Ndërkohë që temperaturat e larta pritet të na shoqërojnë edhe gjatë muajit shtator, vapa e tejzgjatur po vazhdon të krijojë vështirësi të shtuara për personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Veçanërisht të ekspozuar janë të moshuarit dhe pacientët me sëmundje neurologjike, të cilët mund ta përballojnë më me vështirësi nxehtësinë dhe ndryshimet e forta të temperaturave gjatë ditës.
Moshat e treta që vuajnë nga sëmundje neurodegjenerative, si Parkinsoni, demenca apo Alzheimeri, konsiderohen ndër grupet që kërkojnë më shumë vëmendje gjatë ditëve me temperatura të larta. Gjendja e tyre shëndetësore, mosha dhe vështirësitë që mund të kenë në komunikimin e nevojave të tyre e bëjnë më të rëndësishëm monitorimin e vazhdueshëm nga familjarët dhe kujdestarët.
Një nga problematikat kryesore gjatë periudhave të vapës mbetet dehidratimi. Temperaturat e larta bëjnë që organizmi të humbasë më shumë lëngje, ndërsa jo të gjithë pacientët, sidomos ata me probleme të kujtesës apo orientimit, e perceptojnë në kohë nevojën për të pirë ujë. Për këtë arsye, hidratimi nuk duhet lënë vetëm në dorë të pacientit, por duhet të bëhet pjesë e kujdesit të rregullt gjatë gjithë ditës.
Mjekët këshillojnë që personat e moshuar dhe pacientët me sëmundje neurologjike të shmangin sa më shumë ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut. Daljet në ambientet e jashtme duhet të planifikohen në orët më të freskëta të mëngjesit ose në mbrëmje, ndërsa ambientet e banimit duhet të ajrosen dhe të mbahen në temperatura sa më të përshtatshme.
Vëmendje duhet treguar edhe ndaj ndryshimeve të papritura në gjendjen e pacientit. Dobësia e theksuar, marramendja, konfuzioni, përgjumja e pazakontë, vështirësitë në orientim apo përkeqësimi i përgjithshëm i gjendjes mund të jenë sinjale që nuk duhen neglizhuar. Te pacientët neurologjikë, ndryshime të tilla mund të jenë më të vështira për t’u dalluar, pasi disa prej simptomave mund të ngatërrohen me vetë sëmundjen bazë.