajo.

Nini shprehet se relacioni shoqërues i aktit normativ e bazon urgjencën jo te paparashikueshmëria e aktivitetit, por te pasojat që mund të sillte anulimi i tij në një fazë të avancuar organizimi.

“Kjo ngre një pyetje thelbësore juridike: a ishte urgjenca objektive, apo u krijua si pasojë e mënyrës se si u menaxhua procesi administrativ?”, argumenton ajo.

Një tjetër pikë e ngritur nga ekspertja ligjore lidhet me procedurën e ndjekur për përdorimin e fondit rezervë. Sipas saj, ligji nr. 9936 parashikon një procedurë të detajuar përpara përdorimit të këtij fondi.

“Neni 45 parashikon një procedurë të detajuar për përdorimin e fondit rezervë, duke përfshirë një kërkesë të argumentuar, shpjegimin e arsyeve të mosplanifikimit, produktet e pritshme, kontributin në objektivat e institucionit dhe analizën e alternativave të tjera buxhetore”, thotë Nini.

Ajo shton se nga dokumentacioni publik nuk rezulton qartë nëse kjo procedurë është ndjekur dhe nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat e nenit 45.

“Në këtë rast, pyetja kushtetuese nuk është nëse procedura e nxjerrjes së aktit normativ është respektuar formalisht, por nëse ekzistonin realisht kushtet materiale që justifikonin përdorimin e kësaj kompetence me natyrë të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave”, shprehet ajo.

Edhe Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare ngre pikëpyetje mbi ekzistencën e një situate emergjente që do të justifikonte përdorimin e një akti normativ.

“Kushtetuta vetë nuk shprehet se kur është ky rasti i emergjencës, por shprehet në një nen tjetër që thotë që emergjenca janë tërmetet, fatkeqësitë natyrore si zjarret etj. që nuk varen nga njeriu. Në këtë rast nuk jemi në këto kushte”, thotë ai.

Sipas Xhemollarit, pas miratimit të aktit normativ, procedura duhet të vijojë në Kuvend.

“Këta pretendojnë se e kanë bërë edhe herë të tjera këtë lëvizje, por nga ana ligjore tani duhet që të kalojë në komisione parlamentare dhe pastaj ta votojë parlamenti. Pra nuk është se këto para i mori tani Kanye West. Do të ketë një procedurë brenda pesë ditëve”, shprehet ai.

Ai kërkon gjithashtu një kontroll mbi mënyrën sesi do të përdoren këto fonde.

“KLSH mendoj që duhet të auditojë dhe ne po përgatisim një shkresë për KLSH-në dhe për SPAK-un që të auditojë nëse kemi të bëjmë me dëm ndaj buxhetit të shtetit, duke ia dhënë paratë një biznesi privat apo jo, dhe për të hetuar më tej se si do të shpenzohen këto para dhe me çfarë logjike”, thotë Xhemollari.

Sipas tij, përdorimi i parave publike duhet të bazohet te interesi publik dhe jo te logjika e kthimit ekonomik.

“Është keqpërdorim i Kushtetutës për të financuar një biznes privat. Logjika juridike e shtetit nuk është logjikë biznesi, të japim katër na sill tetë, por është logjika e të mirës publike të përbashkët”, shprehet Xhemollari.

Sipas Dea Ninit, çështja juridike në këtë rast nuk është nëse koncerti përbën apo jo interes publik, por nëse janë provuar kushtet ligjore dhe kushtetuese që justifikojnë shmangien e procedurës së zakonshme buxhetore dhe parlamentare.

“Legjitimiteti i ushtrimit të kompetencave të jashtëzakonshme matet jo vetëm nga qëllimi që synohet të arrihet, por mbi të gjitha nga respektimi i kushteve dhe kufijve që Kushtetuta dhe ligji vendosin për ushtrimin e tyre”, përfundon ajo.

Lajmin për organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë e bëri të ditur më 30 prill Kryeministri Edi Rama, i cili e prezantoi ardhjen e artistit si një ngjarje historike për Shqipërinë. Në ditët e para pas njoftimit, institucionet shqiptare mohuan çdo financim publik për aktivitetin. Zyra e Kryeministrit dhe Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaruan se shteti nuk do të mbulonte kostot e organizimit të koncertit.

Edhe në një përgjigje zyrtare ndaj një kërkese për informacion nga Citizens.al më 10 qershor, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit deklaroi se për eventin “nuk është parashikuar asnjë fond publik, grant, subvencion apo mbulim shpenzimesh nga buxheti i shtetit”, duke theksuar se aktiviteti do të financohej nga organizatorët privatë.

Por më 6 korrik situata ndryshoi. Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ nr. 3, përmes të cilit 400 milionë lekë (mbi 4 milionë euro) u morën nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe iu kaluan Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për financimin e pjesshëm të aktivitetit.

Akti i jep gjithashtu ministrisë të drejtën të lidhë marrëveshje të drejtpërdrejtë me kompaninë organizatore, pa procedurë tenderimi publik.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *