Çfarë pritet të hënën? Protesta kundër qeverisë hyn në ditën e 98-të

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Protestat kundër qeverisë vijojnë sot në Tiranë, duke shënuar ditën e 98-të të aksionit qytetar. Protestuesit pritet të mblidhen sërish në kryeqytet, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Pas gati 100 ditësh protestë të pandërprerë, vëmendja është përqendruar tashmë te dita e 100-të, e cila pritet të shoqërohet me një mobilizim më të gjerë. Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar për të hënën në Tiranë.

Dita e 97-të, nga Gjykata Penale te Kryeministria

Edhe dita e 97-të e protestës u shoqërua me disa zhvillime. Aksioni i së premtes nisi që në orët e paradites përpara Gjykatës Penale, ku protestues dhe aktivistë u mblodhën në mbështetje të personave të arrestuar pas përplasjeve të 1 shtatorit pranë Kryeministrisë.

Gjykata vendosi lirimin e 14 protestuesve të arrestuar. Vendimi u konsiderua nga aktivistët si një rezultat i rëndësishëm i presionit të tyre, ndërsa ata deklaruan se arrestimet nuk do të ndikojnë në vijimin e aksionit.

Në mbrëmje, protestuesit u zhvendosën në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin drejt Kryeministrisë.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa qytetarët mbanin pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe në mbështetje të protestuesve të arrestuar gjatë ditëve të fundit.

Pas fjalimeve përpara Kryeministrisë, marshimi vijoi përgjatë bulevardit dhe disa prej rrugëve të kryeqytetit. Protestuesit përsëritën kërkesën për largimin e kryeministrit dhe paralajmëruan se aksioni qytetar do të vazhdojë.

Çfarë pritet të ndodhë në ditën e 100-të?

Në fokusin e protestës së ardhshme është tubimi i së hënës, kur lëvizja protestuese do të shënojë 100 ditë nga nisja e aksionit.

Aktivistët kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më të madhe dhe kanë paralajmëruar rrethimin e Kryeministrisë. Përveç dorëheqjes së Edi Ramës, protestuesit kërkojnë edhe largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.

Tubimi i 100-të pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme të kësaj proteste, për shkak të mobilizimit që organizatorët synojnë të realizojnë në Tiranë.

Protesta pritet të zhvendoset edhe para Parlamentit

Krahas aksionit të paralajmëruar për të hënën, protestuesit kanë sinjalizuar se protestat do të vijojnë edhe përpara Parlamentit pas rikthimit të Kuvendit në aktivitet.

Sesioni parlamentar pritet të nisë të martën, më 8 shtator, një ditë pas protestës së 100-të. Për këtë arsye, java e ardhshme pritet të nisë me një klimë të fortë politike dhe me protesta të tjera të paralajmëruara në kryeqytet.

Publikuar nga Publik Media