“Bën mirë ti fshish lajmet”, Publik Media kërcënohet me profil FAKE

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Nuk na frikësoni dhe as na intimidoni, dimë shumë më tepër për ju!

Një mesazh intimidues ka mbërritur në redaksinë e Publik Media, pas publikimit të një materiali që trajton një konflikt pronësie në Palasë dhe denoncime të bëra publike për një prej kompanive të përfshira në këtë çështje.

Mesazhi është dërguar nga një profil në Instagram me emrin e përdoruesit “user_nameb7”, i cili, sipas pamjes së publikuar nga redaksia, rezulton të ketë 23 ndjekës dhe asnjë postim. Në komunikim, personi i drejtohet redaksisë duke kundërshtuar publikimin e lajmit dhe duke përdorur gjuhë fyese.

“E dim kush je ben mir ti fshish kto lajme fake qe permend emra qe ska lidhje o te q*a ropt”**, shkruhet në mesazhin e dërguar në redaksi.

Komunikimi vjen në një kohë kur Publik Media ka publikuar materiale mbi denoncime të qytetarëve dhe çështje që lidhen me konflikte pronësie, dokumentacion dhe pretendime për parregullsi.

Në vend që të tërhiqet përballë mesazhit, redaksia ka zgjedhur t’i përgjigjet publikisht, duke e konsideruar komunikimin si një tjetër përpjekje për intimidim ndaj medias dhe punës së gazetarëve.

Publik Media thekson se denoncimet që mbërrijnë në redaksi nuk lidhen vetëm me individë të përfshirë në çështje të ndryshme, por edhe me institucione dhe persona me funksione publike, ndërsa materialet e dërguara nga qytetarët shoqërohen, sipas redaksisë, edhe me dokumente.

“Frikacakët shajnë me profile të rreme. Jemi mësuar me ‘trima’ që shajnë me fytyra false!”, shprehet redaksia në reagimin e saj, duke theksuar se mesazhe të tilla nuk do të ndikojnë në punën e saj.

Redaksia deklaron se do të vijojë të publikojë informacionet që i konsideron me interes publik dhe se kërcënimet apo përpjekjet për presion nuk do ta ndalin në raportimin e çështjeve që i janë besuar nga qytetarët.

Reagimi i Publik Media:

Frikacakët shajnë me profile të rreme. Jemi mësuar me “trima” që shajnë me fytyra false!

Shumë kanë tentuar dhe nuk ia kanë dalë dot! Nuk na frikësoni dhe as na intimidoni!

Ne dimë shumë më tepër për ju!

Ne bëjmë punën tonë, që shpeshherë nuk është e lehtë. Ju fshiheni si minjtë!

Që nga momenti i ngjarjes me armë në hotel “Regina”, mes dy sipërmarrësve, nuk është faji ynë që qytetarët kanë besim dhe na sjellin denoncime me dokumente, jo vetëm për të fortët në kërkim, por edhe për Kadastrën, Policinë, falsifikatorët, prokurorët dhe gjyqtarët.

Ndaj, sa për kërcënimet, ju bëni punën tuaj, ne bëjmë punën tonë. Ju keni armë, drogë, euro korrupsioni; ne kemi tastierën, kompjuterin dhe kamerën.

Ku ta keni e si ta keni!😉

Publikuar nga Publik Media