Arrestohet Ergys Agasi, biznesmeni i kërkuar nga SPAK për aferën e AKSHI-t…

Shpërndaje

Ergys Agasi, biznesmeni i kërkuar nga SPAK për aferën e AKSHI-it (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) u arrestua pasditen e sotme në zonën e Plepave në Durrës. SHEKULLI mëson detaje nga operacioni i policisë, që fillimisht ka nisur ndjekjen në qytetin e Elbasanit, për të finalizuar arrestimin në Durrës.

Forcat Operacionale i kanë vënë prangat në zonën e Plepave, teksa ka qenë duke udhëtuar me automjet. Mësohet se Agasi është kapur në makinë me Uljan Shpatarakun, ish-polici i shpallur në kërkim, që njihej edhe si i besuari i ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.

Menjëherë pas ardhjes në detyrë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e shkarkoi nga rradhët e policisë. Shpataraku nuk e pranoi këtë vendim, duke çuar Policinë e Shtetit në gjyq, ndërsa pak javë më parë u përfshi në një incident në jug të vendit, ku kanosi stafin e hotelit, ngjarje për të cilën u shpall në kërkim.

Kush është Ergys Agasi?

Biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj janë të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe ‘manipulim me tenderët’ e ASHKI-t.

Ermal Beqiri u arrestua pak kohë më parë në Francë, teksa po udhëtonte me avionin e tij privat mbi një central bërthamor.

Lidhur me këtë çështje GJKKO ka pezulluar nga detyra edhe zv/drejtorin e Policisë së Tiranës Erion Ismailaj.

Po ashtu, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj u vendos nën masën e “arrestit shtëpisë”, ndërsa ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi u la në ‘detyrim paraqitje’ për shkak të shtatzënisë.

Agasi dhe Beqiraj, akuzohen gjithashtu se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.

Shpërndaje