
Shkodra, qyteti më në perëndim të Rumelisë, si rezultat i luftës me Venedikun, hyri përfundimisht nën administrimin osman në vitin 1479. Me pesë anije venedikase, popullsia e saj braktisi qytetin duke kaluar në Adriatik nëpërmjet lumit të Bunës. E cilësuar edhe si Aleksandria e Shqipërisë, Shkodra në vitin 1486 u bë një njësi administrative, si sanxhak në varësi të bejlerbejlikut të Rumelisë. Në periudhën e sulltan Sulejman Ligjvënësit, Shkodra ishte një nga tetë sanxhaqet e Shqipërisë. Deri në shekullin XVIII, ajo u administrua nga Bushatllinjtë, Çavushoullarët dhe Mehmet Rushen Pasha. Në këtë shekull, Shkodra ishte një sanxhak i ndarë në kazatë e Ulqinit, Tivarit, Podgoricës, Plavës dhe Malit të Zi.
Në të njëjtin shekull, bashkë me familjet Çavushollu dhe Bushati, në Shkodër ishte edhe familja Bejollu, nga feudalët e njohur të Pejës. Këto tri familje luftonin me njëra-tjetrën për të administruar sanxhakun e Shkodrës. Në vitet 1730, në kohën kur Shkodra administrhej nga familja Bejollu, pas kryengritjeve të viteve 1733 dhe 1737, Jusuf Çavushollu u emërua mytesarif i Shkodrës. Vite më vonë, Mehmet Bej Bushati përfitoi nga lufta mes familjeve Çavushollu dhe Bejollu për të administruar Shkodrën në vitin 1757, dhe duke qenë mytesarif rrëmbeu drejtimin e qytetit. Ndërkaq ishin dobësuar lidhjet e Shkodrës me Shtetin Osman. Administrimi i Bushatllinjeve, që u shfaq në rajon dhe që mund të cilësohej relativisht autonom, mori fund vetëm në vitin 1832 me shkarkimin nga detyra të Mustafa Pashë Bushatit. Në këtë mënyrë u thye pushteti sundues i feudalëve vendorë, që vazhdoi afërsisht njëqind vjet në Shkodër.
Kur analizohet organizimi territorial i Shtetit Osman, vihet re se në vitin 1831 kishte gjithsej 29 ejalete. Në këtë periudhë, Shkodrën e gjejmë mes livave në varësi të ejaletit të Rumelisë. Pas disa vitesh, edhe livaja e Dukagjinit, si pjesë e Shkodrës, do të ishte në të njëjtin ejalet.
Në fillim të viteve 30 të shekullit XIX, territori i Shqipërisë ndahej në tri ejalete. Pashallëqet e Manastirit, Shkodrës, Prizrenit dhe Pejës përfshiheshin në ejaletin e Manastirit, pashallëqet e Prishtinës, Shkupit, Vranjës, Leskovikut dhe Nishit në ejaletin e Sofjes, Shqipëria e Jugut dhe Thesalia në ejaletin e Janinës. Edhe pse është shkruar se pashallëqet e Shkodrës dhe të Prizrenit në vitin 1846 u shkëputën nga ejaleti i Manastirit dhe me emrin ejaleti i Shkodrës u lidhën drejtpërdrejt me Stambollin, kur kemi shqyrtuar vjetarët shtetërorë të atyre viteve nuk kemi mundur të gjejmë të dhëna që mbështesin këtë pretendim. Madje emri Shkodër përmendet në vjetarë vetëm pas vitit 1850. Deri në këtë vit është përdorur më shpesh emri Iskenderije.
Përsëri sipas vjetarëve shtetërorë, nga viti 1846 deri në vitin 1862, kur për herë të parë u bë ejalet, Shkodra ishte pjesë e ejaletit të Rumelisë me qendër Manastirin dhe një nga livatë e këtij ejaleti, si Ohri, Kastoria, dhe ndonjëherë edhe Arta. Mes këtyre, Ohri ishte livaja që qëndroi më gjatë dhe më rregullisht në ejaletin e Rumelisë. Pra, në periudhën para dhe pas vitit 1839, Ohri bashkë me Shkodrën dhe kazatë në varësi të tij, si Tirana, Kavaja dhe Peqini, ishte një sanxhak, pjesë e ejaletit të Rumelisë. Në këto vite, livaja e Shkodrës ishte një sanxhak nën administrimin e mytesarifit. Sipas rregullimeve të vitit 1842, me ndryshimet e kryera për zbatimin e Tanzimatit, vendin e mytesarifit nga administratorët e livasë e mori kajmekami i emëruar nga qendra. Sipas vjetarëve shtetërorë, në ejaletin e Rumelisë, administratorët e livasë së Manastirit dhe livasë së Shkodrës deri në vitin 1855 mbanin titullin mytesarif, ndërsa administratorët e livave të tjera kishin titullin kajmekam. Në përputhje me rregullimet e vitit 1842, si drejtues i ejaletit të Rumelisë që nga viti 1855 është përdorur titulli vali (guvernator). Por edhe më pas, derisa u bë një ejalet më vete, Shkodra vazhdoi të administrohej përsëri nga mytesarifi, ashtu siç kishte qenë para rregullores të vitit 1842. Ky fakt na bën të mendojmë se praktikat administrative të Tanzimatit ende nuk kishin filluar të zbatoheshin në Shkodër.
Në vitin 1862, Shkodra ishte shpallur një ejalet më vete, por në vitin 1863 u kthye sërish në statusin e një livaje brenda ejaletit të Rumelisë. Një vit më vonë u bë ejalet, ndërsa në 1865 përsëri një liva brenda ejaletit të Rumelisë. Në regjistrimet e viteve 1866 dhe 1867, Shkodra shfaqej përsëri si ejalet. Ndërsa në vitin 1868, Shkodra, me guvernator Ismail Pashën, ishte një vilajet i përbërë nga sanxhaqët e Shkodrës dhe Zadrimës, si dhe nga 14 kaza.
