Eurodeputetja gjermane e Grupit të Gjelbër, Jutta Paulus, publikoi të martën emailin që kishte marrë nga deputetët socialistë Taulant Balla dhe Bora Muzhaqi, një ditë para votimit në Parlamentin Evropian të rezolutës për Shqipërinë.
Në email, dy zyrtarët shqiptarë u kërkonin eurodeputetëve të mos mbështesnin amendamentet 4 dhe 17 të rezolutës, të cilat lidhen me zonat e mbrojtura dhe projektin turistik në Zvërnec.
Publikimi i emailit erdhi një ditë pasi eurodeputetja Paulus mori pjesë në protestën qytetare në Tiranë, bashkë me të tjerë eurodeputetë, mes tyre edhe Zëvendës Presidenti i Parlamentit Evropian Nicolae Stefanuta. Ndërsa një ditë më vonë, eurodeputetët vizituan Zvërnecin.
“Kjo është prova se ata u përpoqën, le të themi, të ndikonin tek ne. Ishte një qasje shumë e sjellshme, nuk po ushtronin presion dhe as nuk po kërcënonin, por po thoshin se gjithçka bazohej në dezinformim, në agjentë të huaj e të tjera pretendime të ngjashme”, u shpreh Jutta Paulus për Citizens.al, ndërsa ishte në Zvërnec për të parë nga afër pasojat e “punimeve provizore” në zonë.
Emaili, i dërguar më 16 qershor nga deputetët Bora Muzhaqi dhe Taulant Balla, argumenton se amendamentet 4 dhe 17 nuk bazohen në premisa të vërteta, por janë rezultat i një fushate dezinformimi për të shtrembëruar të vërtetën.
Sipas emailit, projekti në Zvërnec nuk ka ende një leje ndërtimi dhe se përpara çdo ndërtimi do të kryhet një vlerësim i thelluar i ndikimit në mjedis, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian. Po ashtu, në email thuhej se toka ku parashikohet zhvillimi është pronë private dhe qeveria shqiptare nuk është palë në transaksionet e pronësisë.
Në fund të emailit, deputetët Balla dhe Muzhaqi shkruajnë:
“Në të njëjtën frymë konstruktive ju kërkojmë me respekt vëmendje ndaj kësaj çështjeje dhe të mos mbështesni amendamentet 4 dhe 17”.
Publikimi i emailit nga eurodeputetja gjermane solli reagim të deputetes Bora Muzhaqi.
“Është për të ardhur keq që një anëtare e nderuar e Grupit të Gjelbër në Parlamentin Evropian jep një shembull kaq të dobët: së pari duke bërë një ‘sqarim’ pa kërkuar falje për një pasaktësi të rëndësishme faktike dhe, së dyti, duke pretenduar se ne e kemi keqparaqitur situatën”, shkroi Muzhaqi, duke iu referuar faktit se eurodeputetja tha para qytetarëve se emaili ishte dërguar nga kryeministri Rama, por më pas u saktësua në publikimin e emailit.
Ajo shtoi se eurodeputetja Paulus kishte udhëtuar në Shqipëri për të protestuar, ndërsa nuk e kishte vizituar më herët vendin.
Sipas Muzhaqit, emaili nuk kishte si synim të bindte eurodeputetët të votonin kundër mbrojtjes së mjedisit.
“Ne nuk ju kërkuam të votonit kundër mbrojtjes së mjedisit. Ju kërkuam të mos mbështesnit amendamente të bazuara në pretendime që nuk korrespondonin me faktet. Debati demokratik ndërtohet mbi fakte, jo mbi narrativa që ushqejnë propagandë kundër të tjerëve”, shkroi ajo.
Eurodeputetja gjermane Paulus i tha Citizens.al se deputetët shqiptarë u përpoqën ta largonin vëmendjen nga çështja thelbësore.
“Por ne kemi shumë prova për atë që ka ndodhur, përfshirë fotografi, si edhe atë që parashikon legjislacioni shqiptar. Unë besoj se nuk është një veprim i mirë që një politikan të përpiqet të punojë me këtë lloj informacioni. Është sikur të ngresh argumente të rreme, sepse ose duhet të kesh argumente të forta kundër asaj që unë kërkoj, ose është më mirë ta lësh çështjen ashtu siç është”, deklaroi Jutta Paulus për Citizens.al.
Më 17 qershor, Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025, duke shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë.
Eurodeputetët u kërkuan autoriteteve shqiptare të shfuqizojnë ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda këtyre territoreve dhe dobësojnë mekanizmat e mbrojtjes mjedisore.
Në rezolutë kërkohet gjithashtu: “Një moratorium i menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura dhe të garantohet përputhja e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës.”
Lexo gjithashtu:

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).