Në episodin e 63-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është akademiku Ali Aliu.
Aliu rrëfen burgosjen në Beograd shkaku i grupit “Përpjekja”
Akademiku Ali Aliu ka rrëfyer për periudhën kur u burgos si pjesë e grupit të studentëve shqiptarë në Beograd, të njohur si “Përpjekja”. Në bashkëbisedimin me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Aliu ka treguar se pas burgut kishte dalë shumë i dobësuar.
Surroi ka rikujtuar se Aliu dhe disa nga shokët e tij ishin marrë në burg me pretendimin se përbënin një grup armiqësor, duke shpjeguar se “Përpjekja” ishte grupi i parë i studentëve shqiptarë në Beograd, i cili kishte synim krijimin e një grupi me karakter muzikor, kulturor e letrar.
“...vetëm ta përmendim, ‘Përpjekja’ ishte grupi juaj, grupi i parë i studentëve shqiptarë në Beograd, i cili u përpoq të krijojë një grup muzikor, kulturor e letrar. Kjo ishte ideja”, ka treguar Surroi.
Aliu ka përmendur disa nga emrat që ishin pjesë e këtij grupi.
“Po, me Latif Berishën, Agim Gjakovën, Zekeria Canën, Ymer Jakën, Din Mehmeti...”.
Sipas Aliut, nga grupi i iniciatorëve, në burg kishte përfunduar vetëm ai.
“Po si ndaj nesh që kishim qenë iniciatorët, nga seksioni jonë, në burg kisha qenë vetëm unë. Zeqa ishte i historisë, nuk ishte në seminarin tonë, po edhe Din Mehmeti”, ka thënë Aliu.
Aliu: Beogradi një herë i provonte projektet e dhunës në Maqedoni, mandej i ushtronte në Kosovë
Akademiku Ali Aliu ka thënë se represioni ndaj shqiptarëve në Maqedoni, sipas tij, shërbeu si një lloj “poligoni” ku Beogradi provonte forma të ndryshme të dhunës dhe torturës, para se t’i ushtronte më pas në Kosovë.
Në bashkëbisedimin me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Aliu është pyetur pse ekziston perceptimi se represioni ndaj shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë më i madh sesa në viset tjera shqiptare, posaçërisht në Kosovë.
“Në fillim, unë për vete flas, nuk e kuptonja. Më vonë u pa qartë që për shumë projekte, dhune dhe torture Beogradi një herë i provonte në një poligon, siç ishte Maqedonia e mandej i ushtronte në Kosovë”, ka thënë Aliu.
I pyetur nga Surroi për shembuj konkretë, Aliu ka përmendur një sërë masash që, sipas tij, prekën shqiptarët në Maqedoni.
“Për shembull, bënte mure, rrethonte për shembull, mure shtëpish, oborre, kufizonte këngët e caktuara; kufizonte emërtime; sllavizonte toponime; ne do të thoshim Skopje, jo Shkup”, tregoi ai.
Surroi ka sjellë si shembull edhe vendimin për përdorimin e emërtimeve maqedonase në vend të atyre shqipe.
“Ishte nonsensi i asaj kohe, në vitet 1983-1984, ishte vendimi që në shqip nuk mund të thuhej Tetovë, po duhej Tetovo”, ka thënë Surroi.
Gjatë bisedës, Surroi e ka pyetur nëse këto masa kishin ekzistuar edhe para vitit 1981.
“Po, edhe më përpara, edhe më përpara, meqë unë punonja në faqet e kulturës edhe nga kultura shqiptare nuk kishte ndonjë gjë, se ishte një revistë që u bë dikur, ‘Jehona’, ishte një Teatër i kombësive, gjysmë ishte në turqisht, gjysmë ishte shqip...”, ka treguar Aliu.
Aliu: Hendekun mes shqiptarëve dhe shtetit të Maqedonisë e ndjeva pas shkollës së mesme
Akademiku Ali Aliu ka rrëfyer se një nga momentet kur e ka ndier krijimin e një hendeku më të madh mes shqiptarëve dhe shtetit të Maqedonisë ka qenë pas kthimit të tij nga Beogradi në vitet ’40 kur përfundonte shkollën e meme.
“Unë atë e kam ndier, mbasi u ktheva nga Beogradi. Në shkollë të mesme, e tash nga Manastiri u regjistrova në normale, e ishte e vetmja shkollë e mesme e shqip në Maqedoni”, ka treguar ai.
Në bashkëbisedimin me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Aliu ka treguar për arsimin shqip në atë periudhë dhe kushtet në të cilat mësonin shqiptarët në Maqedoni.
“Nuk kishte shkollë tjetër. Kishte në Tetovë vetëm nga një paralele në gjimnazin "Qiril Pejçinoviq" në maqedonisht”, vijoi ish-gazetari.
Më pas, Aliu është ndalur te kujtimet nga Manastiri dhe periudha e shpërnguljeve të mëdha të shqiptarëve drejt Turqisë.
“Në Manastir, mbaj mend këtë detaj: që ishte fillimi i viteve '50, 1952-3-4, domethënë kështu i binte, 1955 ndoshta, është koha e shpërnguljeve, dyndjeve më të mëdha të shqiptarëve drejt Turqisë”.
Aliu ka treguar më pas për pamjet që, siç thotë, i shihnin pothuajse çdo mbrëmje në stacionin e trenit në Shkup, ku shumica ishin kosovarë.
“Edhe që ato detaje në s'i dinim po ne dilnim në mbrëmje, se çdo mbrëmje nisej një tren i gjatë, nga stacioni i trenit në Shkup që ka qenë stacioni i trenit nga më të mirit, thoshin i Beogradit po se po..., po në Ballkan. Nuk e di a e mbrrive ti. Edhe ne shkonim në atë hollin e madh atje edhe shihnim familje, krejt holli i mbushur me familje shqiptare që mbanin me vete, pranë vetes, dengje të lidhur me dyshegje, me çdo gjë që mundnin të merrni nga shtëpia”, ka thënë ai.