HOTI: SHËNDETËSIA NË PARADOKS: SPITALET KËRKOJNË MJEKË, POR SISTEMI NUK PRODHON SPECIALISTËT QË I DUHEN…

Shpërndaje

Sot, më 31 gusht, mbyllet afati për një seri vendesh vakante në spitalet publike dhe në kujdesin parësor.

Në Mat kërkohen obstetër-gjinekolog, anestezist-reanimator, kirurg, pediatër, dermatolog dhe ORL. Në Dibër kërkohen dermatolog, ortoped dhe anestezist-reanimator. Në Durrës kërkohen nefrolog dhe pediatër-neonatolog.

Mjekë kërkohen edhe në Bulqizë, Tiranë, Kamëz, Durrës, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë dhe Fushë-Krujë.

Në shpalljet aktive të evidentuara në portalin zyrtar “Mjekë për Shqipërinë” rezultojnë 25 profile dhe vende mjekësh që kërkohen urgjentisht.

Por problemi nuk është vetëm se sa vende janë bosh sot.

Problemi është se disa prej tyre shpallen, rishpallen dhe vazhdojnë të mbeten pa kandidat. Në rastet konkrete të dokumentuara për periudhën 2022-2024, të paktën 10 vende pune janë mbyllur pa kandidat. Kjo nuk është shifra kombëtare e të gjitha vakancave, por është një sinjal i qartë se sistemi nuk po arrin të plotësojë as pozicionet që vetë shpall.

Dhe këtu shfaqet paradoksi:

Kemi nevojë për specialistë, por nuk e lidhim siç duhet nevojën e spitaleve me kuotat e specializimeve.

Për vitin akademik 2025-2026 janë miratuar 299 kuota specializimi, por shpërndarja e tyre ngre pyetje serioze.

Në Dibër dhe Mat kërkohet dermatolog, ndërsa në tabelën e specializimeve ka vetëm 5 kuota për Dermatologji, të gjitha për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Drejtësisë – asnjë për institucionet shëndetësore dhe asnjë kuotë të lirë.

Në Dibër kërkohet ortoped, ndërsa 5 kuotat e Ortopedi-Traumatologjisë janë të lira dhe asnjë nuk është e lidhur drejtpërdrejt me nevojat e institucioneve shëndetësore.

Në Mat dhe Dibër kërkohen anestezistë, megjithëse janë miratuar 20 kuota institucionale për Anestezi-Reanimacion.

Në Mat dhe Durrës kërkohen pediatër, ndërkohë që janë miratuar 20 kuota institucionale për Pediatri.

Në Durrës kërkohet nefrolog, ndërsa nga 7 kuota të Nefrologjisë, 5 janë institucionale dhe 2 të lira.

Specializimi zgjat disa vite dhe nuk e plotëson vendin vakant sot. Por pikërisht për këtë arsye, Ministria duhet të planifikojë disa vite përpara dhe jo të kujtohet vetëm kur spitali ka mbetur pa mjek.

Nuk mjafton të hapësh vende vakante. Nuk mjafton as të shpallësh kuota specializimi.

Çdo vend vakant duhet të ndiqet: sa kohë ka mbetur bosh, sa herë është rishpallur, a ka pasur kandidatë dhe çfarë specializimesh duhet të financohen për ta plotësuar në të ardhmen.

Na duhet një hartë kombëtare, publike dhe e përditësuar e nevojave për mjekë specialistë.

Sepse nuk mund të vazhdojmë me spitale që kërkojnë prej vitesh mjekë, me të rinj që duan të specializohen dhe me kuota që ecin në një drejtim tjetër nga nevojat reale të territorit.

I duhet dhënë fund kësaj krize të planifikimit, koordinimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore në shëndetësi.

Shpërndaje