Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për 19 protestuesit e arrestuar pas protestës së 2 korrikut para Kuvendit. Dy prej tyre u lanë në masën “arrest në shtëpi”, për 12 u vendos masa “detyrim paraqitje”, ndërsa pesë të tjerë u liruan pa asnjë masë sigurie.
Dy protestuesit ndaj të cilëve u caktua masa “arrest në shtëpi” janë Everest Bardhi dhe Ervin Gega, të cilët do të vijojnë të hetohen nën këtë masë sigurie.
Protestuesit u arrestuan pas përplasjeve me policinë gjatë protestës së zhvilluar më 2 korrik përpara Kuvendit. Fillimisht, Prokuroria kërkoi masa më të rënda sigurie, por gjykata, sipas avokatëve, rrëzoi pjesën më të madhe të kërkesave të organit të akuzës.
Seanca gjyqësore zgjati më shumë se pesë orë dhe u ndërpre dy herë. Gjatë zhvillimit të seancës, protestuesi Niko Qarkaj, i cili vuan nga epilepsia, pësoi një krizë shëndetësore dhe u transportua me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
Një nga avokatët mbrojtës, Dorian Matlija, tha se për shumicën e protestuesve nuk kishte prova të individualizuara që justifikonin arrestimin.
“Arrestimi u konsiderua i ligjshëm në parim. Pati debat shumë të madh në këtë pjesë, sepse në këndvështrimin tonë, për shumicën prej tyre arrestimi ishte tërësisht i paligjshëm, pasi policia nuk kishte evidentuar asnjë sjellje konkrete dhe të individualizuar për shumë prej personave”, u shpreh Matlija.
Sipas tij, mbrojtja kërkoi që gjykata të mos legjitimonte ndëshkimin kolektiv të protestuesve.
“Ajo çfarë iu kërkua gjykatës ishte të mos lejonte të instrumentalizohej as gjykata, as prokuroria, për t’u dhënë një mesazh protestuesve se edhe nëse sillen korrekt në protestë dhe nuk ushtrojnë dhunë, mund të arrestohen për shkak të veprimeve të individëve të tjerë. Kjo është ajo që ndodhi me shumë prej të arrestuarve”, deklaroi avokati.
Sipas mbrojtjes, dosja e Prokurorisë është mbështetur kryesisht në materialet e referuara nga policia, ndërsa pritet që në vijim të shqyrtohen edhe pamjet filmike të protestës. Avokatët mbrojtës shprehen se analiza e këtyre pamjeve mund të ndikojë në ecurinë e hetimeve dhe në vlerësimin e përgjegjësisë individuale të secilit protestues.
151 protestues janë referuar deri tani në Prokurorinë e Tiranës për ndjekje penale, pa u kërkuar ndaj tyre asnjë masë sigurie. Të parët për të cilët organi i akuzës kërkoi vendosjen e masave të sigurimit janë protestuesit e ndaluar gjatë protestës së zhvilluar paraditen e 2 korrikut para Kuvendit.
Lexo gjithashtu:
KShH ngre shqetësime për përdorimin e forcës ndaj protestesve të 2 korrikut
Protesta para Parlamentit: përplasje, arrestime dhe akuza për dhunë policore
“Mos dil më në protestë”: qytetarët rrëfejnë presionin pas tubimeve

Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.