Zjarr i madh në Himarë, flakët përhapen me shpejtësi pranë banesave

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e kësaj të premteje një zonë pranë bypass-it të qytetit të Himarës, duke krijuar një situatë të vështirë për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.

Vatra është aktivizuar në kodrat pranë lagjes “1 Maji”, ndërsa flakët po avancojnë në territor duke rrezikuar banesat dhe sipërfaqet me pemëtari që ndodhen në këtë zonë.

Situatën e ka komplikuar ndjeshëm era e fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit dhe vështirëson përpjekjet për izolimin e tij.

Në afërsi të vatrës ndodhen banesa, ndaj shqetësimi kryesor i forcave në terren është pengimi i avancimit të flakëve drejt zonës së banuar.

Deri në këto momente, nuk raportohet që zjarri të ketë përfshirë banesa dhe as për persona të lënduar.

Në përpjekjet për shuarjen e flakëve janë angazhuar forcat zjarrfikëse, ndërsa në terren kanë dalë edhe banorë të Himarës, të cilët po ndihmojnë në luftën kundër zjarrit.

Për shkak të përmasave të vatrës dhe kushteve të vështira të krijuara nga era, zjarrfikësit kanë kërkuar përforcime nga bashkitë fqinje.

Aktualisht, operacioni në terren është përqendruar në izolimin e zjarrit, frenimin e përparimit të flakëve dhe mbrojtjen e banesave dhe pronave që ndodhen pranë zonës së përfshirë.

Zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa era mbetet një prej faktorëve kryesorë që po favorizon përhapjen e flakëve.

Publikuar nga Publik Media