Gjashtë protestues u shoqëruan nga Policia e Shtetit pas protestës së zhvilluar paraditen e së martës para Kuvendit të Shqipërisë.
Protesta nisi para Kuvendit, ndërsa brenda godinës po zhvillohej seancë plenare, mirëpo u përshkallëzua në dhunë të policisë ndaj protestuesve, pasi këta të fundit hodhën vezë drejt makinave të deputetëve.
Sipas aktivistit Edison Lika, protesta ishte paqësore dhe ndërhyrja e policisë erdhi kur ajo po përfundonte.
“Ne po protestonim paqësisht, siç kemi bërë për më shumë se 30 ditë. Kur protesta thuajse po mbyllej, policia mori urdhër të sulmonte protestuesit dhe t’i dhunonte ata. Nuk pati përleshje me policinë, por një sulm nga ana e saj. Gjashtë qytetarë që po protestonin paqësisht u shoqëruan”, u shpreh Lika për Citizens.al.
Fillimisht, sipas Likës, aktivistëve iu komunikua se të shoqëruarit ishin dërguar në tre komisariate të ndryshme të Tiranës, çka bëri që të shpërndanin avokatët në disa pika. Më pas u konfirmua se të gjashtë ndodheshin në Komisariatin nr. 1.
“Kjo protestë, e thirrur në orën 10 për t’i paraprirë asaj të mbrëmjes para Kryeministrisë, u kthye në një protestë maratonë. Ne nuk do të largoheshim pa u liruar protestuesit”, tha ai.
Fillimisht qytetarët u mblodhën para Drejtorisë së Policisë së Tiranë, prej nga ku kërkuan lirimin e gjashtë qytetarëve të shoqëruar. Me thirrjet “lironi shokët tanë” ata qëndruan para Drejtorisë së Policisë së Tiranës për më shumë se dy orë, për të marshuar më pas drejt Komisariatit të Policisë numër 1, ku edhe qëndronin të shoqëruarit.
Të shoqëruarit dolën njëri pas tjetrit, pas pothuajse një ore nga mbërritja e qytetarëve, duke i mirëpritur me brohoritma mbështetëse.
Njëri prej tyre, Asim Prengezaj tha për Citizens.al se ata kishin qenë në mbrojte të policëve.
“Kam 24 ditë bashkë me miqtë e mi që mbrojmë policinë nga protestuesit dhe kjo është arsyeja që jam ndaluar sot”, u shpreh ai me ironi.
Edhe një tjetër qytetar i shoqëruar ndërsa tregonte për mediat videon e tij gjatë përplasjes me policinë u shpreh se kishin qenë duke bërë gardh për të mbrojtur policinë.
“Policia na mori zvarrë”, deklaroi ai.
Asim Prengezaj shtoi se komunikimi me efektivët gjatë qëndrimit në komisariat kishte qenë korrekt.
“Policia është e jona. Është shtresa më e keqpërdorur prej 36 vitesh. Ata thjesht marrin urdhra dhe përdoren nga njerëzit e gabuar“, deklaroi Prengezaj.
Edhe protestuesi tjetër i shoqëruar, Dritan Goxhaj, deklaroi se trajtimi brenda komisariatit kishte qenë normal.
“Na është dhënë telefoni për të lajmëruar familjarët. Nuk ka akuzë, ka vetëm shoqërim me arsyetimin ‘kundërshtim i punonjësve të policies”, u shpreh Goxhaj.
I pranishëm në Komisariatin numër 1 ishte edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani. Avokati i Popullit i konsideroi videot e shpërndara nga protesta për Kuvendit si të pajustifikueshme dhe sipas tij në vlerësimi paraprak sjellja e policisë së shtetit është shporpocionale.
“Do ta hetojmë dhe do të rekomandojmë masa nga i pari deri në fund të zinxhirit të vendimmarrjes. Kush e ka thënë vendimin, si është bërë ndërhyrja sepse e drejta kushtetues për të protestuar nuk mund të kufizohet as nga sjelljet e një punonjësi policie, as nga urdhrat e drejtuesve të policisë, por do të mbarojmë hetimin”, u shpreh Endri Shabani, ndërsa deklaroi se ato video janë jashtëzakonisht shqetësuese.
Gentian Sejrani, avokat i njërit prej të shoqëruarve tha për Citizens.al se ndaj tyre do të fillohet procedim penal dhe se akuzat janë për kundërshtim të forcave të rendit dhe organizim dhe pjesëmarrje në aktivitete të paligjshme.
Sejrani tha se afati ligjor i shoqërimit është respektuar, por ngriti shqetësime për të drejtën e aksesit të avokatëve.
“Sa i përket kohës së mbajtjes në komisariat, policia ishte brenda afatit ligjor. Por e drejta e avokatëve për t’u takuar me të shoqëruarit nuk u respektua“, tha Sejrani.
Ai shtoi se gjatë ndërhyrjes pati përdorim të dhunës nga efektivët dhe se kjo duhet të hetohet nga Prokuroria, paralelisht me procedimin ndaj protestuesve.
Pas disa orësh qëndrimi para Komisariatit nr. 1, gjashtë protestuesit u lanë të lirë, ndërsa aktivistët deklaruan se do të vijojnë protestat dhe se do të ndjekin rrugët ligjore për të kundërshtuar veprimet e policisë gjatë ndërhyrjes.
Prej nisjesh së protestës Policia e Shtetit ka referuar afër 150 protestues në Prokurori, të cilët kanë protestuar app marshuar në mënyrë paqësore në shesh.
Lexo gjithashtu:

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).