
Një aksident i rëndë rrugor është shënuar pasditen e sotme në Kurbnesh të Mirditës.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë. Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Të plagosurit janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Njoftimi i Policisë:
Mirditë/Informacion paraprak
Në aksin rrugor Lurë–Rrëshen, në fshatin Kurbnesh, Mirditë, automjeti që drejtohej nga shtetasi A. K., rreth 20 vjeç, ka dalë nga rruga.
Si pasojë, shtetasi C. N., rreth 20 vjeç, pasagjer në automjet, ka ndërruar jetë. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 20 vjeç, dhe pasagjeri tjetër, i mitur, rreth 15 vjeç, janë transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.


