
Nelson Hysa ka dhuruar një tjetër paraqitje të fortë në ring, duke mposhtur me nokaut Thomas Narmon në duelin e zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në “O2 Arena” të Londrës.
Në përballjen mes dy peshave të rënda të pamposhtura, 41-vjeçari shqiptar nuk i la shumë hapësirë kundërshtarit. Hysës i mjaftuan vetëm dy raunde për të mbyllur duelin, në kuadër të eventit ku kryesor ishte përballja Moses Itauma–Filip Hrgovic.
Në raundin e dytë, një e djathtë e fuqishme e Hysës, e kapur mbi një jab të ngadaltë të Narmos, e dërgoi norvegjezin në tapet pas vetëm 36 sekondash.
Narmo u ngrit në këmbë, por lëvizjet e tij ishin të paqëndrueshme. Arbitri e vlerësoi situatën dhe ndërpreu menjëherë duelin, duke i dhënë fitoren Hysës.
Pas nokautit, ekipi mjekësor hyri menjëherë në ring dhe i dha oksigjen Narmos. Për fat të mirë, norvegjezi u largua nga ringu duke ecur me këmbët e tij.
Një tjetër fitore e rëndësishme për Nelson Hysën, i cili vazhdon të ruajë rekordin e tij të pamposhtur në peshën e rëndë.





