Pas Edit, Jozi “gatuan hakmarrjen” edhe për Ledrin?

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Pas përplasjes së fundit me Edi Kuçin, në rrjetet sociale është rikthyer në vëmendje një prej deklaratave të mëparshme të Joz Markut ndaj personazheve publike që kanë mbajtur qëndrime kritike ndaj tij.

Bëhet fjalë për një episod që lidhet me reperin Ledri Vula, pas përplasjes së Jozit me Gjestin gjatë “Big Brother VIP Albania 4”.

Në atë periudhë, Ledri Vula ishte shprehur se do të bashkëpunonte me Gjestin, por jo me Jozin. Deklarata u rikujtua më vonë nga një ndjekës në Instagram, i cili e pyeti Jozin lidhur me qëndrimin e reperit.

Përgjigjja e Jozit ishte e shkurtër dhe ironike:

“Kingjat në tufë, luani vetëm në fron”.

Edhe pse ai nuk e përmendi drejtpërdrejt Ledri Vulën, një pjesë e ndjekësve e interpretuan reagimin si një përgjigje ndaj reperit.

Deklarata është rikthyer tashmë në qendër të vëmendjes pas zhvillimeve të ditëve të fundit dhe përplasjes fizike mes Joz Markut dhe Edi Kuçit.

Në videot e bëra publike nga incidenti, Jozi dëgjohet duke i kërkuar llogari Kuçit për disa ofendime që ky i fundit dyshohet se i kishte bërë më herët ndaj tij.

Ndërkohë, në diskutimet që kanë shpërthyer në rrjetet sociale pas përplasjes është përmendur edhe emri i Stresit. Kjo ka nxitur spekulime nëse incidenti me Edi Kuçin është një episod i veçuar apo pjesë e një serie përplasjesh dhe konfliktesh publike të Jozit me personazhe të ndryshme.

Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna konkrete që të konfirmojnë një lidhje mes episodeve të ndryshme apo që deklaratat e mëparshme të Jozit të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me përplasjen e fundit.

Në rrjetet sociale, rikthimi i këtyre deklaratave ka hapur sërish diskutimin mbi marrëdhëniet e Joz Markut me personazhet e tjerë të showbiz-it shqiptar.

Publikuar nga Publik Media