Skip to main content

Citizens.al

Nikaj-Mërturi organizohet në protestë për mbrojtjen e lumit

Foto ilustrim nga ndërhyrjet në lumin Mërtur/Citizens.al

“A mun erdhët” ishte përshëndetja që dëgjohej mes banorëve që po mbushnin dalëngadalë vendodhjen pranë urës së Mërturit, në Nikaj-Mërtur të Tropojës.

Përbri, ndërsa vendi gjallonte nga banorët e zonës dhe të tjerë të ardhur nga diaspora, gurgullima e lumit Mërtur qëndronte në sfond. Ky lumë, i cili rrjedh në zemër të alpeve ishte edhe arsyeja e bashkimit të 300 banorëve të kësaj zone në protestë, për të kundërshtuar ndërhyrjet në të.

Në shtratin e tij fadromat krijuan një rrugë duke e shtyrë lumin e duke devijuar rrjedhën e tij.

Një projekt me një afat 22 muajsh i Korporatës Elektroenergjietike Shqiptare (KESH) parashikon ndërtimin e tri pritave malore (diga) në këtë lumë, ndërsa afër tre javë më parë punimet nisën, duke mos venë në dijeni banorët e zonës.

Tabela e punimeve e vendosur pasi banorët lajmëruan protestë/Citizens.al

Sipas projektit, qëllimi i pritave është për të parandaluar inertet që sjell lumi.

“Ky lumë është ndër lumenjtë më të egër që ka rrethi i Tropojës dhe Malësia e Gjakovës. Niset në bjeshkë të Currajt të Epërm që përshkrohet nga shkëmbij shumë të egër e vjen në Curraj të Poshtëm, Shëngjergj, përshkron Toshën, Tetajt, Lekbibajn edhe hidhet në liqen”, u shpreh për Citizens.al Nikoll Hasaj, nga Currajt e Poshtëm.

Sipas banorëve këto ndërhyrje janë të panevojshme, pasi lumi është i pastër dhe nuk sjell asnjëherë mbeturina.

“Po bëhen këto prita thjesht sepse duhet një punë për të vjedhur një sasi lekësh dhe këtu e kanë gjetur. 9 milionë euro për këto prita, në një kohë që nga Curraj i Epërm rrjedhin 750 familje dhe nuk merret asnjë masë, asnjë veprim”, u shpreh Pëllumb Qokaj nga Currajt e Epërm.

Mes banorëve të pranishëm, shumica burra e të rinj, janë bashkuar edhe vajza dhe gra, të cilat tanimë janë larguar nga fshatrat, por vijojnë të mbeten ende të lidhura me natyrën dhe lumin.

“Jam bijë në Nikaj-Mërtur, dhe pashë lajmin që po na preket lumi i Mërturit, erdhëm të gjithë nga Tirana që këtu nuk duhet të preket lumi i Nikaj-Mërturit”, u shpreh Lumnije Preka, ndërsa mbante ne dorë një shall të kuq me simbole patriotike.

Banorët gjatë protestës në Nikaj-Mërtur/Citizens.al

Ajo çfarë i ka irrituar më së shumti banorët është përcaktimi në dokumentacionin e projektit të lumit Mërtur si një përrua. Për banorët, ky përkufizim nuk përputhet as me historinë dhe as me realitetin në të cilin ata janë rritur.

“Ky lumë që e kanë bërë përrua, në raste të veçanta sjell deri në 2 mijë metra kub për sekondë ujëra. Nuk ka lenë urë pa mbytur në kohën e vet sepse është një lumë shumë përbindësh. Këta zotërinjtë e kanë quajtur përrua, kanë ardhur dhe kanë hyrë dhe e kanë prishur komplet shtratin e lumit. Kanë hyrë pa tabelë, pa program, pa asnjë lloj gjëje”, u shpreh Nikoll Hasaj nga Currajt e Poshtëm.

Qendim ky i mbështetur edhe nga banorë të tjerë të cilët u shprehën se ky lumë është ndër më të pastrit, ku edhe rritet trofta me pullë të kuqe.

Kriselda Prendi, pjesëmarrëse në protestë, u shpreh se ndjen keqardhje kur përdoret termi përrua, përkundrejt lumit.

“Për cfarë ndërtohen këto prita. Këto prita ndërtohen për të pritur gurë e sedimente? Për cfarë e prekin lumin e Mërturit? Apo mbaruan punë duke betonizuar Tiranën e gjithë Shqipërinë, duke shkatërruar vijën bregdetare e tani duan të prekin malet tona, lumenjtë tanë”, u shpreh Kriselda Prendi.

Për Paulin Paplekajn, avokat me profesion, kategorizimi si përrua dhe jo lumë, nuk vjen pa një qëllim.

“Nuk e quajnë përrua për të ulur dinjitetin tonë sepse se kanë bërë kurrë dhe s’mund ta bëjnë kurrë. Por e quajnë përrua sepse ka qenë e vetmja mënyrë për të vjedhur ca lekë në këtë”, u shpreh Paplekaj.

Banorët kanë kundërshtuar edhe mënyrën si është hartuar projekti, duke ngritur pikëpyetje për vlerësimn e ndikimit në mjedis.

“Janë 10 prita, të ashtuquajtura prita që fillojnë nga 7.5 metra për grumbullimin e inerteve, sedimenteve që quhen në gjuhën teknike dhe mbrapa këtyre në një lartësi rreth 30 metra do të ketë blloqe betoni dy metrorshe”, u shpreh Paulin Paplekaj.

AI shtoi më tej se procedurat e projektit kanë probleme.

“Ajo që duhet të ishte oponencë projekti, vlerësimi i ndikimit në mjedis është bërë në 2019, pra imagjinojeni vlerësimi në mjedis është bërë në 2019 dhe në 2022 i është bashkangjitur bashkë me hartuesin e projektit. Dy hartuesi i projektit sot janë prapa hekurave”, u shpreh Paulin Paplekaj.

