
Boksieri shqiptar Nelson Hysa zbret sonte në ring në Londër, në një nga mbrëmjet e rëndësishme të boksit, ku do të përballet me norvegjezin e pamposhtur Thomas Narmo.
Dueli do të zhvillohet në “O2 Arena”, si pjesë e eventit ku përballja kryesore është ajo mes Moses Itauma dhe Filip Hrgovic.
🥊 Nelson Hysa – Thomas Narmo
📍 O2 Arena, Londër
📅 29 gusht 2026
📺 DAZN
Hysa shkon në këtë përballje me një rekord të jashtëzakonshëm: 24 fitore në po aq ndeshje, ndërsa 22 prej tyre i ka siguruar me nokaut. Edhe Narmo është ende i pamposhtur në karrierën profesioniste, me 14 fitore në 14 duele.
Në moshën 41-vjeçare, shqiptari renditet i gjashti në WBA dhe i 11-ti në WBO. Një tjetër fitore në Londër do ta afronte edhe më shumë me përballjet e nivelit të lartë dhe emrat e mëdhenj të kategorisë.
“Kam ardhur këtu për të treguar veten dhe për të përfaqësuar Shqipërinë. Është koha ime të rikthehem dhe t’i sfidoj emrat e mëdhenj”, është shprehur Hysa për “BoxingScene”.
Ambicia e tij mbetet e pandryshuar: të luftojë për titullin kampion bote.
Hysa ka shprehur më herët edhe dëshirën për t’u përballur me kampionin e WBC-së, Agit Kabayel, një duel që sipas tij do të ngjallte interes të madh te komuniteti shqiptar në Gjermani dhe në Evropë.
Por para çdo objektivi tjetër, Hysa duhet të kalojë sonte pengesën e radhës, Thomas Narmo.
Në Londër, shqiptari synon fitoren e 25-të në karrierën profesioniste dhe një tjetër hap drejt ëndrrës për titullin e botës.




