Pasditen e kësaj të hëne, më 6 korrik, aktivistë dhe artistë të rinj u mblodhën pranë digës së liqenit të Paskuqanit ku realizuan një aksion simbolik me grafiti në mbështetje të protestave të përditshme të “Revolucionit Flamingo”.
Në murin pranë digës u pikturuan dhjetëra flamingo në fluturim dhe me gërma të mëdha u shkrua mesazhi “Tokë, ujë, liri”. Sipas organizatorëve, zgjedhja e kësaj vendodhjeje kishte për qëllim ta çonte mesazhin e protestës përtej qendrës së Tiranës, pasi lëvizja tashmë ka marrë një shtrirje mbarëkombëtare.
Për disa orë, aktivistët realizuan pikturat dhe shkrimet, ndërsa u shprehën se protestat synojnë mbrojtjen e pasurive publike dhe kundërshtimin e asaj që e konsiderojnë plaçkitje të tokës dhe burimeve natyrore nga oligarkia vendase dhe ajo ndërkombëtare.
Sipas Diana Malajt, aktiviste e Grupit “ATA”, toka dhe uji janë të mira të përbashkëta, ndaj qytetarët duhet të kundërshtojnë çdo përpjekje për t’i privatizuar apo grabitur.
“Mendojmë që Revolucioni Flamingo, pavarësisht dimensionit të tij shumëpërmasor, në thelb është për të përbashkëtat tona. Thelbi është për të luftuar dhe për të mbrojtur tokën, për të mbrojtur ujin, që oligarkia në bashkëpunim me shtetin, me oligarkët vendas dhe ndërkombëtarë, prej vitesh dhe dekadash po tenton ta plaçkitë dhe ta grabisë,” u shpreh Diana Malaj.
Gjatë aksionit u vizatuan gjithashtu mesazhe kundër Paketës së Maleve dhe ndryshimeve ligjore që prekin zonat e mbrojtura. Aktivistët kërkojnë anulimin e Paketës së Maleve, një nismë e qeverisë që synon zhvillimin ekonomik të zonave malore dhe frenimin e shpopullimit. Sipas tyre, kjo paketë favorizon investitorët e mëdhenj, rrezikon pasuritë natyrore dhe është hartuar pa konsultim të mjaftueshëm me komunitetet lokale.
“Vendosëm që në këtë pozicion të bënim një tufë flamingosh, të cilët duken sikur janë duke u ngritur në fluturim. Njëkohësisht, e shoqëruam me tekstin ‘Tokë, ujë, liri’, sepse toka dhe uji janë një e përbashkët dhe duhet t’i çlirojmë nga kjo tentativë plaçkitjeje dhe pushtimi shtetëror, që sa vjen e na ngushton gjithnjë e më shumë hapësirën tonë publike,” u shpreh aktivistja e Grupit “ATA”.
Edhe 26-vjeçarja Xheni Hajdari, një nga aktivistet pjesëmarrëse, tha se “Revolucioni Flamingo” duhet të zgjerohet dhe të përfshijë sa më shumë qytetarë, pasi protestat tashmë kanë marrë karakter gjithëpërfshirës.
“Toka dhe uji, natyra jonë, është në rrezik nga ndërtimet e paplanifikuara dhe nga abuzimi me pushtetin. Sot zgjodhëm Paskuqanin, sepse ndodhet pak më në periferi dhe pranë natyrës. Është një hapësirë e madhe ku mund ta përçojmë më mirë mesazhin tonë,” -u shpreh Hajdari.
Përveç sloganit “Tokë, ujë, liri”, në murin e pjerrët u realizuan edhe grafite me mbishkrimet “Kamza në protestë”, “Revolucioni Flamingo” dhe “RnB, BnB”, që i referohet parullës më të zëshme gjatë protestave: “Rama në burg, Berisha në burg.”

Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.