Gjatë shkrimit të mesazhit të protestës/Citizens.al

Besjana Guri nga Qendra LUMI, e cila kishte ardhur në mbështetje të banorëve u shpreh për Citizens.al se pasojat e punimeve të deritanishme janë të dukshme në shtratin e lumit.

“Më pak se dy javë më parë ku makineritë kanë devijuar komplet shtratin e lumit përreth një kilometër, duke vendosur një rrugë kalimi, pra duke krijuar një rrugë kalimi për të ndërtuar digat. Një ndërhyrje e pa lajmëruar, banorë të pa informuar, të pabërë pjesë të një dëgjese publike më parë dhe pa një tabelë informacioni”, u shpreh Besjana Guri.

Sipas saj , kjo ndërhyrje është pjesë e një fenomeni më të gjerë të ndërhyrjeve në lumenjtë shqiptarë, duke zhvendosur rrezikun tanimë në zemër të alpeve.

“Nuk mund të vazhdojmë me ndërhyrje në lumenj dhe me sakrifikimin e lumenjve dhe bukurive tona natyrore siç kemi bërë me Valbonën, siç kemi bërë me Cemin e të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë me të gjitha”, deklaroi Guri, ndërsa renditi pasojat e këtyre ndërhyrjeve.

“Kjo është një prej ndërhyrjeve të shumta që Shqipëria po i bën lumenjve, duke çuar në pakësim të rrjedhës natyrore prej 28% në vetëm 7 vitet e fundit. Në një kohë kur duhen bërë studime të thelluara për të vlerësuar dëmin mjedisor nga ndërhyrjet e deritanishme, nuk mund të vijohet me projekte që dëmtojnë lumenjtë në mungesë të këtyre studimeve”, tha Besjana Guri.

Pas lajmërimit për protestë të banorëve, njësia administrative e Lekbibajt kishte njoftuar një dëgjesë publike për datën 5 korrik, të njëjtën ditë me protestën e planifikuar nga banorët. Duke parë mobilizimin për protestë dëgjesa u anulua. Administratori i Njësisë Administrative iu bashkua banorëve në protestë ku u shpreh se do të qëndrojë në krah të tyre për të kërkuar transparencë mbi projektin.

“Nuk jemi kundra zhvillimit. Por gjithmonë kur këto investime bëhen në transparencë të plotë me ju, në harmoni me mjedisin, pa e dëmtuar atë dhe në interes të zonës së Nikaj-Mërturit”, deklaroi Besard Ndoja nga Njësia Administrative Lekbibaj.

Banorët thonë se protesta e së djelës ishte vetëm fillimi. Ata kërkojnë pezullimin e projektit, transparencë të plotë dhe përfshirjen e komunitetit në çdo vendimmarrje që prek lumin e Mërturit.

Ata nisën edhe nënshkrimin e një peticioni që kërkonte ndalimin e këtij projekti me ndikim në mjedis.

Një zonë e harruar nga shteti

Kreshat e maleve, ku sipas “Çajld Harold” të Bajronit shqipja mpreh sqepin, janë mbështjellur tatëpjetë me gjelbërim, ndërsa pak më tutje qëndron një kryq i madh i dukshëm prej së largu.

Matanë kryqit ndodhet Curraj i Epërm, por banorët shprehen se do të duhen orë të tëra në këmbë për të mbërritur, për shkak të mungesës së rrugës.

Mungesa e investimeve dhe vëmendjes shtetërore vihet re ngado në Nikaj-Mërtur.

“Kjo zonë është e mbetur larg pushtetit. Këtu në këtë zonë asnjë investim, ka 15 vjet që nuk bëhet. As një metër kub asfalt, as një metër kub zhavorr. Këtu domethënë vijnë të vjedhin ujin, nuk vijnë të na bëjnë ndonjë gjë”, shprehet Nikoll Hasaj nga Currajt e Poshtëm.

E shoqëruar nga vajza e saj, lumi i bë shkas për rikthimin e Lumnije Prekës në vendlindje, ku për shkak të mungesës së investimeve shumë banorë janë detyruar të largohen.

“Sepse këtu nuk kanë bërë infrastrukturë, as rrugë makine, as drita, asgjë asnjëherë nuk kanë bërë. Kështu që edhe në pasurinë tonë nuk duhet të futen asnjëherë”, shtoi më tej Lumnije Preka.

Jurgen Palnikajn bashkë me vëllain e tij Besnik Palnikajn denoncuan situatën fillimisht në median lokale “Nikaj Mërtur News”. Edhe pse me një jetë të ndërtuar tashmë në Angli, ata nuk kanë reshtur së qenuri fizikisht në vendlindje, duke dhenë kontributin e tyre.

Në fjalën e mbajtur para banorëve, Palnikaj u shpreh se kur vjen fjala e zhvillimi, banorët janë të parët që e duan, po jo në këtë formë, duke shkatërruar pasuritë natyrore.

“Kemi kërkuar rrugë, kemi krkuar shkolla, shërbime dhe mundësi për të jetuar në vendin tonë. Por është e çuditshme. Kur kërkojmë rrugë na thotë prisni, kur kërkojmë investime, na thonë nuk ka fonde, ndërsa për të hyrë me fadroma në lumë rruga gjendet e shpejtë”, tha Jurgen Palnikaj.

Krahina e Nikaj-Mërturit gëzon statusin e Parkut Natyror Rajonal që prej vitit 2014 dhe gjendet në zemër të Alpeve Shqiptare një zonë me potenical të lartë të turizmit natyror dhe me biodiversitet të pasur.

Lexo më shumë:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *