Rasti Luan Muça, skenari i montuar i “gjobëvënies” nga policia dhe mafia e tokave

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Nga Arben Llangozi

E vërteta e fshehur dhe mafia që vepron nën mburojën e shtetit

Konflikti i djeshëm në Vlorë nuk është historia që iu servir shqiptarëve. Versioni i “gjobëvënies” është një skenar i montuar nga mafia në bashkpunim me policinë Vlorê për të mbuluar shkakun e vërtetë të përplasjes, tokën e grabitur nga mafia dhe interesat miliona euro që fshihen pas saj.

Luan Muça nuk u përfshi në një konflikt të lindur dje. Pas kësaj ngjarjeje qëndron një betejë e vjetër me mafien e tokave në Jug, një mekanizëm që prej vitesh prodhon dokumente, mbivendosje, pronarë të rinj dhe viktima të vjetra. Pasi mafia kishte marrë pronën me AMTP të pavërtetë dhe në shkelje me ligjin. Pasi AMTP janë fiktive dhe janë lëshuar mbi tokë kullotë në shkelje të ligjit 7501.

Është absurde që një biznesmen i suksesshëm me aktivitete të mëdha ekonomike të paraqitet sikur shkoi ditën për diell për të vendosur një “gjobë” prej 5 milionë eurosh, pa u thënë shqiptarëve se pas konfliktit ekziston një përplasje e hershme për tokën. Gjobëvënia është version. Konflikti i pronësisë është fakt që duhet hetuar dhe vendosur para përgjegjësisë autorët. Dhe pikërisht këtu është manipulimi, u hodh në publik akuza më e rëndë, ndërsa dosja e tokës u la në hije.

Prej vitesh në Palasë dhe në gjithë bregdetin e Jugut janë ngritur konflikte mbi toka të marra me AMTP, dokumente të kontestuara dhe tituj që duhen kontrolluar deri në origjinë. Nëse AMTP janë dhënë mbi kullota apo mbi sipërfaqe që nuk mund të ndaheshin si tokë bujqësore sipas ligjit nr. 7501, atëherë këto dokumente nuk janë thjesht të diskutueshme. Ato janë pika nga ku duhet të nisë hetimi penal. Kush i prodhoi? Kush i firmosi? Kush i regjistroi? Dhe kush mori tokën?

Kjo është skema që ka shkatërruar Jugun. Në Palasë, Himarë, Livadh, Borsh, Lukovë, Sarandë dhe Ksamil, pronarët dhe trashëgimtarët janë sorollatur për vite nëpër gjykata, ndërsa toka ka kaluar në duar të tjera dhe mbi të janë ngritur projekte luksoze. Qytetari humbet jetën në gjykatë. Mafia fiton tokën.

Rasti i Leko Latit, një qytetar i lindur në Palasë, është një nga shembujt më të rëndë të mafies së tokave. Si autokton dhe përfitues i kthimit e kompensimit të pronës, ai u sorollat në institucione dhe gjykata deri në fund të jetës dhe, u dhunua fizikisht gjatë betejës së tij për pronën, ndërsa toka përfundoi në duart e mafies së tokave.

Pak më tej, trashëgimtarë të tjerë u sorollatën për vite në procese, ndërsa sot mbi tokat e kontestuara ngrihen investime me vlerë miliona euro. Prokurori që kishte në dorë një prej këtyre dosjeve në Vlorë e mbuloi çështjen, nuk preku përfituesit realë dhe e la dosjen të mbyllej pa zbardhur grabitjen e pronës. Më pas, në vend që të jepte llogari për mënyrën si u trajtua çështja, ai u ngrit në detyrë dhe u transferua në Tiranë.

Edhe çështja e lidhur me bashkëshortin e Olta Xhaçkës tregoi se si funksionon mekanizmi. Kur del një dokument i falsifikuar, drejtësia nuk duhet të ndalet te njeriu i varfër që është përdorur si hallkë. Duhet të shkojë te porositësi, te përfituesi dhe te ai që mori pronën. Përndryshe kapet vegla dhe shpëton ai që fitoi miliona.

Nënë Androniqi, 85 vjeçe, vazhdon ende betejën për tokën dhe godinat që pretendon ju morën nga mafia e pronave dhe drejtësia vlorë . Janë marrë të pandehur shumë persona, por procesi zvarritet se mafia ndikon te drejtësia.

Në Livadh, çështja që çoi në arrestimin e Jorgo Goros tregoi se kur drejtësia heton realisht, dalin emra dhe përgjegjësi. Por nuk mjafton zyrtari që firmosi. Duhet të hetohet deri te përfituesi i fundit. Në Borsh, Lukovë, Sarandë dhe Ksamil historia përsëritet, toka me vlerë miliona, dokumente të diskutueshme, konflikte të pafundme dhe shtet që vjen gjithmonë me vonesë.

Mafia e tokave nuk ekziston pa shtetin. Nuk grabitet një bregdet i tërë pa Kadastër, pa bashki, pa zyrtarë, pa noterë, pa ekspertë dhe pa një drejtësi që në shumë raste ka heshtur ose ka reaguar vetëm pasi dëmi është bërë. Pas kaq vitesh qeverisjeje, qeveria Rama nuk mund të lajë duart nga ajo që ka ndodhur me tokat e Jugut.

Prandaj konflikti i Luan Muçës nuk duhet hetuar vetëm si përplasje fizike. Duhet hapur menjëherë dosja e tokës. Duhet sekuestruar çdo AMTP, çdo hartë, çdo regjistrim, çdo kontratë dhe çdo leje. Duhet rindërtuar zinxhiri i pronës nga dita e parë deri te përfituesi i sotëm.

Sepse kjo është pika që dikush kërkon ta mbulojë me zhurmën e “gjobëvënies”. Luan Muça nuk duhet shpallur gjobëvënës nga titujt e portaleve. Nëse ka prova, t’i tregojë drejtësia. Por nëse pas konfliktit qëndron toka, atëherë kemi përballë një skenar të montuar për të fshehur një përplasje me mafien e tokave.

KKT, me Edi Ramën në krye, nuk mund të hiqet si spektator i grabitjes së Jugut. Mbi toka të kontestuara janë miratuar projekte miliona eurosh dhe shteti u ka dhënë vulë zhvillimeve që duhej t’i ndalonte derisa të verifikohej pronësia. Kur toka e dyshuar si e grabitur legalizohet përmes vendimmarrjes shtetërore dhe kthehet në resort, atëherë problemi nuk është më vetëm mafia e tokave. Problemi është kush i hapi derën, kush firmosi dhe kush e mbrojti.

Si është e mundur që mbi një kullotë të jepen leje për resorte dhe ndërtime miliona eurosh, pa u zbardhur më parë se si ajo tokë ndryshoi status dhe përfundoi në duar private? Këtu duhet të nisë hetimi: kush e ktheu kullotën në pronë private, me çfarë dokumentesh dhe kush më pas firmosi lejet për ta betonizuar.

Publikuar nga Publik Media