
Nga Justinian Topulli
Provokimi i ndjesive të dallimeve tona identitare, qofshin këto fetare apo kombëtare, është tashmë rruga më e lehtë për të shkatërruar kombin shqiptar.
Edhe përpjekja e tendenca për të eliminuar dhe homogjenizuar këto dallime, sjell të njëjtin përfundim.
Askush nuk ka të drejtë t’i imponojë të tjerëve bindjen e tij fetare apo kombëtare, sipas modelit të tij, edhe pse kjo, natyrisht, nuk e privon dot asnjë të mbrojë bindjen e tij dhe të kritikojë atë të të tjerëve, për aq kohë sa kjo bëhet brenda rregullave etike të bashkëekzistencës dhe mbështetet mbi argumente dhe jo mbi retorikë deklarative, që kërkojnë imponim të bindjes dhe flasin për tradhti dhe besnikëri.
Ndërkohë, keqkuptimet, manipulimet e qëllimshme dhe agjendat që duan të na çojnë në vëllavrasje, janë tashmë më se të pranishme dhe lehtësisht të mundshme.
Këtyre sprovave nuk mund t’u mbijetojmë duke planifikuar dhe dirigjuar akte homogjenizimi bindjesh dhe as luftëra retorike shfarosëse të tjetrit, por vetëm përmes menaxhimit të kujdesshëm të konfliktit dhe të këtij diversiteti identitar.
Askush prej nesh nuk ka ndërmend ta braktisë llogoren e tij identitare dhe as të dorëzohet për atë të tjetrit, ndaj dalja nga këto llogore dhe marrja vesh pa nevojën e llogoreve, është rruga e vetme e mbijetesës paqësore, përndryshe, shembuj dhe histori sherresh kemi plot.