Në vitin 1869 dhe në vitet 1870, vilajeti i Shkodrës përbëhej nga sanxhaqët e Prizrenit, Dibrës dhe Shkodrës. Vilajetet e krijuara në të gjithë perandorinë, në zbatim të rregullores për vilajetet, ishin edhe më të mëdha se ejaletet e mëparshme. Por më vonë, për të rritur efektivitetin në drejtim, u kalua në procesin e krijimit të vilajeteve më të vogla. Në vitin 1872, Shkodra, duke u zvogëluar, e ruajti pozicionin e saj si vilajet, pa pasur sanxhaqët e Prizrenit dhe të Dibrës. Ajo u kthye në një strukturë administrative vetëm me sanxhakun e Shkodrës dhe 11 kaza.
Në dy vitet e mëvonshme, Shkodra është emërtuar ejalet. Duke qenë të kujdesshëm për faktin se e gjithë perandoria kaloi në administrimin me vilajete, dhe se kur flitej për shkollat dhe njësitë administrative, në vjetarët shtetërorë për Shkodrën përdorej emërtimi ejalet, nuk duhet krijuar ideja e gabuar se kishte ndryshuar statusi i Shkodrës si vilajet. Në letërkëmbimin e këtyre viteve me qendrën vihet re se në të njëjtin dokument krahas fjalës ejalet përdoren edhe fjalët vilajet dhe prefekturë.
Në vitin 1875, Shkodra zuri vend në administratën territoriale osmane si një sanxhak nën administrimin e vilajetit të Manastirit. Në këtë periudhë, sanxhaku i Shkodrës përbëhej nga 10 kaza: Shkodër, Lezhë, Pukë, Mirditë, Kavajë, Tivar, Ulqin, Krujë, Podgoricë dhe Tiranë. Por koha kur Shkodra ishte një sanxhak në varësi të vilajetit të Manastirit nuk zgjati shumë. Kështu, në vjetarin për vilajetin e Manastirit të vitit 1293 hixhri nuk duket sanxhaku i Shkodrës.
Shkodrën e gjejmë përsëri në vitin 1876 si një vilajet më vete. Në vjetar është përdorur emërtimi prefektura e Shkodrës. Siç kemi nënvizuar edhe më parë, veçanërisht pas rregullores për vilajetin të vitit 1871, emërtimet ejalet, vilajet dhe prefekturë janë përdorur në vend të njëri-tjetrit dhe nuk kanë theksuar një dallim, privilegj apo pozicion administrativ.
Në vitin 1876, meqenëse Shkodra, duke u shkëputur nga vilajeti i Manastirit, u bë sërish një ejalet më vete, guvernatori i Shkodrës i percolli sadrazamit një letër falënderimi të përgjithshëm, ku ishin vendosur vulat e anëtarëve myslimanë dhe jomyslimanë të këshillit vendor. Pavarësisht ndryshimeve që do të kishte me kalimin e kohës në kufijtë dhe ndarjen administrative të Shkodrës, viti 1876 ishte i rëndësishëm sepse shënoi fillimin e një periudhe ku nuk do të ndodhte ndonjë ndryshim në statusin e vilajetit. Që nga ky vit deri në vitin 1912, kur u nda faktikisht nga Shteti Osman, Shkodra vazhdoi pa ndërprerje të ishte vilajet.
Duke filluar nga ky vit, për të shmangur mundësinë e fillimit të luftërave ballkanike, kabineti i Ahmet Muhtar Pashës u mobilizua për t’u dhënë fund kryengritjeve në Shqipëri. Më 9 gusht 1912 u zhvilluan bisedime për reformat që do të bëheshin në Shqipëri dhe u ra dakord për një Shqipëri autonome. Në takimet e zhvilluara më 4 shtator 1912 u pranuan propozimet e shqiptarëve dhe morën fund kryengritjet. Por duke filluar nga data 21 tetor 1912, Shkodra u rrethua nga malazezët. Pasi Shqipëria u pushtua faktikisht nga Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, duke u preferuar flamuri kombëtar i Skënderbeut me shqiponjën dykrenore me fushë të kuqe, delegatët shqiptarë të mbledhur në Vlorë nën drejtimin e Ismail Qemal Beut shpallën më 28 nëntor 1912 qeverinë shqiptare të pavarur. Pas marrjes së këtij vendimi, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 12 dhjetor 1912, u njoh pavarësia e Shqipërisë. Pavarësisht këtij vendimi, pushtimi i Shqipërisë nga shtetet ballkanike vazhdoi dhe Shkodra u rrethua nga Mali i Zi. Me rënien e Shkodrës më 22 prill 1913, Shteti Osman humbi edhe hapësirën e tij të fundit në Europë. Me Traktatin e Londrës të qershorit 1913, dhe pas ndryshimit të pushtetit në Stamboll, përcaktimi i kufijve të Shqipërisë iu la shteteve europiane. Në fakt, situata pas pushtimit të Shkodrës nga Mali i Zi më 8 tetor 1912, dhe shpalljes së qeverisë së pavarur shqiptare më 28 nëntor 1912, mori formë ligjore me Traktatin e Londrës, të nënshkruar pas Luftës së Parë Ballkanike. Pavarësia e Shqipërisë u njoh edhe me Traktatin e Bukureshtit në gusht të vitit 1913, dhe vilajeti i Shkodrës u shkëput nga administrimi osman./RealitetiPost
(Marrë nga libri “Vilajeti i Shkodrës” nën administrimin Osman 1876-1912)
Autor: Ilkay Erken
Botime:Alsar




