Një konflikt i çastit mes disa personave ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në fshatin Barbullush, në bashkinë Vau i Dejës.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:15. Dyshohet se, pas konfliktit, njëri prej personave të përfshirë ka qëlluar me armë zjarri në ajër gjatë largimit nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kontrolle intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit.
